1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusi-Gjeorgji: Lojë me zjarrin

Kristina Nagel30 Prill 2008

Në konfliktin që po acarohet midis Rusisë dhe Gjeorgjisë për Republikën e Abkazisë, të dyja palët kanë ashpërsuar tonin. Bëhet fjalë për përgatitje për luftë.

https://p.dw.com/p/DrAR
Lavrov e kërcënoi dje në Bruksel Gjeorgjinë me masa ndëshkueseFotografi: picture-alliance/ dpa

Është një lojë me zjarrin. Gjeorgjia dhe Rusia janë futur në garë kush t'ia kalojë njëra-tjetrës me kritika e kërcënime. Në grindjen për pushtet dhe ndikim, të dyja palët me sa duket janë të gatshme të paguajnë çmimin e një konflikti të ri të armatosur në Republikën e Abkazisë, e cila kërkon të shkëputet nga Gjeorgjia. Abkazia i përket në plan juridik Gjeorgjisë, por de fakto ajo është e pavarur dhe ndodhet në mbrojtjen e Rusisë. Moska deklaroi pak kohë më parë se synon t'i intensifikojë marrëdhëniet me Abkazinë- megjithatë pa e njohur zyrtarisht rripin e tokës në Detin e Zi. E gjitha mund të shihet si një lloj aksioni ndëshkimor, sepse Gjeorgjia kërkon të hyjë në NATO.

Që atëherë, tensionet janë shtuar përditë. Madje bëhet fjalë hapur për veprime luftarake. Një përfaqësues i qeverisë abkaze deklaroi të martën: "Pala gjeorgjiane e ka forcuar praninë e saj në rajon. Numri i trupave është dyfishi i atyre që deklarohen. Bëhet fjalë për rreth 3 mijë persona të armatosur. Sot herët u pozicionuan tetë topa obis në grykën kodor. Kjo nuk flet as për paqe, as për synime paqësore. Këto janë përgatitje për luftë."

Lugina Kodori është pjesa e vetme e Abkazisë e kontrolluar nga Gjeorgjia dhe bën pjesë në zonën e çmilitarizuar të sigurisë midis palëve të konfliktit. Kjo luginë formon një rrugë kryesore sulmi ndaj rajonit malor të Abkazisë, përmes të cilit, trupat gjeorgjiane marshuan që në luftën e viteve 1992-1993 në republikën autonome. Zyrtarisht Abkazia- njësoj si Osetia Jugore- është pjesë e Gjeorgjisë. Por të dyja republikat janë shkëputur pas shpërbërjes së BS në luftëra civile nga Gjeorgjia.

Akuza të ndërsjella

Spannungen zwischen Georgien und Russland, MiG-29
Ministria e jashtme gjeorgjiane tregon raketën MIG-20, (20.04.2008) që sipas saj drejtohet kundër GjeorgjisëFotografi: picture-alliance/ dpa

Një zëdhënës i ministrisë ruse të punëve të jashtme deklaroi se është tepër e nevojshme që të forcohen me personel trupat e paqes të Bashkësisë së shteteve të pavarura, të vendosura në rajon. Këta ushtarë janë stacionuar që më 1994 në Abkazi, për të siguruar paqen: "Situata po acarohet, sepse Gjeorgjia po ndërmerr hapa destabilizuese: për shembull zhvendosja e trupave ushtarake dhe policore shtesë. Ose fluturime zbulimi mbi zonën e konfliktit, të cilat shkelin marrëveshjen e Moskës të vitit 1994 dhe rezolutat e KS të OKB-së. Kësaj i shtohet refuzimi nga ana e Gjeorgjisë i një marrëveshjeje me Abkazinë për mospërdorimin e dhunës, në gjetjen e një zgjidhjeje të konfliktit."

Gjeorgjia i hedh poshtë këto kritika. Se ajo planifikon të hyjë më trupa në rajon, nuk është veçse një dezinformim i qëllimshëm i Rusisë, për të shtuar tensionet. Tiflisi e akuzon Moskën se synon aneksimin në heshtje të këtij rajoni. Rusia ka shpallur se në rast sulmi do ta mbështesë ushtarakisht Abkazinë. Gjeorgjia nga ana e saj kërkoi ndihmën e NATO-s. Kjo megjithëse së jashtmi të gjithë duan vetëm një gjë: një zgjidhje paqësore të problemit të Abkazisë.