Rezolutë e OKB-së kundër barbarisë së Shtetit Islamik
25 Shtator 2014Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka kërkuar përmes një rezolute që të gjitha vendet anëtare të OKB-së të forcojnë kontrollet ndaj ekstremistëve të dyshuar islamistë. Me këtë synohet të ndalet fluksi i xhidadistëve që vjen nga jashtë për të furnizuar grupet radikale të "Shtetit Islamik" në Irak dhe Siri. Rezoluta e OKB-së, e cila ka karakter të detyrueshëm për zbatim u miratua njëzëri nga 15 vende në Këshillin e Sigurimit.
Po ashtu vendet e OKB-së duhet të ndalojnë dhe luftojnë rekrutimin, tranportin apo organizimin e udhëtimit të militantëve. Shtetet anëtare të OKB-së duhet të bëjnë gjithçka që ekstremistët të mos shkojnë në rajonin e Lindjes së Afërt, kërkohet në rezolutë. Të kthyerit në vende perëndimore, të cilët kanë marrë pjesë në luftimet e IS do të përballen me drejtësinë.
Rezolutë e detyrueshme
Sipas ekspertëve së fundmi drejt Sirisë dhe Irakut kanë udhëtuar rreth 12.000 luftëtarë nga 70 vende për t'iu bashkangjitur grupeve ekstremiste. Në rezolutë po ashtu kërkohet një koordinim më i mirë dhe shkëmbim informacioni në hetime. Shoqëritë e fluturimit do të detyrohen të dorëzojnë listat e udhëtimit tek autoritetet para fluturimit. Rezoluta e detyrueshme 2178 në rast shkeljeje parashikon sipas kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara sanksione ekonomike, madje edhe dhunë ushtarake ndaj shteteve që nuk e zbatojnë atë.
Ndërkohë në Nju Jork, ku po zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me pjesëmarrjen e 193 shteteve, mbajti një fjalim edhe presidenti amerikan, Barack Obama, i cili e drejtoi seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të dytën herë gjatë dy mandateve presidenciale. Në fjalën e tij para Kombevetë Bashkuara në Nju Jork Obama deklaroi se IS duhet të shkatërrohet, "asnjë negociim me këtë pjellë të djallit".
IS - Sfidë botërore
Obama deklaroi se "Shtetet e Bashkuara do të punojnë në një koalicion të gjerë për të luftuar rrjetin e vdekjes. Të luftosh terrorizmin kërkon solidaritet ndërkombëtar dhe një qasje multivalente". Presidenti amerikan theksoi sfidën e madhe me të cilën po përballet bota. "Nëse ka një sfidë të vërtetë me të cilën po përballet bota jonë e ndërlidhur dhe të cilës nuk mund t'ia dalë një vend i vetëm - atëherë është kjo: terroristët që kalojnë kufirin dhe që kërcënojnë të përhapin një dhunë të papërfytyrueshme."
Seanca e KS kishte përfaqësues të nivelit të lartë si kurrë ndonjëherë. Në të mori pjesë edhe presidenti francez, Francois Hollande dhe kryeministri britanike, David Cameron. Presidenti francez, i cili foli në Një Jork pas publikimit të lajmit tragjik të prerjes së kokës një qytetari francez, tha se Franca nuk do të përkulet. "Franca në këtë drejtim e ka përshtatur legjislacionin e saj dhe mundësitë janë diskutuar në parlament për të ndaluar nisjen e individëve dhe stopuar udhëtimin e tyre, kur kemi arsye të forta për të besuar se ata po lenë vendin për qëllime terroriste." Ndërsa kryeministri britanik, David Cameron theksoi se "duhet të luftohet ideologjia helmuese e ekstremizmit, që është edhe shkaku bazik i kërcënimit terrorist."