1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i SEECP në Shkup - Iniciativa për bashkëpunim

14 Qershor 2024

Në Shkup zhvillon punimet dy ditore Samiti i krerëve të shteteve dhe të qeverive të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (SEECP) nën moton “Tejkalojmë ndarjet, ndërtojmë besim”.

https://p.dw.com/p/4h0zn
Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në takim me zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Greqisë, Aleksandra Papadopoulo
Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në takim me zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Greqisë, Aleksandra PapadopouloFotografi: Nordmazedonien MFA

Ndër zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup janë presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq, ai i Shqipërisë Bajram Begaj, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës Denis Beqiroviq. Shtetet e tjera përfaqësohen nga ministrat e Jashtëm dhe ambasadorët.

Në takimin e përfaqësuesve të Ministrive të Jashtëm është biseduar për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropën Juglindore dhe aspiratat për integrimin në strukturat euroatlantike.

Osmani: Anëtarsimi i vendeve të rajonit në BE prodhon siguri

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut (RMV), Bujar Osmani, theksoi, se SEECP ka për qëllim që të avancojë bashkëpunimin mes shteteve në fushën e sigurisë, ekonomisë, të drejtave të njeriut, por edhe të demokracisë.

Osmani tha, se pjesëmarrësit në Proces kanë arritur rezultate të rëndësishme në shumë fusha, por se duhet t'i dyfishojnë përpjekjet e tyre deri në qëllimin final: anëtarësimin në BE për të gjithë pjesëmarrësit e SEECP-së.

"Zgjerimi i BE-së është një nga projektet më të suksesshme të paqes në kontinentin evropian, i cili sjell vlerë të pazëvendësueshme në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme dhe arritjen e progresit dhe prosperitetit ekonomik”, ka theksuar Osmani, duke përsëritur se më shumë integrim para anëtarësimit paraqet zgjidhje adekuate për sfidat shumëvjeçare me të cilat ballafaqohen vendet e rajonit.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria avancojnë bashkarisht

Në vigjile të Samitit, kryetari i Kuvendit të RMV-së Afrim Gashi ka pasur takim me presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj. Bashkëbiseduesit iu referuan në mënyrë të veçantë bashkëpunimit midis të dy vendeve, duke u pajtuar se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kultivojnë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore dhe miqësi të sinqertë, ndonëse, siç theksuan, ka gjithmonë hapësirë për komunikim më intensiv, si në planin bilateral, ashtu edhe në planin rajonal, si dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

"Të dy vendet tona gjithmonë kanë pasur qëllime të përbashkëta drejt të cilave shkojmë së bashku", është shrehur Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi.

Presidenti i Shqipërisë theksoi, se reformat e ndërmarra nga të dyja vendet në lidhje me integrimin europian nuk janë vetëm për realizimin e kritereve të BE-së, por mbi të gjitha për zhvillimin e vendeve dhe për arritjen e përfitimeve për qytetarët.

"Si bartës të funksioneve publike, duhet të jemi të fokusuar në të tashmen dhe në krijimin e një të ardhmeje më të mirë, me qëllim që t'u lemë brezave të rinj një rajon të zhvilluar dhe të begatë", ka deklaruar presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është takuar me presidenten e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska-Davkova. Raportet bilaterale Kosovë-Maqedoni e Veriut kanë qenë temë kryesore e bashkëbisedimit.

"Edhe një herë, presidentes ia urova marrjen e detyrës, gjersa diskutuam edhe për raportet bilaterale Kosovë-Maqedoni e Veriut si dhe për thellimin e bashkëpunimit në dobi të qytetarëve të të dy shteteve tona”, ka thënë Vjosa Osmani.

Shkupi dhe Athina tërësisht të respektojnë Marrëveshjen e Prespës

Pas mosmarveshjeve të reja midis Shkupit dhe Athinës për përdorimin e emrit të shtetit në margjinat e Takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani është takuar me zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Greqisë, Aleksandra Papadopoulo.Tema e bisedës ishte perspektiva europiane e Maqedonisë së Veriut dhe nevoja për mbështetje të mëtejshme nga Greqia.

"Maqedonia e Veriut dhe Greqia si partnere dhe aleate duhet të luajnë rol kyç në sigurimin e stabilitetit rajonal. SEECP si iniciativë është platformë e mirë për dialog edhe për zgjidhjen e çështjeve të hapura”, ka theksuar Osmani. Bashkëbiseduesit janë shprehur të kënaqur nga dinamika me të cilën janë zhvilluar marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje, veçanërisht në shtatë vitet e fundit pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, duke theksuar nevojën e respektimit dhe zbatimit të plotë të saj nga të dyja palët.

Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore SEECP është një iniciativë për bashkëpunim rajonal, që është lansuar më 1996. Ajo synon të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis shteteve të Evropës Juglindore dhe ta transformojë këtë rajon në një fushë të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit, me synimin kryesor të integrimit të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Vendet anëtare të SEECP janë Kosova, Shqipëria, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Moldavia, Rumania, Bosnje e Hercegovina, Serbia.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut