Prigoshin njofton misione në Afrikë
22 Gusht 2023"Temperatura është 50 gradë - ashtu siç duam të jetë," thotë Jevgeni Prigoshin në një video që e tregon atë të kamufluar, me pushkë në dorë.
Klipi prej 40 sekondash është regjistruar në një vend afrikan, njoftoi kanali Telegram "Grey Zone".
Ai është i afërt me grupin mercenar Wagner. Nuk u dha asnjë informacion më specifik. Vendndodhja e regjistrimit nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Është hera e parë që ky 62-vjeçar flet që nga dështimi i rebelimit të shkurtër kundër Kremlinit në fund të qershorit. Prigoshini shprehet në video se trupa e tij Wagner po kryen punë zbulimi - dhe thekson: "Kjo e bën Rusinë edhe më të madhe në të gjitha kontinentet. Dhe Afrikën edhe më të lirë". Dhe për të shtuar se mercenarët e tij e shndërrojnë jetën e anëtarëve të IS dhe Al-Kaedës në një makth. Këta të fundit, të njohur për brutalitetin e tyre, janë aktivë në disa shtete afrikane.
Në video, Prigoshini promovon më tej rekrutët për trupën e tij dhe deklaron se Wagneri "do të përmbushë misionet që i janë dhënë".
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, në video shfaqet një numër telefoni për të interesuarit.
Së pari lufta në Ukrainë, pastaj një mini-revoltë
Mercenarët e Prigoshinit luftuan për shumë muaj së bashku me ushtrinë e rregullt ruse në luftën kundër Ukrainës që po vazhdon që nga shkurti 2022. Në fund të qershorit, i zhgënjyer nga një komandë ushtarake ruse që ai e konsideronte shumë të paefektshme, Prigoshin mobilizoi njerëzit e tij për një marshim drejt Moskës, të cilin megjithatë e ndaloi disa orë më vonë pas negociatave.
Kremlini i ka premtuar Prigoshinit mosndëshkimin me kusht që ai të emigrojë në Bjellorusinë fqinje. Menjëherë pas kësaj, ai u rishfaq në Rusi, në kuadër të samitit afrikan në Shën Petersburg në fund të korrikut. Ai u shfaq atje me një përfaqësues të Republikës së Afrikës Qendrore.
Kohët e fundit ka pasur gjithashtu shqetësime se vendi i Afrikës Perëndimore Nigeri mund të jetë duke u afruar më shumë me Rusinë pas grushtit të shtetit të fundit ushtarak. Prigoshini e kishte përshëndetur përmbysjen në Niger.
aud/mak (dpa, rtr)