1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

031110 G20 Vorschau

9 Nëntor 2010

G20 bilanc i përpjekjeve për rendin e ri financiar botëror. Në rend të ditës do të jetë edhe disekuilibri në tregtinë botërore dhe konfliktet monetare

https://p.dw.com/p/Q1zv
Logo e samitit të G20-së në SeulFotografi: Orgranisationskomitee G20 Seoul Summit

G20 është një forum i fuqishëm, përfaqëson dy të tretat e popullsisë së botës, 90 përqind të fuqisë ekonomike globale dhe katër të pestat e tregtisë botërore. G20 është një bashkësi e krijuar në kohë krize, sepse u themelua në vitin 1999, në nivelin e ministrave të Financave, si reagim ndaj krizave ekonomike, në atë kohë në Azi, Brazil dhe Rusi. Në vjeshtën e 2008 ndodhi kolapsi i bankës Lehman, që shkaktoi krizë financiare botërore. G20 u bë zjarrfikës i krizave. Në Uashington para dy vjetëve u vendosën një sërë masash. Të gjithë ishin të një mendimi se një krizë e tillë nuk duhej të përsëritej. Egoizmat kombëtare u lanë menjanë për hir të shpëtimit të botës. Dy vjet më vonë duket sikur ky solidaritet është zhdukur, druhet Dominique Strauss-Kahn, shefi i FMN-së.

Solidariteti në zhdukje?

G20 Finanzministertreffen Südkorea
Shefi i FMN-së, Dominique Strauss-Kahn,Fotografi: AP

"Jam i mendimit se një nga karakteristikat kryesore të kësaj krize është të kuptuarit e rëndësisë për të bashkëpunuar. Kjo është një cilësi e re e bashkëpunimit ekonomik në rrafshin global, që nuk ka ekzistuar deri tani. Ky vullnet është ndjerë fort në Londër, Pittsburgh dhe Toronto. Por unë them edhe tjetrën, se ky moment në fakt nuk është zhdukur, por po bëhet më i dobët. Ky është një rrezik i vërtetë. Sepse secili duhet të kuptojë se nuk ka zgjidhje kombëtare në krizën globale. Në një botë globale askush nuk mbijeton i vetëm."

Këtë e dinë të gjithë pjesëmarrësit, por më në fund secili duhet të luftojë me problemet e tij kombëtare, kur është fjala për të aprovuar një reformë të tregut financiar në parlamente. Kancelarja Angela Merkel nuk është me të vertetë e kënaqur me arritjet:

"Qeveria gjermane ka pritur më shumë pjesëmarrje të sektorit financiar në shpenzimet e krizës."

Kontrolli i tregut financiar përmirësohet ndjeshëm

Bundeskanzlerin Angela Merkel IWF Dominique Strauss-Kahn
Nuk mund të flitet për unison brenda G20-sFotografi: picture-alliance/dpa

Kështu në Gjermani është futur taksa bankare. Por për një taksë ndërkombëtare të tregut financiar G20 nuk ka mundur të bjerë dakord. Megjithatë Evropa ka se çfarë të dëshmojë në samitin e Seulit. Produkte të rrezikshme financiare mund të ndalohen. Hedgefondet dhe agjencitë e ratingut do të kontrollohen. Megjithatë shefi i komisionit të BE, Jose Manuel Barroso, shpreh shqetësim:

"Samiti vjen në një moment kritik. Ai do të jetë një testim, nëse G20 mund ta bëjë koordinimin, për të cilin ka nevojë ekonomia botërore. Ne duhet të vazhdojmë të veprojmë të bashku dhe në mënyrë kooperuese. Kjo do të thotë të pranojmë, që disekuilibrat botërorë përbëjnë shqetësim për të gjithë dhe se të gjitha ekonomitë e mëdha duhet të japin kontribut për zgjidhjen."

Sepse megjithë premtimet për të mos lejuar protektionizmin nuk mund të flitet për unison brenda G20. Secili mendon në rradhë të parë, se si të forcojë ekonominë e vet. Disbalancat, që rezultojnë prej kësaj, përbëjnë terrenin për krizën e ardhshme. Në bilancet tregtare të vendeve – ky është një raport ndërmjet eksportit dhe importit – fshihet një sasi e madhe potenciali konflikti. Kështu kancelarja shtron pyetjen:

"Çfarë mund të bëjmë ne për një zhvillim të qëndrueshëm, të fortë dhe të balancuar?"

Shtrembërimi i kursit të këmbimit një ndër çeshtjet kryesore

Përgjigjen ajo do t'ia lërë vetëm forcave të tregut, sepse bilance të tilla do të jenë shprehje e aftësisë konkurruese të ekonomive. Direkt me këtë është e lidhur edhe çështja e kurseve të këmbimit, ka nga ata që flasin për "luftë botërore monetare". Fjala është për ndërhyrje artificiale, për zhvleftësimin e monedhës nga vende të veçanta. Më këtë mënyrë vendet, në rradhë të parë Kina dhe SHBA, duan të arrijnë përfitime tregtare. Të tjera si Korea e Jugut, Japonia dhe Brazili ndjekin rrugën e tyre: Një garë e rrezikshme ka nisur. G20 nuk ka për ta zgjidhur dot problemin në Seul, por kancelarja gjermane është të paktën e saktë në vlerësimin e saj.

IWF warnt vor Währungskrieg NO FLASH
Garë e rrezikshme e zhvleftësimit artificial të monedhësFotografi: picture alliance/dpa

"Jam e bindur se kurset e këmbimit duhet të pasqyrojnë të dhënat fundamentale të një ekonomie. Duhen evituar politikat, që synojnë shtrembërimin e kursit të këmbimit."

Franca, e cila merr kryesinë e G20-s nga Korea e Jugut, do ta bëjë kursin e këmbimit temën kryesore të presidencës së saj. Më e rëndësishmja për samitin e Seulit është në rradhë të parë një gjë: G20 duhet të dëshmojë, se vepron në unison, edhe pse ka qenë kriza ajo, që i ka ulur së bashku në një tryezë.

Autor: Henrik Bëhme/ Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti