1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia po shqyrton modelin e një Ukraine neutrale me ushtri

16 Mars 2022

Rusia dhe Ukraina duan të vazhdojnë negociatat përmes internetit për t'u dhënë fund luftimeve. Të dyja palët u shprehën optimiste të matura se së shpejti mund të arrihet një marrëveshje.

https://p.dw.com/p/48aAW
Türkei | Treffen Sergei Lawrow und Dmytro Kuleba in Antalya
Fotografi: REUTERS

Nesër, e enjte, bëhen tre javë që kur kreu i shtetit rus, Vladimir Putin urdhëroi sulmin ndaj Ukrainës. Qëllimi i tij i deklaruar, "çmilitarizimi" i Ukrainës, nuk është arritur gjatë kësaj kohe - dhe ai mund të mos e dëshirojë më.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha në mesditë se modeli i neutralitetit të Ukrainës me ushtrinë e saj po konsiderohet si një zgjidhje e mundshme e negociuar. Modele për këtë mund të ishin Austria apo Suedia. "Është një variant që po diskutohet aktualisht dhe që me të vërtetë mund të konsiderohet si kompromis”, tha Peskovi, cituar nga agjencia e lajmeve RIA.

Kryenegociatori i Rusisë thotë se ka një propozim ukrainas

Zëdhënësi i presidentit Putin reagoi me këtë ndaj deklaratave të kryenegociatorit rus Medinskij. Ai kishte deklaruar në televizionin kombëtar se Ukraina po ofronte një version austriak ose suedez të një shteti neutral, por në të njëjtën kohë një shtet me ushtrinë dhe marinën e vet.

Këshilltari i Zelenskit kundërshton përshkrimin rus

Dmytro Kuleba, ministri i Jashtëm i Ukrainës
Dmytro Kuleba, ministri i Jashtëm i UkrainësFotografi: Murad Sezer/REUTERS

Këshilltari presidencial i Presidentit Zelenski Podoljak e hodhi poshtë këtë përshtypje në shërbimin e mesazheve Telegram. Sipas tij, Moska e paraqet modelin e neutralitetit si propozim nga Kievi për të marrë iniciativën në negociata. Podoljaku theksoi se Ukraina ka nevojë për "një bllok të fortë mbështetjeje me garanci sigurie të përcaktuara qartë" në të ardhmen.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov sot në mëngjes u tregua gjithashtu optimist. Ai i tha gazetës ruse RBK se ekzistonte "njëfarë shprese" për të arritur një kompromis. Madje tashmë do të kishte formulime konkrete, të cilat sipas tij do të ishin "afër marrëveshjes”. Midis të tjerash bëhet fjalë që Ukraina të deklarohej neutrale. Kjo do të thotë se ajo nuk mund të aspirojë më anëtarësimin në NATO dhe ndoshta as anëtarësimin në BE.

Zelenski gjithashtu optimist i matur

Presidenti ukrainas Zelenski u shpreh gjithashtu optimist i matur gjatë natës. Në një video-mesazh, ai tha se pozicionet dukeshin "më realiste". Por ka ende punë për të bërë, shtoi ai.

aud (dlf, rtr)