RS fitorja e vetme serbe e viteve 90-të
5 Tetor 2018Për të kuptuar raportet e strukturave serbe në Beograd me ato në Bosnjë-Hercegovinë, duhet të kuptohen edhe lidhjet e Serbisë me Republikën Serpska. Në promovimin e librit „Bosanski rat" (Lufta në Bosnje), në mars të vitit 2012, tani i ndjeri Dobrica Qosiq pati thënë: „Libri është mbrojtje e lirisë sime të shprehjes së mendimit, të drejtave kombëtare në Republikës Serpska, që ishte fitorja e vetme, ndonëse e shtrenjtë, e popullit serb në shekullin 20."
Amaneti i Qosiqit
Sa për shpjegim: Tek të drejtat e njeriut dhe ato kombëtare serbe në B-H përfshihen vetëm ato në Republikën Serpska. Qosiqi thoshte se projekti i Karaxhiqit dhe Millosheviqit ka qenë "i shtrenjtë" (nuk i di se për cilin çmim fliste Qosiqi, ndonëse jam i sigurt se nuk ka folur për numrin e joserbëve të vrarë dhe të dëbuar), dhe këtu me siguri e kishte fjalën për fitoren e vetme ushtarake dhe politike në pjesën e dytë të shekullit të kaluar.
Nëse e përkthejmë këtë në një gjuhë më të kuptueshme, do të thotë se nuk janë realizuar idetë që kufijtë serbë të shkojnë deri në Karlobat, por serbët e kanë fituar Republikën Serpska. Ajo është krahas Kosovës vendi i vetëm ku gërshetohen ndjenjat nacionale serbe, pavarësisht dallimeve ideologjike. Qosiqi e ka thënë hapur ate që e mendon shumica e serbëve.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka marrë në amanet këtë paradigmë të ish-udhëheqësve serbë dhe nga kjo ka krijuar formulën e vet: Ai e respekton B-H, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial të bazuar në Marrëveshjen e Dejtonit, por e do - Republikën Serpska. Kjo ambivalencë e Vuçiqit nuk është asgjë e re në skenën politike të Serbisë. Bërthama racionale e diskursit të tij paqësor i dedikohet fqinjëve, Evropës dhe botës. Njëkohësisht dërgon edhe sinjale dashurie ndaj serbëve në B-H.
Formulimi i Qosiqit për RS, si fitoren e vetme serbe të viteve 90-të, në Beograd kuptohet si një dashuri mes vutesve nga njëra dhe ana tjetër e Drinës dhe asgjë më shumë.
Raportet Vuçiq-Dodik
Jo shumë largë, para gjashtë vitesh, Milorad Dodik ka mbështetur në zgjedhje ish-presidentin Boris Tadiq, ndërsa krerët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit i quante „dështakë politikë". Vuçiqi katër vjet më parë ishte larguar nga partia e tij e mëparshme radikale. Dodikun e quante asokohe "kriminel dhe idiot".
Kohët ndryshojnë. "Krimineli i rëndë dhe idioti", ka qenë më pas disa herë në vizitë të Vuçiqi. Kohët e fundit janë shpeshtuar vizitat ku ai është pritur përzemërsisht.
Me 18 janar në Beograd ata kanë biseduar për "çështjet e rëndësisë nacionale". Me një shkurt, për projektet në infrastrukturë. Ndërsa me 15 shkurt Dodiku i ka dhënë mirënjohje Vuçiqit. Marsi është kaluar për shkak të vizitës së Vuçiqit në Bosnje-Hercegovinë dhe takimit me krerët e Presidencës së B-H dhe Kroacisë.
Në prill kanë vazhduar takimet, së pari në Beograd e pastaj në Trebinjë. Në qershor Dodiku ishte për vizitë në Beograd e dy javë më vonë edhe në Kralevë. Takime kishte edhe në korrik, gusht...
Fokusi i takimeve
Çdo takim është mbajtur para kamerave televizive. Mediat nën kontrollin qeveritar në Begorad dhe Banja Lukë transmetonin mesazhet e tyre. Politikanët tjerë të RS e kanë pasur të vështirë të depërtojnë deri tek Vuçiqi. Anëtari i deritanishëm i Presidencës, Mladen Ivaniq është nevrikosur kaq shumë me prezencën tepër të madhe të Dodikut në Beograd, sa që mori guximin t'i bëjë thirrje Vuçiqit që të mos përzihet në zgjedhjet e B-H. E Vuçiqi i tha se kjo nuk është e vërtetë, por kërcënoi se pas zgjedhjeve do të bëj publike "disa të dhëna shokuese". Vuçiqi këtu mendon në përzierjet e perëndimorëve në zgjedhje, por mbetet të shihet se cilat janë argumentet e tija.
Mbështetja mes vete
Beogradi dhe Banja Luka janë duke mbështetur njëra-tjetrën. Krerët e RS bllokojnë rrugën e B-H drejt NATO-s si dhe njohjen e Kosovës, që janë interesat strategjike të Beogradit. Dodiku nuk ka nevojë të sillet si Vuçiqi në balancimet e tija mes Brukselit dhe Moskës. Ai me parullat e tija populiste forcon retorikën rusofile. Ai e ka dëshmuar këtë edhe në takimet e tija me presidentin Putin.
Beogradi bllokon nga ana e tij çdo përpjekje për ndryshimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Gjendja e tanishme gjysmë-invalide e B-H konsiderohet si forma e vetme legjitime e këtij vendi. Vuçiqi kur thotë se e respekton sovranitetin dhe integritetin territorial, mendon tek respektimi i Marrëveshjes së Dejtonit.
Beogradi dhe RS i dërgojnë boshnjakëve të njëjtat mesazhe – në B-H ata për statusin e serbëve nuk mund të pranojnë asgjë ndryshe nga Marrëveshja e Dejtonit. Vuçiqi është shoqëruar me Dodikun kaq shumë gjatë këtij viti, sa që të gjithë e kanë të qartë se cilin serb e mbështetë në RS. Por mes Dodikut dhe opozitës serbe atje nuk ka dallime ideologjike, ndaj nuk ka ndonjë dallim tepër të madh se kush do të jetë në pushtet.