1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romët në Itali si „qen të braktisur“

29 Gusht 2023

Në Itali mijëra romë jetojnë jashtë shoqërisë prej dhjetëra vitesh. Rreth gjysma e tyre kanë pasaportë italiane, por pengesat burokratike dhe mungesa e mirëkuptimit pengojnë integrimin.

https://p.dw.com/p/4VgAS
Romë, kampi i romëve
Romë, kampi i romëveFotografi: Lea Hensen/DW

Një fëmijë i vogël pa pantallona rri ulur në shkallët e barakës. Andreea, 24 vjeç, me flokë të gjata të zeza dhe me një bluzë me gurë të ndritshëm, shikon mbesën e saj pa lëvizur. "Edhe vajza ime ishte një vjeç, kur vdiq”, thotë ajo befas. Përse? Ajo hesht, nuk e di, ndoshta nuk do ta kujtojë. Pastaj thotë papritur, kishte ftohje. "Mjekët i dhanë mjekimin e gabuar”. Kur vajzës i hipën ethet, ajo thirri ambulancën. Dy orë më vonë fëmija kishte vdekur.

Baraka me llamarinë të valëzuar është tetë metra katrorë, brenda ka një qilim oriental, shtretër portativë dhe një pllakë gatimi. Andreea është në muajin e shtatë të shtatzanisë, ajo nuk dëshiron ta thotë emrin e saj të vërtetë. Ajo është romni, i përket minoritetit rom. Andreea ka lindur në Itali. Edhe vajza e saj kishte lindur në Itali, por Andreea nuk pati mundësi ta çonte atë te pediatri, sepse nuk ka akses në asistencën shëndetësore. Familja nuk ka leje banimi prej dekadash. Ashtu si mijëra romë të tjerë në kryeqytetin italian, ajo jeton në një nga tetë kampet rome, që fillimisht u menduan si strehimore emergjente dhe më pas u bënë të përhershme - në Via di Salone, në një periferi të largët në lindje të Romës.

Romët në Itali, profesori i sociologjisë, Marco Brazzoduro angazhohet për romët
Romët në Itali, profesori i sociologjisë, Marco Brazzoduro angazhohet për romëtFotografi: Lea Hensen/DW

Varfëri e skajshme

Aty pranë është vetëm autostrada që të çon nga Roma në l'Aquila. Këto baraka janë ngritur nga qyteti para 20 vjetësh: me energji elektrike dhe me ujë, me materiale që prishen shpejt. Në muret e jashtme janë spërkatur me bojë numrat. Kjo është e gjitha. Disa kanë një tualet, të tjerët lahen me zorrë. Njerëzit vijnë nga Serbia, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina, shumë kanë pasaporta italiane - ose nuk kanë fare pasaportë. Nganjëherë vijnë banorë të kampeve të tjera për t`u zënë. Në hyrje ka një roje policie. Kur dëgjohet zhurmë, ajo ndonjëherë ndërhyn.

Kush hyn në këtë kompleks, sheh varfëri të skajshme. Të rriturit me dhëmbë të prishur, me sy të sëmurë, shumë gra janë shtatzëna, fëmijët luajnë mbi male me mbeturina, aty ka rroba të vjetra, pajisje shtëpiake të prishura dhe hekurishte. Gjysma e rreth 300 banorëve në këtë kamp janë fëmijë. Dhe në mbrëmje vijnë minjtë. Të flasësh me gazetarët? "Ti e sheh si jetojmë këtu”, thotë kunata e Andreas, e cila sapo ka dalë nga baraka. "Ata na kanë hedhur këtu si qen të braktisur”.

Sipas organizatës humanitare "Associazione 21 luglio” në Itali ka rreth 180 mijë romë. Gjysma e tyre kanë shtetësi italiane. Shifrat variojnë, një regjistrim i bazuar në kritere etnike është i ndaluar. Dhjetë për qind e romëve jetojnë në kampe, shumica e tyre në qytetet e mëdha. Për politikën janë halë në sy. Dhe ajo i krijoi vetë ato, kur dhjetëra mijëra romë erdhën në vitet 1990 nga vendet e ish-Jugosllavisë. Por vështirë të ketë një vend tjetër, ku intoleranca ndaj pakicës rome të jetë kaq e lartë. Sipas një sondazhi të Institutit italian kundër Diskriminimit Racor në mars 2023 më shumë se gjysma e të pyeturve u përgjigjën, se romët përbëjnë rrezik për shoqërinë. Në kryeqytetin Romë ishin më shumë se dy të tretat. Politikanët ende flasin për "nomadi", për nomadët, megjithëse romët jetojnë në këtë vend mesdhetar prej afro 600 vjetësh dhe vetëm tre për qind e tyre nuk janë sedentarë. Dhe minoriteti nuk është i mbrojtur, ndryshe nga vendet e tjera të BE, megjithëse Italia është paralajmëruar qartë, që ta bëjë këtë.

Romë, kampi i romëve
Romë, kampi i romëveFotografi: Lea Hensen/DW

Strategji e dështuar

Një burrë shfaqet te hyrja, fëmijët e thërrasin me emër. Marco Brazzoduro, 83 vjeçar, angazhohet prej më shumë 30 vitesh për familjet rome në qytet, i ndihmon ata me burokracinë e komplikuar. Sot shumica e romëve shkojnë në shkollë - por shumë nga të rriturit nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë, e aq më pak të plotësojnë një formular. Shoqëria thotë: romët janë të papërgjegjshëm. Para pesë vjetësh kryetarja e atëhershme e bashkisë, Virginia Raggi, nga partia e majtë populiste Pesë Yjet, shpalli një strategji të re. Barakat duhet të zhdukeshin më në fund. Romët duhet të zhvillonin më shumë iniciativën personale. Përpara se të vinin eskavatorët njerëzve u erdhi një letër, një lloj marrëveshjeje. Kush përpiqej të gjente punë dhe banesë, do të përfitonte mbështetje financiare për dy vjet. Pesë kampe u hoqën, disa qindra njerëz u vendosën në banesa sociale. Në vitin 2021 administrata e Romës deklaroi me kënaqësi, se numri i rëmëve në kamp ishte reduktuar nga 4000 në 2000.

 Bruzzoduro e quan projektin „një dëm dhe jo sukses". Ata që nuk e nënshkruan marrëveshjen, përfunduan në rrugë. Shumë u larguan më vonë nga Roma apo ndërtuan një kamp të ri ilegalisht diku. "Dhe çfarë bënë familjet në fund të dy viteve, kur u mbaroi mbështetja e premtuar? A e dini sa e vështirë është për një rom të gjejë një punë apo një banesë me qira?"

Çfarë bëhet gabim?

83-vjeçari drejtohet për në pjesën e pasme të kampit. Mirko, 30 vjeç, është ulur në një shtrat portativ përballë një barake. Edhe ai ka lindur në Itali dhe jeton prej 16 vitesh në Via di Salone. "Dua të gjej më në fund një punë normale dhe më pas një shtëpi për familjen time”, thotë ai. Si shumica e njerëzve në kamp, Mirko i fiton paratë me punë të padeklaruar, transporte në kantiere ndërtimi, shitje hekuristesh në tregun e sendeve të vjetra, punë të rastësishme, herë këtu, herë atje. "Nëse thua në Itali se je rom, nuk gjen kurrë një punë të vërtetë”, thotë gruaja e tij Laura. Pas disa muajsh ajo do të lindë binjakë, tre fëmijë i kanë tashmë. Pastaj do të jenë vetë i shtatë në dhjetë metra katrorë: fëmijët në një dhomë, prindërit në tjetrën me të sapolindurit në shtrat.

Romët në Itali - profesori i sociologjisë, Marco Barazzoduro angazhohet për romët
Romët në Itali - profesori i sociologjisë, Marco Barazzoduro angazhohet për romëtFotografi: Lea Hensen/DW

Por mospranimi nuk është e vetmja arsye, pse Mirko nuk mund të punojë. Në Itali vlen jus sanguinis: fëmijët marrin shtetësinë e prindërve të tyre. Prindërit e Mirkos janë nga Bosnja, por ata nuk e regjistruan atë pas lindjes në ambasadën e Bosnjës në Romë. Mirko nuk është as italian, as boshnjak, nuk ka asnjë dokument. Dhe kjo është arsyeja, pse ai nuk ka të drejtë qëndrimi - prej 30 vjetësh. Me Brazzoduron ai po bën tani për herë të parë një kërkesë për azil si mbrojtje humanitare.

Çfarë bëhet gabim, që njerëzit për një kohe kaq të gjatë jetojnë jashtë shoqërisë? Virginia Raggi ka dy vjet që ia ka dorëzuar postin kryetarit aktual të bashkisë Roberto Gualtieri. Në vjeshtën e vitit 2022 u krijua një komision i ri, që do të merret sërish me problemin. Fljala është "për zgjidhje shumë të larmishme për të banuar", të financuara me 13 milionë euro, pjesërisht nga paketa e ndihmës së BE për koronën.

"E gjitha po zgjat tëpër”, thotë Carlo Stasolla. Kryetari i "Associazione 21 luglio” thotë se mungojnë vepra konkrete, për t`u marrë me familjet një nga një, për t`i parë problemet individualisht dhe mbi të gjitha në bashkëpunim me vetë romët. Fillimisht duhen rregulluar dokumentet e tyre dhe më pas të gjenden punë, që ata mund t`i bëjnë. "Para dy vitesh ne i paraqitëm Dhomës së Deputetëve të Italisë një plan veprimi, me të cilin kemi integruar kampe të tëra në qytete si Asti dhe Ferrara”, thotë Stasolla. Shoqata e tij punoi për disa muaj me profesorin e sociologjisë Brazzoduro dhe të tjerë në një plan të bazuar në përvojën e punës me romët. Ata thonë: "Për dy vjet ne mund të mbyllim kampin në Via di Salone dhe të integrojmë banorët e atjeshëm." Projekti do të kushtonte sa gjysma e planit të qeverisë së Romës. Ata presin tani përgjigje.