Rezistencë ka pasur gjithmonë
14 Shtator 2012Kur lindi Doris Liebermann-i, Republika Demokratike Gjermane (RDGJ) është tetëvjeçare dhe gjendet në prag të kolapsit. Kulmi i krizës është 17 qershori 1953, kur protestat kundër regjimit komunist zgjerohen në një kryengritje popullore. Regjimi arrin ta shtypë atë vetëm me ndihmën e fuqisë pushtuese sovjetike. Që këtej e tutje njerëzit kritikë dhe liridashës konsiderohen prej pushtetmbajtësve më shumë se kurrë si "elemente armiqësore". Ministria për Sigurimin e Shtetit (MfS), e quajtur shkurt Stasi, vendos kudo spiunët e saj.
Në nëntor 1976 studentja ndërkohë 23-vjeçare e teologjisë, Doris Liebermann njihet personalisht me Stasi-n. Ajo merret në pyetje për orë të tëra, sepse emri i saj gjendet në një peticion kundër heqjes së nënshtetësisë këngëtar-kompozitorit komunist Wolf Biermann. Protesta drejtohet kundër udhëheqjes së RDGJ-së, mirëpo ajo reagon pa mirëkuptim dhe pa mëshirë ndaj angazhimit të guximshëm të së resë dhe 55 nënshkruesve të tjerë nga Universiteti i Jenës në Tyringi.
Fate të paharrueshme
Pak para krishtlindjeve 1977 Doris Liebermann ndjek shokun e saj, i cili menjëherë pas burgut të Stasit dëbohet në Berlinin Perëndimor. Kështu ose në mënyrë të ngjashme çlirohet RDGJ-ja deri në revolucionin paqësor të 1989-s nga mendjet e saj të larta kritike; mirëpo shfaqen vazhdimisht të reja. Pikërisht të rinjtë bëjnë vazhdimisht rezistencë kundër diktaturës gjermanolindore. Kjo vazhdimësi mbresëlënëse është temë e ekspozitës "Opozita e rinisë në RDGJ", e cila është e hapur deri më 28 shtator në Ministrinë Federale të Familjes në Berlin. Në mure të thjeshta të lëvizshme tregohen 18 fate individuale, në tekste të shkurtra, lakonike, të plotësuara kryesisht me fotografi bardhezi.
Ministrja e Familjes, Kristina Schröder, si 35 vjeçare më e reja në kabinetin gjerman dhe e rritur në Wiesbaden në Gjermaninë Perëndimore, u rrëfen gjatë hapjes së ekspozitës të ftuarve se si e përjetoi rënien e Murit të Berlinit: bashkë me familjen "të shtangur si me magji para televizorit".
Videot historike të Ministres së Familjes Schröder
Megjithëse isha vetëm 12-vjeç, "e kuptova se ajo që po ndodhte atje ishte diçka e veçantë", i kujtohet Ministres. Pastaj nisa t'i regjistroja në videokaseta ngjarjet e 9 nëntorit 1989 dhe të ditëve pasuese, tregon ajo. "Dhe i kam ende në shtëpi", gëzohet politikania. Kanë qenë "momente prekëse", të cilat i ndien edhe sot si "udhërrëfyese, botëndryshuese", vijon Schröder. Ekspozita është edhe një shenjë mirënjohjeje kundrejt atyre, "të cilët në luftë për liri vunë në rrezik të ardhmen, madje ndoshta jetën e tyre", shton ajo.
Ekspozita u konceptua nën përgjegjësinë e Tom Sello-s dhe Stefanie Wahl-it nga Shoqata Robert Havemann me seli në Berlin. Ajo mban emrin e dijetarit të natyrës, që ndërroi jetë në vitin 1982 dhe që bënte pjesë ndër opozitarët kryesorë të RDGJ-së. Havemann-it iu ndalua që në vitet gjashtëdhjetë ushtrimi i profesionit dhe ka qenë në arrest shtëpie deri sa vdiq. Vendbanimi i tij i fundit ishte Grünheide në Brandenburg (natyrisht që nxënësit e gjimnazit të atjeshëm Philipp Melanchthon e dinë këtë). Ata erdhën për hapjen e ekspozitës në Berlin dhe patën rastin që të bisedonin me dëshmitarë të kohës.
Mësim historie plot gjallëri
Adolshentët Kim Heimberg dhe Stuart Meya janë të kënaqur që mësojnë në mësim disa gjëra mbi RDJ-në në përgjithësi dhe për opozitën në veçanti. Shumë prej bashkëmoshatarëve të tyre dinë pak ose aspak për këtë kapitull të historisë së re gjermane. Ekspozita ka për qëllim që të kontribuojë në ndryshimin e gjendjes.