1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rripi i Gazës në prag të shpërthimit të luftës civile

Bettina Marx15 Dhjetor 2006

Gjatë një udhëtimi dyjavor, kryeministri palestinez Ismail Hanija u përpoq të mblidhte donacione për zonat palestineze. Në pikën kufitare, Rafah mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës pati dje shkëmbim zjarri.

https://p.dw.com/p/Aqno
Ismail Hanija, kryeministri palestinez
Ismail Hanija, kryeministri palestinezFotografi: AP

Rripi i Gazës ndodhet në prag të luftës civile. Natën e shkuar kryeministri Ismail Hanija i shpëtoi për pak një atentati. Kur ai dhe kolona e tij po kalonin pikën kufitare të Rafahut, të armatosur hapën zjarr ndaj autokolonës. Një roje e Hanijës u vra, shoqërues të tjerë u plagosën, ndër ta edhe djali i Hanijas.

Kryeministri palestinez u shpreh mjaft i zemëruar për sulmin. Ai fajëson Fatahun rival pas këtij sulmi. Një zëdhënës i Hamasit u shpreh, se luftëtarë të armatosur të Fatahut kanë qëlluar autokolonën e Hanijas. Presidenti palestinez Mahmud Abaz shprehu keqardhjen e tij për incidentin. Ai siguroi se po i ndjek me shumë vëmendje ngjarjet.

Hanija qëndroi i bllokuar dje në pikën kufitare të Rafahut, pasi Izraeli mbylli pikëkalimin, me qëllim moslejimin e kalimit të 35 milionë dollarëve që Hanija kishte siguruar si ndihma për palestinezët. Këto ndihma Hanija i mblodhi gjatë një udhëtimi dyjavor në Lindjen e Mesme. Shumica e tyre erdhën në Irani.

Mbyllja e pikëkalimit, pikëkalimi i vetëm, ky që lidh zonat palestineze me botën e jashtme shkaktoi një shkëmbim të rëndë zjarri mes përfaqësuesve të Hamasit dhe gardës së presidentit Mahmud Abaz.

Vëzhguesit europianë, të cilët janë prezentë aty për të siguruar procedimin korrekt të lëvizjeve në kufi, u tërhoqën dhe nuk patën asnjë dëm. Vetëm kur Hanija u tregua i gatshëm të linte ndihmat në Egjipt, ai u lejua që të hynte në Gaza. Hanija e ndërpreu dje udhëtimin e tij jashtë shtetit, pas shtimit në mënyrë dranatike ditët e fundit të konflikteve në Rripin e Gazës.

Para disa ditësh, tre fëmijët e një oficeri të shërbimit sekret të presidentit Abaz u vranë gjatë rrugës për në shkollë. Vrasja gjakftohtë shkatoi zemërimin e përkrahësve të Fatahut. Në të njëjtën ditë u vra një gjykatës, i cili njohet si përkrahës i Hamasit.

Izraeli ndërkohë ka njoftuar se do të vazhdojë bojkotin financiar. Pala izraelite e ka bërë të qartë: Nuk do të lejojmë që Rripi i Gazës të jetë i lidhr me Iranin, siç u shpreh edhe Ismail Hanija në Teheran.