Rrjedhja e trurit nga Gjermania në SHBA
24 Mars 2006Një ndër gjermanët që vendosi të qëndronte në SHBA është Markus Ries. Pas masterit në SHBA ai donte të kthehej në Gjermani. Mjeku kishte marrë mjaft oferta të mira në SHBA, por donte të kthehej në vendlindje. Për këtë bëri shumë kërkesa për vend pune në institucione të ndryshme gjermane, por asnjë prej tyre nuk dukej se kishte interes për studiuesin, edhe pse CV e tij ishte e shkëlqyeshme:
"Dikur mendova, pse t'i bie murit me kokë, në vend që të përdor thjesht dyert që i kam hapur. Vendosa të qëndroj këtu për shkak të kushteve më të mira të punës dhe të vendeve të punës. Këtu mundësitë për të gjetur një vend pune në një institut që merret me studime në fushën klinke janë 30 herë më të mëdha se sa në Gjermani".
34-vjeçari Ries vazhdon në SHBA rrugën e tij të sukseshme. Ai punon si pediatër në Institutin kombëtar amerikan të Mjeksisë në Uashington. Aty ai merret me trajtimin e pacientëve me sëmundje të sistemit metabolik dhe me zhvillim të vonshëm. Në punën e tij kërkimore ai merret me zhvillimin e metodave dhe të terapive të reja për kurimin e këtyre sëmundjeve. Puna si shkencëtar në SHBA i jep kënaqësi dhe Ries thotë, se i vihen në dispozicion edhe paratë e nevojshme për projekte të reja shkencore. Ai është i entuziazmuar prej klimës që mbizotëron në sektorin e kërkimeve:
"Amerikanët mundohen me intensitet dhe agresivitet për të tërhequr njerëz të aftë në institucionet e tyre shkencore dhe në universitete, dhe kjo nuk është një gjë negative. Kemi një situatë win-win, pra ku të dyja palët dalin të fituara. Ti si studiues prej kushteve të mira të punës, dhe institucioni i cili bëhet më prestigjoz prej botimeve të punonjësve të tij. Në Gjermani të duhet që si shkencëtar të luash gjithmonë rolin e lypsit, dhe prej teje kërkohet që të prezantohesh me përunjësi dhe të mos ankohesh."
Jo vetëm Ries ankohet prej mungesës së perspektivës në Gjermani. 560 shkencëtarë gjermanë që jetojnë në Amerikë kanë përpiluar një letër të hapur në të cilën kërkojnë, që puna në universitetet dhe institucionet kërkimore gjermane të bëhet më tërheqëse. Kjo letër iu dorëzua Ministres së Shkencës, Brigitte Schawan. Një ndër nënshkrueset e kësaj letre është edhe Sonja Dietrich. Ajo është fizikante dhe punon si asistente shkencore në Universitetin Georgetown në Washington.
"Në SHBA është më e lehtë që të përdorësh aparate moderne nëpër klinika. Në Evropë njerëzit janë shumë më të kujdesshëm dhe më të ngadalshëm kur vjen fjala për të përdorur teknologji të reja. Këtu i instalojnë aparatet dhe punonjësit fillojnë të shohin se ç'mund të bëjnë me ndihmën e këtij aparati."
Ndryshe nga studiuesit e tjerë që jetojnë në SHBA ajo pas studimeve mori një ofertë për punë nga Gjermania. Por oferta e Universitetit Georgetown ishte financiarisht më e mirë. Po ashtu 32-vjeçarja tregon se i pëlqen që të punojë së bashku me shkencëtarë me emër dhe rang ndërkombëtar.
Por në SHBA nuk shkojnë vetëm shkencëtarë dhe studiues nga Gjermania. Edhe rreth 10.000 studentë nga Gjermania që studiojnë atje janë të kënaqur me kushtet në universitetet amerikane. Florian Hauswiesner përfundoi vitin e kaluar masterin në drejtësi në SHBA:
"Në krahasim me Gjermaninë dhe Francën kurset këtu janë shumë të vogla. Profesorët jo vetëm që kanë kohë që të flasin me studentët pas leksioneve edhe për çështje jo juridike, por ata ndonjëherë i ftojnë ata edhe për kafe. Kontaktet me profesorët vazhdojnë edhe pasi dikush i përfundon studimet."
Edhe Hauswiesener ka gjetur një punë në SHBA. Si ai edhe të tjerët nuk besojnë se qeveria e koalicionit të madh do të sjellë ndonjë ndryshim çudibërës në Gjermani.
"Kushtet për kërkime këtu janë të tilla që ti mund ta parashikosh në mënyrë afatgjatë karrierën tënde. Pra të dish se ç'do të bësh në tre, pesë apo dhjetë vjetët e ardhshme. Në Gjermani kjo nuk është aspak e mundshme. Po të kishte vende pune për punonjës shkencorë, natyrisht që do të kthehesha. Po duhet të jenë vende të tilla pune që i ofrojnë dikujt edhe një perspektivë"- thotë Markus Ries.
Ai vetë po bën karrierë në SHBA. Në qershor do të fillojë punë si drejtor mjeksor i një firme bioteknologjike në Boston. Aty parashikon të qëndrojë pesë vjet. Ai jep kontributin e tij për zhvillimin teknologjik dhe shkencor, por për fat të keq jo në Gjermani.