1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Scholz: Marrëveshja duhet të zgjidhë çështjen e njohjes

10 Qershor 2022

Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha në Prishtinë se për dialogun Kosovë-Serbi duhet qëndrim konstruktiv dhe një marrëveshje përfundimtare, e cila do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

https://p.dw.com/p/4CWly
Kosovo | Olaf Scholz in  Pristina
Fotografi: Laura Hasani/REUTERS

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha në Prishtinë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës. Sipas tij, dialogu është rruga e vetme që i hap Kosovës perspektivën e mëtejme drejt Bashkimit Evropian dhe një qëndrim konstruktiv në këtë dialog është në interes të të gjithë qytetarëve në Kosovë. Scholz tha se një marrëveshje politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është një kusht i rëndësishëm për investime dhe për vende pune.

Dy vende që nuk njohin njëra-tjetrën nuk bëhen dot anëtare të BE

Kancelari gjerman i bëri deklaratat në një konferencë të përbashkët për medie në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në kuadër të vizitës së tij në rajon. "E qartë është që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Scholz. Kancelari gjerman duke ju referuar situatës në Ukrainë dhe vazhdimit të pushtimit rus, tha se "zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe Serbisë bëhet edhe më e rëndësishme”.

"Me rëndësi për Kosovën është që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, të çohet përpara dhe në kohëra si kjo, vlera e sigurisë dhe lirisë na bëhen më të qarta. Është një arsye edhe më shumë dhe më e rëndësishme që Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të gjejnë një zgjidhje politike, e cila kontribuon në stabilitetin rajonal", tha Olaf Scholz.

Scholz: Kosova partnere e besueshme

Kosovo Olaf Scholz zu Besuch bei Premierminster Albin Kurti
Fotografi: Visar Kryeziu/ASSOCIATED PRESS/picture alliance

Kancelari gjerman tha se me kryeministrin Kurti ka biseduar edhe për pozicionimin e qartë të Kosovës lidhur me pushtimin rus në Ukrainë. "Lufta e agresionit rus kërkon një qëndrim të qartë dhe një përgjigje të prerë ku kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës nëpërmjet mbështetjes së të gjitha masave dhe sanksioneve, ka treguar se Kosova, si partnere e besueshme, qëndron në anën tonë dhe në anën e bashkësisë evropiane dhe ndërkombëtare”, tha Scholz.

Kancelari Scholz në Kosovë

Kancelari gjerman tha se  Qeveria gjermane e ka vendosur si prioritet ndihmën për shtetet e Ballkanit Perëndimor që të përafrohen me Bashkimin Evropian dhe në këtë linjë ai tha se këtë vit do ta rijetësojë procesit e Berlinit me një takim në vjeshtë. "Dëshiroj që së bashku me partnerët tanë, në kuadër të Procesit të Berlinit ta rijetësojë atë këtë vit dhe në vjeshtë do të thërras një konferencë në Berlin. Rajoni duhet të përparojë referuar krijimit të një tregu të përbashkët rajonal dhe katër marrëveshjet e rëndësishme për lëvizjen e lirë, të njerëzve, për njohjen e diplomave profesionale duhet të lidhen shpejt”, tha Scholz.

Kosova do të aplikojë për statusin e kandidatit në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që refuzon të jetë pjesë e nismës "Open Ballkan”, tha se "procesi i Berlinit do të përshpejtojë reformat dhe do të sjellë gjashtë shtetet e Ballkanit më pranë bllokut evropian”. Kurti tha, se ai ka kërkuar mbështetjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz për integrim të Kosovës në Bashkimin Evropian, dhe njëkohësisht bëri të ditur se në fund të këtij viti, Kosova do të aplikojë për statusin e kandidatit për Bashkim Evropian.

Kosovo | Olaf Scholz in  Pristina
Fotografi: Laura Hasani/REUTERS

"Në përputhje me premtimet dhe perspektiven evropiane po punojmë për përmbushjen e reformave për anëtarësim në BE. Do të vazhdojmë edhe me aspiratën tonë për statusin e kandidatin për BE ku planifikojmë të aplikojmë në fund të këtij viti”, tha Kurti. Sipas tij, prania e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme dhe nuk bën të krijohen vakume të sigurisë. "Konsiderojmë që prania e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme. Dëshirojmë të bëhemi anëtarë në Partneritetin për Paqe. Kemi nevojë për NATO-n në Kosovë deri atëherë kur Kosova të anëtarësohet në NATO. Nuk bën të krijohet kurrfarë vakumi i paqes dhe sigurisë”, tha kryeministri Kurti.

Ndërkohë, për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Kancelari gjerman tha se qeveria e tij po angazhohet maksimalisht me partnerët që Kosovës t'i liberalizohen vizat. "Ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt, pasi kushtet janë plotësuar dhe për këtë po flasim me partnerët tanë që edhe ata të binden siç jemi bindur ne", tha Olaf Scholz.

Kosovo | Olaf Scholz in  Pristina
Fotografi: Laura Hasani/REUTERS

Vizita në Kosovë e një kancelari të Gjermanisë, ndodh pas 11 vjetësh, pas vizitës së fundit që kishte ish-kancelarja Angela Merkel. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte më 4 maj për vizitë zyrtare në Gjermani, me ftesë të kancelarit Olaf Scholz. Kancelari gjerman vizitoi Kosovën në kuadër të turit të tij në Ballkanik. Nga Kosova ai udhëtoi të premten për në Serbi ku takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.