Ruiz Calavera: Jo minimit të reformës në drejtësi
29 Maj 2020Në një deklaratë Op-Eds, të botuar nga Delegacioni i BE në Tiranë, Genoveva Ruiz Calavera, bën thirrje për vazhdimin me vendosmëri të reformës në drejtësi dhe mos lejimin e minimit të saj nga sulme të ndryshme. Reagimi i saj vjen pas përsëritjes së përpjekjeve nga Presidenti Meta për të bërë ndryshime në formulën e reformës në drejtësi, duke e cilësuar atë një "reformë e dështuar”.
Reforma, interesat personale dhe të qytetarëve
Në reagimin e saj, Ruiz Calavera vë në dukje se "reforma në drejtësi u miratua nga Parlamenti shqiptar me një votë unanime të të gjitha forcave politike. "Ishte e qartë që në fillim se kjo ishte një reformë e vështirë, që do të ndikonte në interesat personale dhe për shkak të kompleksitetit të saj, do të kërkojë kohë para se të japë rezultate. Megjithatë, të gjithë e kuptuan se kjo reformë ishte shumë e nevojshme, dhe gjithashtu e dinin se ajo ishte themelore për të ardhmen e Shqipërisë” vë në dukje ajo.
Në reagimin e saj Genoveva Ruiz Calavera vlerëson "punën e palodhur në disa vite për ndërtimin e themeleve të forta për një gjyqësor të pavarur, të përgjegjshëm dhe vërtet të paanshëm në Shqipëri”. "Ekziston vetëm një mënyrë për të siguruar zbatimin e plotë të reformës në drejtësi në Shqipëri: ecja përpara, në të mirë të qytetarëve shqiptarë!”, thekson ajo.
Jo minimit të reformës nga sulme të ndryshme
Rezultatet më të prekshme, të deritanishme të reformës në drejtësi janë 90 gjykatës dhe prokurorë të dalë jashtë sistemit të drejtësisë përmes procesit të vettingut, kryesisht për korrupsion, ndërkohë që rreth 700 të tjerë do të kalojnë në vijim në sitën e vettingut pa lënë mënjanë edhe ngritjen e disa institucioneve të drejtësisë së re. "Në fazën e saj aktuale, vendimtare për përparimin e vendit në udhën e integrimit evropian, kjo reformë nuk duhet të minohet nga sulme të ndryshme. Kjo nuk është koha për ta shmangur reformën dhe arritjet e saj të shumta deri më tani, siç është ngritja e të gjitha institucioneve të reja gjyqësore, që funksionojnë mirë tashmë prej kohësh. Procesi i vettingut ka vazhduar gjithashtu të përparojë në mënyrë të qëndrueshme, edhe përkundër ndikimit të pandemisë COVID-19 në seancat shqyrtuese”, thekson Grenoveva Ruiz Calavera.
Në reagimin e saj ajo e konsideron arritje "emërimin së fundi të tre anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë, që ka mundësuar arritjen e kuorumit të nevojshëm për të rifilluar funksionet e saj kryesore, fillimin e funksionimit të organeve të reja të specializuara në fushën e antikorrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjedhjen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë këtë muaj edhe të 3 prokurorëve të tjerë të Zyrës së Prokurorisë Speciale, duke plotësuar 12 nga 15 pozicionet ekzistuese”. "Këto rezultate të rëndësishme duhet të pranohen, të ruhen dhe të zhvillohen”, thekson Genoveva Ruiz Calavera.
Reforma gjyqësore - faktor kyꞔ për negociatat
Roli vendimtar që do të luajë zbatimi i vazhdueshëm i reformës gjyqësore në kontekstin e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE është risjellë në vëmendjen e aktorëve politikë të Tiranës. "Të gjithë aktorët në Shqipëri duhet të vazhdojnë të garantojnë kushtet e nevojshme politike që reforma të shpaloset pa probleme. Nuk ka asnjë arsye për të vënë në pikëpyetje bazat e procesit të reformës, sado e vështirë të jetë dhe, po, në disa raste edhe sfiduese. Arritjet e qarta dhe konkrete në zbatimin e reformës në drejtësi duhet të vazhdojnë tani me më shumë vendosmëri dhe angazhim se kurrë”, bëri të enjten thirrje Genoveva Ruiz Calavera. Calavera rikonfirmon përkushtimin e BE-së për ta mbëshetur reformën në drejtësi, "që shqiptarët të përfitojnë prej reformës dhe të krenohen me arritjet e saj, ndërsa vendi përparon në rrugën e tij të integrimit evropian”.
Genoveva Ruiz Calaveras është drejtore për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian dhe Shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.