Rusia ia shet thuajse të gjithë naftën Kinës dhe Indisë
28 Dhjetor 2023Pothuajse gjysma e eksporteve të naftës dhe gazit të këtij viti ka shkuar në Republikën Popullore. Këtë zëvendëskryeministri i Rusisë, Alexander Novak ia tha transmetuesit shtetëror rus, Rossiya-24 të mërkurën. Një pjesë tjetër, 40% i është shitur Indisë.
Novaku, portofoli i të cilit përfshin kontrollin e sektorit energjetik të vendit, tha se Moska kishte anashkaluar me sukses efektet e sanksioneve perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë, duke devijuar furnizimet kryesisht tek dy gjigantët aziatikë.
Embargoja nxiti divergimin
Ai pretendoi se ky proces kishte filluar që përpara fillimit të sulmit rus kundër Ukrainës në shkurt 2022 dhe sanksioneve që pasuan menjëherë pas kësaj. Por ai tha se kufizimet e SHBA dhe BE-së kishin shërbyer si katalizator për të.
"Përsa u përket kufizimeve dhe embargove për furnizimet në Evropë dhe SHBA që u futën... kjo vetëm sa përshpejtoi procesin e riorientimit të rrjedhave tona të energjisë," tha Novak.
Vetëm katër deri në pesë përqind të eksporteve të naftës ruse shkuan në Evropë. Me 88 miliardë euro, të ardhurat nga shitjet në Kinë dhe në Indi, ishin në një nivel të krahasueshëm me atë të vitit 2021. Për krahasim, eksportet ruse të naftës në Shtetet e Bashkuara të pasura me burime kanë qenë gjithmonë shumë të kufizuara në shtrirje.
India është tregu me rritjen më të shpejtë
Novaku deklaroi se pjesa e Kinës në eksportet ruse ishte rritur në rreth 45-50%.
Por zëvendëskryeministri tha gjithashtu se nga të dy tregjet, ishte India ku shitjet ruse po rriteshin më shpejt. "Përpara në thelb thuajse nuk kishte furnizime për Indinë, por në dy vjet pjesa totale e furnizimeve në Indi ka arritur në 40%,” tha Novaku.
India madje ka qenë në gjendje të blejë naftën ruse të papërnuar, ndonjëherë me zbritje, ta përpunojë dhe më pas ta shesë në Evropë. Kjo është e mundur pjesërisht sepse rafineritë shpesh përdorin naftë bruto nga burime të ndryshme. Kjo e bën të vështirë ose të pamundur përcaktimin se nga ka erdhur fillimisht produkti përfundimtar.
Zyrtari më i lartë i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i tha Reuters në fillim të këtij viti se BE ishte e vetëdijshme për problemin dhe po kërkonte mënyra për të ndaluar ose kufizuar praktikën. "Blerja e naftës ruse nga India është normale. Dhe nëse, falë kufizimeve tona në çmimin e naftës, India mund ta blejë këtë naftë shumë më lirë, atëherë sa më pak para të marrë Rusia, aq më mirë," tha Borrelli këtë mars. "Por nëse ata e përdorin këtë për të qenë një qendër rafinerie për naftën ruse dhe nënproduktet që na shiten... ne duhet të veprojmë."
Industria e naftës dhe gazit përbën rreth 27% të PBB së Rusisë, sipas Novakut, dhe rreth 57% të fitimeve të saj nga eksporti. Ai tha se Moska mbetet e hapur ndaj blerësve të tjerë. "Ka shumë njerëz që duan të blejnë naftë ruse. Ata janë shtete të Amerikës Latine, shtete afrikane dhe vende të tjera në rajonin Azi-Paqësor," tha ai.
Në pranverë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tha se eksportet ruse të naftës kishin arritur nivelin më të lartë në tre vjet, pavarësisht sanksioneve. Megjithatë, sipas ekspertëve, supozohet se përfitimet janë ulur ndjeshëm, pasi anashkalimi i sanksioneve po i kushton shumë para Rusisë.
aud (dlf, msh,AFP, Reuters)