1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Scholz dhe Macron letër Kurtit dhe Vuçiqit

5 Shtator 2022

Kancelari Olaf Scholz dhe presidenti Macron i kanë bënë thirrje presidentit serb Vuçiq dhe kryeministrit kosovar Kurti “për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira”.

https://p.dw.com/p/4GQ3c
Kombobild | Aleksandar Vucic und Albin Kurti

Për kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor. Liderët e dy shteteve më të fuqishme të Evropës kanë ngarkuar këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, për t'i ofruar "mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak”. Scholz dhe Macron dërguan të dielën dy letra në Beograd dhe Prishtinë, me përmbajtje të ngjashme, përkatësisht presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Deutschland Diplomatie l Lajcak, Kurti und Vucic in Berin
Takim në Berlin i të ngarkuarit të BE, Miroslav Lajçak, kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, Fotografi: Pressestelle der Deutschen Bundesregierung

Kohë vendimtare për sigurinë në Europë

Kryeministri i Kosovës dhe presidenti serbi i publikuan letrat e kancelarit Scholz dhe presidentit Macron, ku këta të fundit, shkruanin se "po ua adresojmë këtë letër në një kohë vendimtare për sigurinë në kontinentin evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor”. "Ne jemi të bindur që në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës na duhet të bëjmë përpjekje edhe më të fuqishme që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet e kamotshme bilaterale dhe rajonale. Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie thelbësore”, thuhet  në letër. Duke ju drejtuar kryeministrit Kurti, por edhe presidentit Vuçiq dy liderët europianë theksojnë, "tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik”.  

Frankreich Treffen Emmanuel Macron und Aleksandar Vučić
Vuçiq dhe Macron, shkurt 2021, Pallati ElyseeFotografi: Julien Mattia/AA/picture alliance

"Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t'iu bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që çojnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”. Në lidhje me dërgimin  e dy këshilltarëve të tyre për siguri dhe politikën e jashtme, Scholz dhe Macron janë shprehur, se "propozimi ynë është, që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajčak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opcionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt. Shpresojmë shumë që kjo iniciativë do të ketë interesin dhe përkrahjen tuaj”, thuhet në letrën e Scholz dhe Macron drejtuar presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kosovo Olaf Scholz zu Besuch bei Premierminster Albin Kurti
Fotografi: Visar Kryeziu/ASSOCIATED PRESS/picture alliance

Brnabiq në Kosovë, Bislimi në Luginën e Preshevës

Kosova dhe Serbia pas tensioneve në veriun e Kosovës në fund të korrikut, me 27 gusht, u pajtuan që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve. Kjo marrëveshje filloi së zbatuari më 1 shtator pa incidente. Kjo duket që pati efekt të menjëhershëm në një qetësim gjakrash dhe relaksim marrëdhëniesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me vizita të ndërsjella ndërmjet zyrtarëve të lartë shtetërorë. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq të hënën qëndron në Kosovë, ku do të vizitojë disa komuna në veri të Kosovës të banuara më shumicë serbe dhe do të takojë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Në të njëjtën kohë, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, po të hënën vizitojnë Luginën e Preshevës në jug të Serbisë. Ata do të bisedojnë me përfaqësuesit shqiptar të luginës. Të dy vizitat, ajo e Brnabiq në Kosovë dhe Bislimit e Nagavcit në Luginë të Preshevës u mundësuan në bazë të marrëveshjes Kosovë-Serbi për liri të lëvizjes dhe vizita të zyrtarëve të lartë të dy vendeve, e  cila daton që nga viti 2011.

Serbien Belgrad | Olaf Scholz und Aleksandar Vucic
Fotografi: Darko Vojinovic/AP/picture alliance