Rripi i Gazës - Luftime megjithë apelin për paqe
14 Qershor 2007Pas luftës civile në Rripin e Gazës presidenti palestinez, Mahmud Abas i Fatahut dhe kryeministri i Hamasit Ismail Hanija kanë bërë thirrje së bashku për dhënien fund të dhunës. Të mërkurën u vranë 20 vete në luftime. Edhe nga jashtë gjendja në Lindjen e Afërt ndiqet me shqetesim. Presidenti i palestinezëve Mahmud Abbas planifikon që gjatë ditës ta shperbejë të ashtuquajturën "qeveri të unitetit kombëtar", e përbërë nga Hamasi dhe Fatahu.
Këtë e njoftoi sot në mëngjez radioja izraelite. Udheheqës drejtues të Fatahut kanë akuzuar Abazin se nuk ka vepruar dhe ka dështuar. Abaz, kryetar i lëvizjes Fatah dhe që prej fillimit të ofensivës së Hamasit qëndron në selinë e tij në Jordanin perendimor ka humbur rastin për t´u dhënë direktiva të qarta njësive të mundura të Fatahut dhe t´i mbështesë ato.
Ndërsa njësitë e Fatahut humbnin gjithnjë e më të dukshëm, Abazi ka reaguar deri tani me apele për nderprerjen e dhunës: "Hapi i parë që duhet bërë është, që i gjithë ky konflikt duhet nderprerë, që kjo gjakderdhje duhet ndalur, që konfrontimi ushtarak t´i jepet fund. Unë theksoj, se nuk i bëj veçanërisht akuza askujt, asnjërës palë, por dënoj çdo palë, që drejton armët kunder vëllait të vet, pavarësisht përkatësisë partiake."
Mbrëmë presidenti i palestinezëve Mahmud Abbas ka telefonuar me kryeministrin e Hamasit Hanija. Njoftohet se të dy kanë rënë dakord, që luftimet të ndërpriten. Nuk kanë qenë bisedime për armëpushim, u tha më vonë nga ana e Hamasit. Sipas statusit juridik palestinez Abazi ka mandat për të shpërbërë qeverinë dhe për të emeruar një kryeminister të ri. Megjithatë ky pas një muaji duhet të aprovohet në parlament, ku shumicën e ka Hamasi. Kjo gjendje e komplikuar kushtetuese e kishte penguar deri tani Abazin, që ta shpërbënte qeverinë që para katër muajve, sepse ai duhej të llogariste, që partia radikale islamiste nuk do të shkëputej dot vullnetarisht nga pushteti i fituar në kutitë e votimit.
Para bashkëpunëtoreve të ngushtë Abazi sipas mediave duhet të ketë thënë, se Rripi i Gazës është i humbur për Fatahun. Udhëheqës të Fatahut në Rripin bregdetar duhet t´i jenë lutur Izraelit që t´i evakuojë në rrugë detare para ndërhyrjes së Hamasit. Ky njoftim i televizionit izraelit sot në mengjez përkon me vlerësimin se Hamasi dje ka mbyllur një ofensive kryesisht të suksesshme kundër njësive të Fatahut në rripin e Gazës.
Shumë luftëtarë të Fatahut janë dorëzuar dhe armët e tyre ia kanë dorëzuar njësive të Hamasit, njoftuan në mëngjez mediat izraelite duke iu referuar burimeve palestineze. Vetem në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës si dhe në Rafah në jug të Rripit të Gazës bëhet rezistencë e konsiderueshme. Rajonet e tjera të Rripit bregdetar ndodhen kështu nën kontrollin e milicëve radikalë islamiste.
Forcat izraelite të sigurisë folën ndërkohë për një "realitet të ri" në Rripin e Gazës, meqenëse Hamasi ka mundur Fatahun. Në rrethet qeveritare po shqyrtohet nëse është e mundur të mbahet komunikimi ndermjet qëndrave izraelite dhe Rripit të Gazës, meqenëse Izraeli nuk flet me Hamasin. Edhe mënyra e furnizimit me rrymë dhe benzinë e Rripit të Gazës duhet të mendohet sërish, thuhej sot në mëngjez në gazetën izraelite "Haaretz".