1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shifra astronomike të vazhdimit të pagave në rast sëmundjeje

16 Shtator 2024

Në vitin 2023, punëdhënësit në Gjermani shpenzuan 76.7 miliardë euro, më shumë se kurrë më parë, për vazhdimin e pagave për punonjësit e sëmurë. Ministri i Financave Lindner do të heqë raportin mjekësor përmes telefonit.

https://p.dw.com/p/4kcjb
Grua shtrirë në shtrat me medikamente dhe shami për të fshirë hundët
Fotografi: blackday/Zoonar/picture alliance

Punëdhënësit gjermanë kanë shpenzuar vitin e kaluar një shumë rekord për pagesat në vazhdim të pagave në rast sëmundjeje: Gjithsej 76.6 miliardë euro, sipas një studimi të Institutit të Ekonomisë Gjermane të lidhur me punëdhënësit (IW). Nëse ky trend vazhdon, kjo do të thotë se kostot do të dyfishoheshin brenda 14 viteve.

Instituti i Ekonomisë Gjermane, IW për studimin është bazuar në të dhënat nga Ministria Federale e Punës dhe sigurimet shëndetësor, por edhe në vlerësimet e veta. Niveli i lartë i punësimit, rritjet e forta të pagave, por edhe niveli i lartë i vazhdueshëm i sëmundjeve bëjnë që të mos pritet ndryshim i zhvillimeve në vitin në vijim.

Pagat vazhdojnë të paguhen deri në gjashtë javë

Nëse punonjësit e sëmurë dorëzojnë raportin mjekësor brenda tre ditëve, paga e tyre vazhdon të paguhet nga punëdhënësi deri në gjashtë javë. Në rast të sëmundjeve të frymëmarrjes, raporti mund të lëshohet edhe pas kontaktit telefonik nga mjeku, një risi kjo që mbeti në fuqi që me pandeminë e Coronës. Nëse shërimi zgjat më shumë se gjashtë javë, kompanitë e sigurimeve shëndetësore paguajnë kuotën e pagesës për rast sëmundjeje në masën 70 për qind të pagës së rregullt bruto.

Christian Lindner duke ecur
Ministri i Financave, Christian LindnerFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance/dpa

Nivel i lartë i raporteve të punëmarrësve

Sipas autorit të studimit Jochen Pimpertz, niveli i lartë i punësimit dhe rritja e ndjeshme e pagave dhe mëditjeve shpjegojnë vetëm pjesërisht rritjen e kostove. Është rritur ndjeshëm edhe numri i ditëve të sëmundjes të punëmarrësve. "Në vitin 2010, organizata ombrellë e kompanive të sigurimeve shëndetësore të kompanive (BKK) regjistroi mesatarisht 13.2 ditë kalendarike në të cilat anëtarët e sigurimit të punësuar paraqitën një raport mjekësor, por në vitin 2022 vetëm 22.6 ditë”, shkruan Pimpertz. Prandaj, instituti mbështet kufizimin e mëtejshëm të opsioneve për marrjen e pushimit mjekësor pa kontakt të drejtpërdrejtë personal me një mjek.

Ministri i Financave Lindner për heqjen e raportit mjekësor përmes telefonit

Drejtuesi i FDP-së, Christian Lindner kërkon të heqë pushimin mjekësor përmes telefonit. "Në të ardhmen, do t'iu duhet të shkoni përsëri te mjeku për të raportuar sëmundjen dhe nuk do të jeni në gjendje ta bëni atë vetëm përmes telefonit,” tha Ministri Federal i Financave në një event këtë javë në Berlin. Ai theksoi, se nuk do të akuzojë askënd për keqshfrytëzimin e rregullores aktuale. Por sipas tij, fatkeqësisht, ekziston "një korrelacion midis nivelit vjetor të sëmundjeve në Gjermani dhe futjes së masës, e cila synohej fillimisht si reduktim i mirë i burokracisë".

Portret i një të reje duke u kollitur
Fotografi: Khosrow Rajab Kordi/Zoonar/picture alliance

Mundësia e marrjes së raportit mjekësor përmes telefonit u vendos gjatë pandemisë së Coronës. Në dhjetor 2023, Komisioni Federal i Mjekëve, kompanive të sigurimeve shëndetësore dhe klinikave vendosi pas kësaj një rregullore të përhershme. Pacientët mund të kërkojnë raportin mjekësor me telefon nëse mjeku i njeh dhe nuk kanë ndonjë simptomë serioze të sëmundjes. Si pjesë e nismës së rritjes ekonomike, qeveria federale ka rënë dakord të rishikojë masën për shkak të rritjes së nivelit të raporteve mjekësore të punonjësve.