1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia ka paguar qindra mijëra euro për një gazetar gjerman

17 Nëntor 2023

Gazetari dhe autori gjerman Hubert Seipel, i njohur për raportimet e tij nga Rusia dhe intervistat me Putinin, ka marrë qindra mijëra euro nga një oligark rus i afërt me Putinin në emër të “kontratave të sponsorizimit”.

https://p.dw.com/p/4YsBY
Hubert Seipel dhe Vladimir Putin
Hubert Seipel dhe Vladimir PutinFotografi: Mikhail Klimentyev/Sputnik/Kreml/dpa/picture-alliance

Sipas raportimeve të mediave, gazetari gjerman dhe biografi i Putinit, Hubert Seipel dyshohet të ketë marrë qindra mijëra euro nga Rusia pa informuar shtëpitë mediatike për të cilat punonte, përfshirë këtu edhe transmetuesit publik NDR dhe ZDF, si dhe të përjavshmen Der Spiegel.

Duke cituar dokumente konfidenciale nga Qiproja, Spiegel dhe programi i dytë ZDF i Gjermanisë raportojnë se gazetari i mirënjohur gjerman, Hubert Seipel hyri në një "marrëveshje sponsorizimi" prej 600.000 eurosh në mars 2018 për të "shkruar një libër për politikën në Federatën Ruse".

Sponsori bujar është De Vere Worldwide Corporation, një kompani në det të hapur nga Ishujt e Virgjër Britanikë. Me sa duket i përket konsorciumit të oligarkut rus Alexei Mordashov, i cili ka qenë nën sanksionet e BE-së që nga sulmi rus në Ukrainë për shkak të afërsisë së tij me presidentin rus Vladimir Putin.

Në kontratën e sponsorizimit të vitit 2018, sipas Spiegel, thuhet se bëhet fjalë për një libër "për mjedisin politik në Federatën Ruse, i cili duhet të botohet në vitin 2019.” Ka të dhëna se kjo nuk është kontrata e parë e tillë sponsorizimi. Domethënë, shënimi i shkruar në kontratën e arritur nga gazetarët tregon për një kontratë të ngjashme për librin e parë të Seipel për Putinin, botuar në vitin 2015.

Seipel, gazetari të cilit i beson Putini

Ky gazetar gjerman ka ndikuar ndjeshëm në imazhin që gjermanët kanë për Vladimir Putinin prej vitesh – dhe e ka intervistuar disa herë ate. Ai shkroi biografinë e Putinit, e cila u botua në Gjermani, në vitin 2015 me titullin, "Putini, vështrim brenda pushtetit". Gjashtë vjet më vonë, pasoi libri "Fuqia e Putinit. Pse Evropa ka nevojë për Rusinë".

Të dy librat u botuan nga shtëpia botuese e njohur e Hamburgut "Hoffmann und Campe". Botuesi tani ka njoftuar se nuk dinte asgjë për pagesat nga Rusia dhe njoftoi një rishikim të të gjithë rastit. Po ashtu, në komunikatën për media thuhet se për shkak të mbulimit aktual mediatik, është vendosur "që libri të mos ofrohet më në shitje”.

Hubert Seipel
Hubert SeipelFotografi: picture alliance/Uwe Zucchi

Në faqen e Programit të Dytë të televizionit gjerman, me të cilin Seipel ka bashkëpunuar rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë, në tekstin për këtë rast shkruhet: "Miliona gjermanë e shohin presidentin rus me sytë e Seipel”.

NDR: portreti i Putinit, intervistë me Snowden

Për programin rajonal të shërbimit publik gjerman NDR, Seipel realizoi filmin dokumentar "Unë, Putini - një portret" (2012), në të cilin ai portretizohet si një burrë shteti që "kujdeset pa u lodhur për vendin e tij të madh". Dy vjet më vonë, ai foli drejtpërdrejt me Vladimir Putinin në Moskë dhe arriti të regjistrojë një intervistë me denoncuesin e famshëm amerikan, Edward Snowden, të cilit iu dha azil në Moskë. Për këtë intervistë, Seipel mori një çmim prestigjioz televiziv gjerman.

Seipel vetëm tani e ka informuar NDR-në se ka marrë para nga Alexei Mordashov përmes dy kontratave të sponsorizimit nga viti 2013 dhe 2018, por ka theksuar se objekti i kontratës kanë qenë dy libra. NDR, për të cilën gazetari gjerman ka punuar për herë të fundit në vitin 2019, beson se është një konflikt interesi dhe se ai është dashur t'i raportojë ato kontrata në kompaninë e prodhimit televiziv për të cilën prodhon emisione me të njëjtën temë. "Ekziston dyshimi se ne, pra edhe shikuesit tanë, jemi mashtruar qëllimisht. Ne do ta kontrollojmë këtë tani dhe po shqyrtojmë hapat ligjorë”, tha CEO i NDR, Joachim Knuth.

Pranim, por…

Ky është rasti i parë i zbuluar në të cilin një gazetar perëndimor me ndikim merr shuma të mëdha dhe mbi të gjitha sekrete parash nga elita ruse e mbledhur rreth Putinit. Në një intervistë televizive në vitin 2021, Seipel mohoi ekzistencën e mbështetjes financiare për punën e tij në Rusi.

Ai tani mohon ndikimin e atyre parave në punën e tij gazetareske, duke treguar një klauzolë të kontratës sipas së cilës ai "nuk ka asnjë detyrim” ndaj sponsorit në lidhje me vetë projektin, pra "përmbajtjen dhe përbërjen e librit”.

Tani për tani, është e sigurt se një nga gazetarët dhe autorët më të respektuar të televizionit gjerman, Hubert Seipel, ka tronditur rrënjësisht reputacionin e tij gazetaresk duke fshehur qindra mijëra eurot që mori nga qarqet e afërta me Putinin.

Sipas të përjavshmes Der Spiegel dhe Programit të Dytë të televizionit gjerman ZDF, "kontratat e sponsorizimit” janë zbuluar si pjesë e projektit të gazetarisë investigative ndërkombëtare "Cyprus Confidential”, i cili merret me afera të dyshimta në Qipro.

 

 

ARD/ZDF