1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i OAS-së - "Vende pune kundër varfërisë dhe për demokracinë"

Daniel Sheshkevic4 Nëntor 2005

Në Mar del Plata të Argjentinës zhvillon punimet samiti i "Organizatës së shteteve amerikane" (OAS). 34 kryetarë shtetesh dhe qeverishë konsultohen mbi planet për krijimin e një zone të tregtisë së lirë midis Amerikës së Veriut dhe asaj të Jugut

https://p.dw.com/p/ArNV
Demosntratë kundër samitit në Mar del Plata
Demosntratë kundër samitit në Mar del PlataFotografi: AP

Presidenti Bush- i padëshiruar

Xhorxh Bushi u prit në Argjentinë me protesta, ndër protestuesit edhe ylli i futbollit, Diego Maradona. Por Bushi është i padëshiruar edhe në radhët e kryetarëve të shteteve. Në bazë të anketimeve në Amerikën Latine, Xhorxh Bushi është presidenti i SHBA më i padëshiruar i të gjitha kohërave. Jo vetëm yje të tillë futbolli si argjentinasi Diego Maradona, por edhe kryetarë shtetesh si ai i Venezuelës, Hugo Shavez, e akuzojnë Shtëpinë e Bardhë, se po ndjek një politikë që është në kundërshtim me nevojat e njerëzve në rajon. Krejt ndryshe e vlerësojnë situatën përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë. Këshilltari i Bushit për sigurinë, Stefen Hadlei: "Ky samit nuk ka të bëjë me Hugo Shavezin, me politikën e të cilit ne kemi prej kohësh vështirësi. Qëllimi i këtij takimi është që udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike të këtyre shteteve të ulen së bashku dhe të ripërtërijnë vizionin e tyre për kontinetin. Ai duhet të bazohet tek demokracia, ekonomia e lirë e tregut dhe tek rritja e nivelit të jetesës për njerëzit në rajon."

Por rruga drejt këtij vizioni është plot pengesa, sepse midis krerëve të shteteve ka përfytyrime të ndryshme. SHBA duan krijimin e një zone të përbashkët të tregtisë së lirë midis dy kontineve Amerikës së Veriut dhe asaj të Jugut. Kjo zonë duhet të krijohet në analogji me të ashtuquajturën NAFTA, marrëveshja amerikano-veriore e tregtisë së lirë e vitit 1994 mes Kanadasë, SHBA dhe Meksikës. Një marrëveshje e ngjashme e emërtuar CAFTA është nënshkruar vitin e kaluar edhe midis shteteve të Amerikës Qendrore.

Kundërshtari i Bushit në këtë samit është presidenti i Venezuelës, Hugo Shavez. Ky preferon më mirë që plani në fjalë të injorohet publikisht. Argumenti i Shavezit është: Tregtia e lirë në të vërtetë u shërben vetëm interesave të kapitalit të madh amerikan dhe çon në shfrytëzimin e shtresave të gjera të popullsisë në Amerikën Latine. 100 milionë amerikano-latinë konsiderohen zyrtarisht si të varfër, ndaj Shavez dëshiron të jetë avokati i tyre. Por ndërkohë që SHBA dhe Venezuela grinden ashpër, pasi bëhet fjalë edhe për inetresat mbi naftën, shtetet të tjera si Argjentina dhe Brazili, ku vitet e fundit ka pasur bum ekonomik, janë duke bërë biznese të mira me "Wall Street-in" dhe me Uashingtonin. Fridrich Velsh, politolog pranë universitetit "Simon Bolivar" në Karakas: "Argjentina e ka rritur kuotën e eksporteve të saj në SHBA. E njëjta gjë vlen edhe për Brazilin."

Koncepte të kundërta për zhvillimin

Argjentina në vitin 2001 dhe 2002 përjetoi një nga krizat më të rënda ekonomike dhe politike. Ndërkaq ky vend ka një nga ekonomitë me ritmet më të shpejta të zhvillimit në kontinetin e Amerikës së Jugut. Eksportet e Brazilit në SHBA janë njëzet herë më të larta se në Venezuelë, edhe pse presidenti i Brazilit, Lula da Silva, nga pikëpamja ideologjike i qëndron më pranë venezuelasit Shavez, se sa presidentit Bush.

Pas kuintave të samitit dyditor diplomatët janë duke hartuar me intensitet tekstin e deklaratës përfundimtare, ndërkohë që ambjentet e konferencës mbikëqyren nga 7.000 nëpunës të sigurimit. Një kundër-samit i organizuar nga kundërshtarët e globalizimit i ka vënë qëllim vetes të dënojë shkeljet e së drejtës ndërkombëtare nga qeveria e Bushit. Lidhur me këtë këshilltari i Bushit për sigurinë, Stefen Hadlei: "E rëndësishme është që samiti të jetë në dobi të tregut të lirë, tregtisë së lirë dhe investimeve të lira në mënyrë që të nxitet mirëqenia. Ky duhet të jetë qëllimi kryesor i të gjithë pjesëmarrësve."

Motoja e takimit në qytezën turistike argjentinase Mar del Plata është: "Përmes hapjes së vendeve të punës të luftohet varfëria dhe të forcohen format demokratike të qeverisjes". Qysh përpara fillimit të samitit SHBA deklaruan, se ndërkohë nuk ka shanse për t´i hapur rrugën krijimit të zonës së tregtisë së lirë në kontinetin amerikan. Por Uashingtonit për shumë arësye i duhet që ky samit të jetë i sukseshëm. Për herë të parë qysh nga viti 1959 pritet një bilanc negativ i produkteve agrare të SHBA.