Rrugëdalje nga kolapsi në qarkullim
22 Shtator 2013Se si mund të organizohet sa më mirë të jetë e mundur lëvizja e njerëzve, për këtë ka shumë diskutime. E qartë është se që sot, shumë qytete ndodhen në një kolaps të qarkullimit. Njerëz që duhet të udhëtojnë për në punë ngecin në trafikun e bllokuar, meqenëse rrugët nuk janë të përshtatshme në orë të caktuara për intensitetin e madh të qarkullimit. Ai që duhet të udhëtojë me autobusë dhe tramvaje, duhet të llogarisë që rruga i zgjat më shumë, meqenëse ka raste kur mjetet e transportit publik nuk janë të koordinuara mirë me njëra-tjetrën. Dhe që rrugët t'i shkurtosh duke i hipur biçikletës, kjo nuk preferohet nga të gjithë: kush është ai që ka qejf të mbërrijë në zyrë në mëngjes i djersitur ose i lagur nga shiu.
Zhurmë, papastërti dhe gazra të efektit serë
Është pikërisht qarkullimi me automobilë që sjell probleme të mëdha në qytete. Krahas bllokimeve të vazhdueshme të qarkullimit, banorët e shtëpive pranë, bezdisen edhe nga zhurma dhe lëndët e dëmshme që dalin në ajër. Këtyre u shtohen gazrat e rrezikshëm për klimën të efektit serë.
Po ç'pamje mund të kishte zgjidhja? Një kufizim qarkullimi për automjete që nxjerrin në ajër veçanërisht shumë lëndë të dëmshme, këtë shumë qytete gjermane e zbatojnë vitet e fundit, me anë të të ashtuquajturave zona të ambjentit. Por kjo nuk e bëri ajrin më të pastër, sepse ato që u bllokuan ishin automjete të vjetra, dhe pak në numër. Konsumi i benzinës i automjeteve mbeti i pandryshuar.
Ndaj ekspertët në Gjermani e konsiderojnë më të rëndësishme që për njerëzit të bëhet më tërheqës përdorimi i mjeteve alternative të qarkullimit.
Pa para me autobuz dhe me tramvaj?
Ka vende në botë që janë në këtë drejtim një hap më përpara. Kryeqyteti i Estonisë, Tallin, i ofron qytetarëve që prej fillimit të vitit përdorimin krejtësisht falas të autobusëve dhe tramvajeve. Studimet e para tregojnë se qarkullimi i automjeteve në qytet për këtë shkak ka rënë 15%. Në Portland në SHBA një projekt i tillë ekzistonte që prej vitit 1975 - por vitin e kaluar projekti u desh të ndërpritej, sepse qyteti nuk i përmballonte dot më shpenzimet e larta.
Në Gjermani, transporti me mjete të qarkullimit publik vërtet që subvencionohet nga shteti, por çmimet e transportit vitet e fundit, sipas një studimi, megjithatë janë rritur më shumë se shpenzimet për të udhëtuar me veturë. Partia e Piratëve kërkon vënien në dispozicion falas të transportit publik. Por meqenëse shumica e qyteteve dhe komunave kanë borxhe të larta, shtrohet pyetja se kush do t'i përballonte shpenzimet.
Ekonomisti i transportit, Becker kërkon një mënyrë krejt të re të menduari, sepse ai thotë: "Ne duam gjithmonë që gjërat të bëhen më të shpejta dhe më të lira. Por ne harrojmë në nivelin e shoqërisë, se në këtë mënyrë transporti bëhet më tërheqës". Rrugë të gjera për qarkullim do të bëjnë që pazari të mos bëhet më në dyqanin e vogël në lagje, por që njerëzit të shkojnë me veturë në supermarketin e madh. "Pastaj dyqani i vogël do të jetë i detyruar të mbyllet dhe ne do të jemi të detyruar të shkojmë në supermarketin e madh, duke krijuar me këtë qarkullim të detyrueshëm."