1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkallëzim i dhunës në Lindjen e Mesme

VFB28 Dhjetor 2008

Aviacioni izraelit vazhdon sulmet, Hamasi deklaron hakmarrje.

https://p.dw.com/p/GOIL
Pamje nga Rafahu - si pasojë e sulmeve ajrore izraelite ndaj Rripit të Gazës kanë gjetur vdekjen rreth 270 vetë
Pamje nga Rafahu - si pasojë e sulmeve ajrore izraelite ndaj Rripit të Gazës kanë gjetur vdekjen rreth 270 vetëFotografi: AP

Si pasojë e sulmeve ajrore izraelite ndaj bazave të Hamasit radikal-islamik në Rripin e Gazës, sipas të dhënave palestineze, gjetën vdekjen rreth 270 vetë. Ky është numri më i lartë i viktimave të një dite qysh nga lufta gjashtëditore e vitit 1967, thuhet më tej. Hamasi deklaroi hakmarrje të menjëhershme dhe qëlloi sërish me raketa në drejtim të Izraelit.

Edhe për banorët e qytetin e Gazës që tashmë janë të ambjentuar me dhunën, situata e krijuar pas sulmeve të së shtunës, shënon një dimension të ri. Në kohën që goditën raketat, rekrutët po festonin mbarimin e shkollës. Aviacioni izraelit bombardoi disa rajone të policisë dhe depo armësh.

Ndër të vdekurit është edhe shefi i policisë së rripit të Gazës, një udhëheqës i Hamasit si dhe gra e fëmijë. Që sulmet kanë prekur edhe civilë, për këtë Izraeli fajëson Hamasin. Ministrja e Jashtme izraelite, Zipi Livni, deklaroi: "Eshtë Hamasi, që me vetëdijë të plotë ka hedhur raketa në zonat e banuara në Izrael. Ne përpiqemi që t´i shmangim, ose t´i minizojmë pasojat ndaj popullsisë civile. Por sulmet ndaj Hamasit duhet të vazhdojnë dhe do të vazhdojnë. "

Kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert, theksoi se vendi i tij i ka shpallur luftë Hamasit dhe jo 1.5 milionë palestinezëve në Rripin e Gazës. Sulmet nga ajri vazhduan edhe gjatë natës. Sipas njoftimeve të mediave Izraeli përforcoi ndërkohë edhe trupat e këmbësorisë në kufirin me Rripin e Gazës.

Hamasi kërcënoi me hakmarrje të menjëhershme. Fillimi i ofensivës ushtarake nga Izraeli u pasua menjëherë me sulmet e raketave Kasam të Hamasit në Jug të Izraelit. Në rajonin kufitar Netivot gjeti vdekjen një grua. Zëdhënësi i Hamasit, Fausi Barhum deklaroi: "Në sfondin e kësaj masakre publike, që ka shkaktuar Izraeli këtu, ne u bëjmë thirrje të gjithë luftëtarëve palestinezë të rezistencës, që të mbrojnë popullin tonë. Ne do t´i kundërpërgjigjemi këtij agresioni. "

Konflikti rrezikon të shtrihet edhe në Jordanin Perëndimor, ku qeveris lëvizja e moderuar Fatah e presidentit palestinez Mahmud Abaz. Në Hebron qindra demonstrues sulmuan pikat izraelite të kontrollit dhe u përbetuan për hakmarrje ndaj sulmeve kundër bashkëatdhetarëve të tyre në Rripin e Gazës.