Senati hap rrugën për paketën e klimës
9 Gusht 2022Paketa, e cila siguron rreth 370 miliardë dollarë (rreth 363 miliardë euro) për sigurinë e energjisë dhe mbrojtjen e klimës, si dhe 64 miliardë dollarë për kujdesin shëndetësor, u miratua me votat e demokratëve të dielën.
"Ndryshime të mëdha"
Miratimi është një sukses i rëndësishëm për presidentin Joe Biden, i cili ende nuk ka qenë në gjendje të realizojë reformat e mëdha të premtuara kur mori detyrën rreth 18 muaj më parë. Votimi i paketës së reformave, për të cilën Biden thotë se do të sjellë "ndryshime rrënjësore për familjet e punëtorëve", u bë i mundur sepse demokratët arritën çuditërisht një marrëveshje të brendshme partiake në fund të korrikut.
Senatori i krahut konservator Joe Manchin ka hequr dorë nga kundërshtimi i tij ndaj një versioni dukshëm të ndryshuar të paketës së reformave, nga ajo që ishte propozuar vitin e kaluar. Senatorja demokrate Kyrsten Sinema, e cila së bashku me Manchin e bllokoi paketën vitin e kaluar, bëri të ditur se do ta mbështesë ligjin e ri pak ditë më parë.
Shumica e vogël
Mbështetja e tyre ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi demokratët nuk do të mund ta votonin ligjin, po të kishte vetëm edhe një kundërshtar nga radhët e kësaj partie, duke pasur parasysh shumicën e vogël në Senat. "Rruga ka qenë e gjatë, e vështirë dhe me pengesa", tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer pak para votimit.
Pas miratimit nga Senati, projektligji do të kthehet në Dhomën e Përfaqësuesve javën e ardhshme, ku demokratët po ashtu kanë një shumicë të ngushtë. Pak muaj përpara zgjedhjeve për disa vende në Kongres në nëntor, miratimi i ligjit, qoftë edhe në versionin e tij të zbehtë, do të ishte një sukses i madh për presidentin dhe partinë e tij demokratike.
Republikanët janë kundër
Republikanët e kanë kritikuar ashpër paketën. "Ne do të bëjmë çfarë mundemi për të parandaluar që ky legj të kalojë", tha senatori republikan John Thune. Por opsionet e republikanëve janë të kufizuara për sa kohë që nuk ka kundërshtarë brenda demokratëve, pasi që ata kanë shumicën. Megjithatë, republikanët mund të paraqesin vazhdimisht amendamente dhe ta zgjasin procesin.
bc/haz/ack (afp, dpa, rtr)