Serbia paraqiti kandidaturën për fillimin e negociatave me BE
22 Dhjetor 2009Kryeministri i Suedisë, Frederik Reinfeldt pohon se "Serbia ka bërë një hap historik, me vendimin që të paraqesë kërkesën për kandidaturën e këtij vendi për anëtarësim në BE". Reinfeldt theksoi se me dëshirë e pret në Stokholm Presidentin serb Boris Tadiç.
Eksperti i Fondacionit për Shkencë dhe Politikë në Berlin, Dushan Reliç është i mendimit se kërkesa e Serbisë për kandidaturë bëhet në marrëveshje me kryesuesen e tanishme të Presidencës së BE-së, Suedinë dhe pasardhësen e saj Spanjën. Reliç beson se asnjë prej vendeve anëtare të BE-së nuk do të kundërshtojë këtë kërkesë, por...
"... ekziston një problem tjetër, të cilin e ka theksuar para ca ditësh edhe Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor: pas pranimit të Kroacisë dhe Islandës, do të pasojë një periudhë kur BE-ja duhet të merret me institucionet e brendshme dhe forcimin e tyre. Vetëm pas këtij forcimi mund të vazhdojë procesi i zgjerimit të BE-së, që nuk do të thotë se kandidatura e Serbisë apo ndonjë vendi tjetër do të refuzohet."
Reliçi pohon se rregullat dhe ligjet e brendshme të BE-së tani janë më strikte se më parë. Mirëpo ai beson se nuk do të ketë kushte të tjera për anëtarësimin e Serbisë në BE.
"Mendoj se për Serbinë nuk mund të parashtrohen kushte të posaçme. Por problem është nëse Serbia do t'i përmbushë kushtet për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit. Procedura e ratifikimit në vendet anëtare të BE-së ende nuk ka filluar, sepse Holanda ka kundërshtuar fuqishëm filliimin e këtij procesi, para arrestimit të ish-komandantit të ushtrisë serbe në Bosnje-Hercegovinë, Ratko Mladiç."
Dushan Reliçi është i mendimit se në procesin e kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në BE, një rol të veçantë do të luajë edhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Dretjësisë në Hagë, për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
"Pavarësisht se cili do të jetë ky vendim, ai do të hapë debate të reja mes vendeve, që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe atyre që nuk e kanë njohur. Për 22 vende të BE, Kosova nuk është pjesë e Serbisë, ndërsa për pesë vende po. Këtu paraqiten shenjat e para të një problemi juridik dhe politik, i cili kërkon zgjidhje të reja nga të dyja palët."
Kosova deri tani nuk është paraqitur zyrtarisht si kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE. Mirëpo një prej kushteve është normalizimi i plotë raporteve me vendet fqinje, që kohët e fundit ishte një prej problemeve më serioze në raportet mes Kroacisë dhe Sllovenisë.
Sidoqoftë, kërkesa e Serbisë prej Stokholmit do të dërgohet në Komisionin Evropian. Procedura parashikon që Komisioni Evropian fillimisht zhvillon konsultime lidhur me këtë kërkesë, pastaj vendit që kërkon kandidaturën i dërgon një katalog me pyetje dhe vetëm pas marrjes së përgjigjeve mund të pritet vlerësimi për pranimin apo jo të kandidaturës.
Autor: Natalija Miletiç / Bahri Cani
Redaktoi: Auron Dodi