SHBA: Të mundshme sulme ushtarake ndaj Koresë së Veriut
18 Mars 2017Kryediplomati amerikan përdori kërcënime të forta ndaj regjimit komunist të Koresë së Veriut duke shënuar një ndryshim rrënjësor në politikën ndaj këtij vendi. Politika e deritanishme e "durimit strategjik" ndaj Phenianit ka arritur fundin, tha ministri i Jashtëm amerikan, Rex Tillerson pas një vizite në zonën e demilitarizuar ndërmjet Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut.
Pas një takimi me homologun e tij koreano-jugor Yun Byung-se Tillerson shtoi, të gjitha opsionet janë në tryezë - pra edhe masat ushtarake. Para qëndrimit në Korenë e Jugut Tillerson ishte në Japoni ku i kishte deklaruar si të dështuara përpjekjet amerikane të 20 viteve të fundit për denuklearizimin e Koresë së Veriut.
Një gamë masash të reja
Natyrisht që një konflikt ushtarak duhet të shmanget, tha Tillerson para gazetarëve në Seul, "por në qoftë se ata e zgjerojnë programin e tyre bërthamor në një mënyrë të tillë që kërkon sipas mendimit tonë reagime, atëherë ky opsion është në tryezë". Megjithatë Shtetet e Bashkuara do të provojnë masa të reja në nivelin diplomatik, politik dhe ekonomik.
Pas testeve të fundit me katër raketa balistike që Koreja e Veriut i bëri megjithë ndalimin, Shtetet e Bashkuara kanë filluar të sjellin komponentët e para të një sistemi të ri të mbrojtjes nga raketat në Korenë e Jugut.