1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Media gjermane për rrahjet në Parlamentin e Kosovës

Bahri Cani*
15 Korrik 2023

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli për planet për të shpërshkallëzuar mosmarrëveshjen me Serbinë. Por së shpejti filluan incidentet, grushtat dhe rrahjet në Parlament, shkruajnë mediat gjermane.

https://p.dw.com/p/4TsnQ
Rrahja në Parlamentin e Kosovës
Rrahja në Parlamentin e KosovësFotografi: Ridvan Silvova/AP Photo/picture alliance

Ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti prezantonte masat e qeverisë për uljen e tensioneve në veri në Parlamentin e Kosovës, deputeti i opozitës, Mërgim Lushtaku, iu afrua foltores dhe lagu me ujë atë dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, i cili më parë u ngrit nga vendi i tij dhe grisi një fotografi të vendosur në foltore nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu. Në videot për ngjarjen, të cilat i kanë publikuar disa media gjermane dhe ndërkombëtare, shihet se pas lagies me ujë, zëvendëskryemnisitri Bislimi gjuajti me shishe në drejtim të Lushtakut. Nuk ishte tërësisht e qartë, nëse Lushtaku u godit në fytyrë, por shumë shpejt aty erdhën edhe deputetë e ministra të tjerë dhe plasën grushtat rreth foltores.

Kryeministri Kurti fillimisht qëndroi në këmbë në foltore, por gjatë përleshjes u shty mënjanë dhe, sipas raportimeve, përfundimisht u shoqërua nga forcat mbrojtëse nga salla plenare, pa u goditur nga askush. Gjendja u qetësua vetëm pas futjes së forcave të policisë dhe vendosjes së tyre mes palëve.

Mediat gjermane njoftuan edhe për deklaratën e kryeparlamentarit Glauko Konjufca, i cili e cilësoi incidentin si të "papranueshëm” dhe urdhëroi shtyrjen e seancës për dy orë. Kur më në fund seanca rifilloi pas më shumë se katër orësh, deputetët e opozitës penguan deputetët e partisë në pushtet që të flasin në foltore.

Opozita: Kurti po "eksperimenton”

Shtypi për rrahjet në Parlament
Shtypi për rrahjet në ParlamentFotografi: Hartmut Schmidt/imageBROKER/picture alliance

Ballafaqimi me Serbinë në Kosovë është një temë e komplikuar, shkruan "Spiegel" në portalin e tij në internet. Marrëdhëniet historikisht të vështira mes Prishtinës dhe Beogradit kohët e fundit janë acaruar edhe më shumë nga përleshjet e dhunshme në veri të Kosovës, që banohet kryesisht nga serbë. Gjendja është acaruar në veçanti pas dhunës ndaj policëve dhe ushtarëve të KFOR-it si dhe arrestimit të përkohshëm të tre policëve kosovarë nga Serbia.

Raporti i revistës rikujton se Kurti ka shpallur uljen e tensioneve dhe ka premtuar zvoglimin e numrit të pjesëtarëve të njësive speciale të policisë para objekteve zyrtare në veri të Kosovës. Sipas këtyre planeve, në katër komunat në veri do të mbahen edhe zgjedhje të reja komunale.

Njoftimi për reduktimin e pranisë policore në veri dhe publikimi i një audio-inçizimi sekret të shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me ish-shefin e grupit parlamentar të Listës Serpska Sllavko Simiq, shkaktoi zemërime të mëdha tek opozita.

"Opozita akuzon Kurtin se ka ‘eksperimentuar' me javë të tëra dhe në këtë mënyrë minon pozitën ndërkombëtare të Kosovës”, shkruan "Spiegel", por rikujton se "Bashkimi Evropian së fundi ka avokuar për reduktimin e prezencës policore të paralajmëruar nga Kurti."

Hyrje në ngjarjet në Prishtinë

Për incidentin raporton edhe "Berliner Zeitung", e cila u shpjegon lexuesve se cili ishte sfondi i ngjarjeve: "Në prill, serbët etnikë në veri të Kosovës bojkotuan zgjedhjet për kryetar komune. Shqiptarët u zgjodhën si kryetar bashkie në katër komuna, por pjesëmarrja në zgjedhje ishte shumë e ulët. Për inaugurimin (të zyrtarëve të sapo zgjedhur vendorë) në fund të majit, qeveria në Prishtinë dërgoi policinë speciale në veri”.

"Për këtë shkak kanë shpërthyer trazira të rënda. Serbët e dhunshëm sulmuan ushtarët e KFOR-it, të cilët u vendosën mes demonstruesve dhe Policisë së Kosovës. Dhjetëra ushtarë të KFOR-it u plagosën, disa në gjendje të rëndë”, kujton gazeta nga Berlini.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja fajësuan kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për trazirat, shkruan "Berliner Zeitung". "Në këndvështrimin e tyre, ata duhet të kishin hequr dorë nga inaugurimi i kryetarëve të rinj dhe mbrojtja policore që erdhi atje. Partnerët perëndimorë vendosën sanksione ndaj qeverisë në Prishtinë, duke përfshirë një pezullim të përkohshëm të pagesave të ndihmave”.