Shkollimi i romëve - dalja nga qorrsokaku
25 Shtator 2013Romët janë të përjashtuar nga shumë procese jo vetëm në vendet e Evropës Juglindore prej nga e kanë prejardhjen, por edhe në vendet industriale perëndimore. Ata i takojnë shtresës më të varfër të shoqërisë. Ndërkohë që "integrimi i romëve është në interesin e të gjitha vendeve të BE", thotë Viviane Reding, nënkryetare e Komisionit Evropian dhe Komisionere për Drejtësi. Ajo thotë se një prej çeshtjeve kryesore për integrmin më të mirë të romëve është "shkollimi dhe aftësimi për tregun e punës". Investimi në përmirësimin e kushteve të romëve është investim në ardhmëri, tha Reding, në koferencën ndërkombëtare "Shkollimi i romëve në (dhe nga) Evropa Juglindore: kërkesat dhe realiteti", e cila po mbahet në lokalet e Deutshce Welles në Bon të Gjermanisë.
Mungesa e shkollimit është një prej problemeve që nuk ka të bëjë vetëm me përkatësinë etnike, por edhe gjendjen sociale, thekson Barbara Lochbihler, anëtare e Parlamentit Evropian dhe kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesat për një arsim më të mirë
"90 % e romëve evropianë jetojnë nën kufirin e varfërisë dhe vetëm 10 % e fëmijëve romë shkojnë në ndonjë shkollë më të lartë", shpjegon Lochbihler. Negativisht në shkollimin e fëmijëve romë ndikon edhe mungesa e arsimimit të prindërve. "Është shumë vështirë që prindërve pa shkollë t'u shpjegosh rëndësinë e shkollimit të fëmijëve , sepse ata shpesh nuk kanë mirëkuptim për këtë çështje". Ndaj është shumë me rëndësi që në programet e BE-së për romët të futen edhe pjesët që kanë të bëjnë me arsimimin e romëve të rritur.
Për rëndësinë e shkollimit të romëve flet edhe Romeo Franz, kryetar i Inciativës për shkollim dhe ngritje kulturore të sintëve, romëve dhe kandidat i ekologjistëve për deputet në Bundestag. Ai i takon një familje sinti e cila në Gjermani është pjesë e shtresës qytetare, dhe dikur është përndjekur nga nacionalsocialistët. "Kam pasur fatin që gjyshja ime ka shkuar në shkollë, para se të ikë nga regjimi nacionalsocialist. Ndërsa kur unë dhe vëllau im keni nisur shkollën në vitet 70-të, gjyshja na ndihmonte të bënim detyrat e shtëpisë", shpjegon Franz.
Ai ka vizituar edhe shumë romë dhe sintë dhe kampet e tyre në Serbi dhe Bullgari. Shumë prej tyre kanë ikur në Gjermani në kërkim të një jete më të mirë. Në Serbi dhe Bullgari ata jetojnë kryesisht në kushte shumë të rënda, pa punë dhe sigurim social e shëndetësor. Në këto kushte, as fëmijët nuk mund të shkojnë në shkolla. Por as në Gjermani situata nuk është tepër më e mirë. "Ne këtu shohim shumë fëmijë të cilët jetojnë në lagjet me standard të ulët social dhe shkojnë në shkolla ku nuk kanë ndonjë perspektivë, që do të thotë se fati i tyre është përcaktuar që në fëmijëri", mendon ai.
Problemet me identitetin
Por ka dhe romë të cilët megjithë kushtet e rënda kanë arritur ndonjë titull akademik. Ilona Tomova mendon se kontributi i tyre nuk mund të jetë tepër i madh, sepse shumica prej tyre largohen nga komuniteti dhe vendlindja e tyre dhe shkojnë diku ku është më mirë. Për shembull në Bullgari, ata shpesh heqin dorë edhe nga identiteti i tyre. Ata deklarohen si bullgarë apo minoritet turk. Vetëm një në pesë romë të cilët e kanë arritur ndonjë titull akademik, i mbetet besnik identitetit të vet rom.
Problemet me identitetin i di edhe Nizaqete Bislimi, e cila në vitet 90-të ka ardhur në Gjermani me familje, si 14 vjeçare. Ajo e ndjente veten të cënuar në Kosovë, si edhe shumë romë të tjerë, prej nacionalistëve shqiptarë. Ajo ka kërkuar azil në Gjermani dhe tërë kohën jetonte me familjen me frikë, se do të dëbohet nga Gjermania dhe do të kthehet në Kosovë. Por Nizaqete ka shkuar edhe në shkollë dhe ka kryer gjimnazin. Ajo donte të studjonte juridikun, por si rome nuk ka dashur të dalë në plan të parë. "Kam pasur probleme të shumta me statusin e parregulluar. Shoqëria ime e ka ditur se kush jam, por identitetin tim rom e kam bërë publik vetëm kohët e fundit kur e kam siguruar lejen e qëndrimit në Gjermani. Më parë në pyetjen për nacionalitetin gjithmonë e kam shkruar - me origjinë nga Kosova.
Kjo, sepse romët edhe në Gjermani shpesh janë të diskriminuar. Sipas një studimi të Universitetit në Bilefeld, 40 % e gjermanëve nuk do të jetonin me një fqinj rom apo sinti. Drejtori i përgjithshëm i Deutsche Welles, Erik Bettermann tha se një rol të rëndësishëm në këtë mes luajnë edhe mediat. "Tek minoritetetet mund të ndodhë shumë lehtë që të mbizotërojnë parrullat populliste. Mediat duhet të kenë kujdes dhe të raportojnë sa më objektivisht për proceset shoqërore. "Mediat mund të nxisin procesin e integrimit, me informim të mirë. "Romët janë një pasuri për kulturën tonë, ata janë një pjesë e historisë kulturore të Gjermanisë", pohoi Bettermann.