Rusia forcon pozitën e saj në Kaukazin Jugor
27 Nëntor 2014
DW : Përse e kritikuan BE dhe NATO marrëveshjen e bashkëpunimit mes Rusisë dhe Abkazisë?
Kaufmann: Abkazia është një vend që nuk është i njohur ndërkombëtarisht dhe njihet akoma si pjesë e Gjeorgjisë. Natyrisht që BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të mbështesin një marrëveshje mes Rusisë me një vend të sapo ndarë nga Gjeorgjia. Nga ana tjetër Rusia i ka njohur si shtete të pavarura Abkazinë dhe Osetinë e Jugut dhe tani po vendos marrëdhënie diplomatike me to.
A ka ndonjë shpjegim për datën e nënshkrimit? Përse tani?
Kaufmann: Në çdo rast kjo gjë lidhet me krizën e Ukraniës dhe efektet ndërkombëtare të saj. Është e qartë se marrëveshja e Rusisë me Abkazinë bëhet me qëllim për forcimin e pozitës së saj në Kaukazin Jugor. Kjo është edhe një sinjal për Moldavinë. Pas disa ditësh në Moldavi do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe Rusia kërkon t'i thotë asaj që ajo ka tashmë kontrollin në rajon.
Ministri i Jashtëm gjeorgjian Maya Panjikidze e cilësoi marrëveshjen si një hap drejt aneksimit të Abkhazisë nga ana e Moskës. Dëshiron Rusia ta integrojë Abkazinë në pjesën e saj?
Kaufmann: Unë jam i bindur që Rusia do të aneksojë Abkazinë dhe Osetinë në rrugë jo formale.. Por në këtë mënyrë ajo do të marrë vetëm kritika ndërkombëatre ndaj dhe nuk do të kishte asnjë vlerë për të. Nga ana tjetër të dyja rajonet do të kenë një kontroll të plotë ekonomik dhe politik nga Rusia që veç kostove shtesë nuk do të kenë asnjë përfitrim. Por në Abkazi po ndodh edhe një rezistencë, pasi ka pasur shumë kritika mbi marrëveshjen e bashkëpunimit me Rusinë dhe afatit të shkurtër, në të cilën është bërë kjo marrëveshje. Pra, frika për aneksim është e pranishme.
Çfarë qëllimesh të tjera kanë Rusia dhe Abkazia me këtë kontratë?
Kaufmann: Zyrtarisht është një kontratë për krijimin e një aleance dhe partneriteti strategjik. Marrëveshja po zhvillohet në 3 fusha. Marrëveshja politiko-ushtarake është e qartë që bëhet për shtrirjen e kontrollit të Rusisë në Abkazi. Gjithashtu armëpushimi mes Gjeorgjisë dhe Abkazisë e bën Rusinë më të sigurt për të krijuar trupat e përbashkëta ushtarake me Abkazinë. Fusha tjetër është ajo ekonomike. Kjo përforcon sërish pozitën ruse pasi Abkazia është shumë e varur nga subvencionet ruse.
Ndërsa fusha e tretë është ajo e përfitimit shoqëror duke marrë përsipër pagesën e pensioneve për abkazët dhe për ta rritur këtë ndikim në rajonet e tjera të afërta. Në Abkazi po zotërojnë dy grupime shoqërore: Ata që e shohin marrëveshjen si një hap të rëndësishëm që Abkazia të ecë përpara me këmbet e veta dhe të fuqizohet si shtet dhe kritikët që e shohin këtë gjë të pamundur.
Pas një gjysëm viti pritet të krijohet trupa e përbashkët ushtarake ruso-abkaze? A mund të pritet një agresion nga ana e Tbilisit pas luftës së 2008-ës?
Kaufmann: Me siguri jo. Nga njëra anë janë përfaqësuesit e Misionit të Monitorimit të Bashkimit Europian që po vëzhgojnë pjesën perëndimore të Gjeorgjisë. Nga ana tjetër, vetë qeveria gjeorgjiane nuk është në gjendje të futet në një aventurë ushtarake.
Walter Kaufmann është ekspert i Evropës Lindore, drejtues i Departamentit të Evropës Lindore dhe Juglindore në fondacionin Heinrich-Böll, Berlin.