Hap siparin 'Berlinalja e 63-të', Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin
7 Shkurt 2013Shkurti i ftohtë dhe me lagështirë nuk është patjetër muaji më i bukur në Berlin. Por për kineastët ai është pa dyshim më i rëndësishmi. Sepse tradicionalisht në kryeqytetin gjerman zhvillohet takimi vjetor i autorëve të kinematografisë botërore. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin është edhe pikëtakimi i përfaqësuesve të industrisë kinematografike, sepse Berlinalja është e njohur si festivali më i madh i filmit në mbarë botën. Sipari i edicionit të 63-të festivalit hapet më shtatë shkurt.
Gjatë ditëve të garës në Berlin do të ketë si produksione të studiove më të mëdha filmike, ashtu edhe nga producentë të pavarur të filmit, thotë drejtori i këtij Festivali, Dieter Kosslick. Ai nënvizon se shumë filma kanë në fokus sfidat shoqërore dhe politike."Tani në filmat aktualë ne shohim se si influencojnë dëmet e katastrofës financiare tek shoqëritë e ndryshme dhe tek çdo individ."
Shembuj për këtë temë gjejmë në shumë filma të këtij festivali, në programin e të cilit janë gjithsej 404 filma. Në këtë garë të madhe për Ariun e Artë dhe të Argjendtë konkurrojnë 19 prodiksione, por në festival nuk mungojnë as produksionet që sjellin në këtë eveniment përkohësisht edhe imazhe të dhimbshme. Kështu fituesi i çmimit Oskar, boshnjaku Danis Taniviç vjen me filmin e tij “An Episode in the Life of an Iron Picker", që ka në fokus jetën e mjerueshme të një familjeje rome. Boris Khlebnikovi rus i sjell publikut imazhe nga veriu i vendit të tij në Gadishullin Kola duke vënë në skenën e filmin e tij “Synopsis” tragjedinë e një njeriu të ndershëm, që nuk dëshiron të përfshihet në llumin e korrupsionit.
Sipas drejtorit të Berlinales, Dieter Kosslick kinemaja amerikane dhe franceze konkurojnë respektivisht me nga tre filma, ku spikasin emrat e mëdhënj si: Matt Damon, Jude Law, Steven Soderbergh, Juliette Binoche, Catherine Deneuve, Isabelle Huppert. Me interesim do të pritet edhe kontributi iranian "Pardé" i Jafar Panahi-t dhe Kamboziya Partovi – një film për dy të burgosur në një shtëpi, që janë dënuar për „Propogandë kundër sistemit“.
Gjermania vetë në konkurrimin e sivjetshëm merr pjesë me vetëm një film. Ky është filmi „Gold“ i Thomas Arslans, ku në rolin kryesor interpreton aktorja e njohur Nina Hoss. Për ndarjen e trofeve është ngritur një juri me personalitete ndërkombëtarë nën drejtimin e prodhuesit kinez të filmave, Wong Kar Wai. Në këtë edicion çmimi i nderit 'Ariu i Artë' për kontributin jetësor kinematografik do t'i jepet regjisorit francez Claude Lanzmann.