Ricklim i rrobave për të mbrojtur mjedisin
1 Mars 2013"H&M Ndërgjegjëson" ky është teksti që lexohet në postera të mëdhenj me ngjyrë jeshile që i sheh në rrjetin e dyqaneve të veshjeve suedeze. Fushta e re ka për qëllim të ndërgjegjësojë më shumë klientët rreth çështjeve të mjedisit. Por asnjë nga kasierët në degën e qytetit të Këlnit nuk i kushton rëndësi këtij posteri. As klientët nuk pyesin.
Nëse nuk pyet, nuk ia ke idenë se çfarë do thotë H&M me këtë. "Nuk kam asnjë ide se çfarë do të thotë", thotë një klient. "Nuk e vura re fare", thotë një tjetër. Pra cila është ideja?
Që prej mesit të muajit shkurt, klientët e H&M në të gjithë botën mund të çojnë rrobat e tyre të vjetra dhe të marrin një kupon, me të cilin përfitojnë ulje çmimesh. 80 dyqanet e kompanisë në Gjermani janë pjesë e kësaj fushate dhe H&M thekson se oferta nuk është e vlefshme vetëm për artikujt e markës së saj, por për veshje në gjendje të mirë. "Ne duam të bëjmë diçka për mjedisin duke minimizuar efektin e prodhimit të tekstileve në ekosistemin planetar", deklaron kompania.
Riciklim për të mbrojtur mjedisin
Tonelata të tëra me tekstile hidhen çdo vit në kontenierët e mbeturinave dhe më pas përfundojnë në landfille. Sipas H&M më shumë se 95% e veshjeve mund të riciklohen. "Ne duam t'u ofrojmë klientëve tanë një mundësi për të sjellë rrobat e tyre të vjetra. Ndërsa në terma afatgjatë ne duam të prodhojmë tekstile të reja nga të vjetrat", tha një zëdhënëse. Ajo shpjegon se në fillm veshjet do të mblidhen në dyqanin përkatës dhe më pas do të merren nga një partner bashkëpunues. Veshjet do të ruhen në kategori të ndryshme: ato që ende mund të vishen, ato që mund të shiten në dyqane rrobash të përdorura dhe ato që nuk përdoren do të kthehen në lecka pastrimi. H&M thotë se nuk është duke përfituar nga një fushatë e tillë, sepse fitimet nga shitja e rrobave do të shkojnë për projekte sociale.
250 euro për 1 ton rroba të përdorura
Kritikët besojnë se fushata nuk ka si qëllim vetëm ruajtjen e mjedisit, sepse klientët marrin një kupon që përfitojnë 15% ulje, çka i shtyn ata të mbushin sërish çantat me rrobat e reja të H&M. "Për çdo ton rrobash të vjetra mund të fitohet 250 euro. Prandaj gjithnjë e më shumë kompani janë duke hyrë në treg", thotë Dieter Schütz nga Kryqi i Kuq Gjerman (DRK). Gjermania prodhon çdo vit rreth 1 milion tonë rroba të vjetra.
Por në përgjithësi ai e mbështet fushatën e H&M. "Në shoqërinë tonë të konsumit ka shumë gjëra që hidhen. Nëse këto gjëra mund të përdoren sërish ose të shiten nuk ka asgjë të keqe", thotë Schütz. Por ai nuk është dakord me pjesën e fushatës që inkurajon konsumin. Është më e rëndësishme që rrobat të mund të përdoren sërish.
Efikasitet i dyshimtë
Organizata ombrellë FairWertung, një rrjet organizatash humanitare, ka qenë e përfshirë për vite të tëra në tregëtimin e rrobave të dorës së dytë. Ata janë të interesuar se si do të ndikojë një gjë e tillë në tregjet lokale.
"Ka një sektor të specializuar që është i përqëndruar tek rrobat e përdorura, mbledhja e tyre, përzgjedhja dhe më pas shitja", shpejgon drejtori FairWertung Andreas Voget. Ai thotë se nuk ka asgjë ndaj shitjes së rrobave të përdorura, por ai ka dyshime nëse një gjë e tillë i ndihmon vërtet mjedisit. "Sistemi i mbledhjes së rrobave të përdorura nga kompanitë e mëdha është më shumë një mjet marketingu për të rritur shitjet e produkteve të veta."
Për të treguar se inisiativa është e suksesshme H&M duhet t'i bindi kritikët dhe dhuruesit. Një gjë është e sigurtë: H&M mund të ndihmojë në pakësimin e rrobave në koshat e mbeturinave, por nga ana tjetër i shtyn klientët t'i ndërrojnë më shpesh garderobën e tyre.