Revolucioni paqësor në Hungari më 1989
28 Nëntor 2009Para 53 vjetësh kryengritësit patën luftuar për një Hungari të lirë dhe demokratike. Më kot: revolucioni u mbyt në gjak. János Kádár, burri i ri i fortë i shtetit - kryteari i Partisë Punëtore Socialiste Hungareze - ngriti me ndihmën e BS një diktaturë, në të cilën njerëzit me kohë mundën të shijonin gjithnjë e më shumë liri të vogla, por të vlefshme, me një mirëqënie modeste, të cilën qytetarët e shteteve të tjera të bllokut të lindjes e vështronin me zili.
Shpresat e reformatorëve
Në vitet 80-të u bë e qartë se vendi jetonte me kredi dhe standardi relativisht i lartë - i vetmi legjitimim i sistemit - nuk mund të mbahej. Socializmi a là Kádár po rrënohej ekonomikisht. Me t'u kuptuar kjo, u shtuan përpjekjet e shoqërisë civile për autonomi. Gjithnjë e më fort disidentët kritikonin sistemin dhe merrnin mbështejte nga forcat reformatore brenda partisë shtetërore. Në vitin 1987 u themelua lëvizja e rëndësishme opozitare MDF. Kërkesat e opozitës u bënë gjithnjë e më të forta e të guximshme.
Në një manifestim në mars 1988 një orator kërkoi demokraci, zgjedhje të lira, respektimin e të drejtave të njeriut, liri të ndërgjegjes dhe të mbledhjes, si dhe të drejtën e arsimimit të lirë. Garda e vjetër dhe në krye të tyre Kádári nuk ishin të gatshëm për t'u ballafaquar me realitetin. Për çudinë e të gjithëve në mars të 1988 kryetari i partisë, i sëmurë rëndë, deklaroi: „Sipas mendimit tim në Hungari nuk kemi të bëjmë në asnjë mënyrë me ndonjë krizë."
Reformatorët në parti shpresonin se me ndryshime rrënjësore mund të shpëtohej socializmi në Hungari. Pengesa - Kádári - duhej larguar. Zëvendësimi i tij në vitin 1988 nuk solli goditjen çliruese, por shkatërrimi i sistemit u shpejtua. Njerëzit e ndjenin, se liria ishte afruar fare pranë dhe nuk kishin më frikë. Bile as nga vëllai i madh, BS. Tamás Katona, një dëshmitar i asaj kohe kujton: „Ne nuk e kemi përfilluar Gorbaçovin, sepse e ndjenim, se ai do të bëjë të pamundurën të mundur, nqs do të reformojë atë që është e pareformueshme - socializmin ekzistues. Dhe ai do të mbajë së bashku diçka, që nuk mund të mbahet dot së bashku - BS."
Partia pranoi kërkesat e opozitës
Përsa i përket reformimit të socializmit, ndërkohë edhe partia e kishte humbur besimin. Në shkurt 1989 ajo pranoi kërkesat kryesore të opozitës për zgjedhje të lira dhe futjen e sistemit shumëpartiak. Ndërkohë Kryeministri Miklós Németh ndoqi politikën e hapjes ndaj Perëndimit. Nuk ishte çudi, sepse për shkak të borxheve të larta – ndërkohë 20 miliardë dollarë - Hungarisë i nevojiteshin para të tjera dhe dashamirësia e botës së lirë. Me 27 qershor Ministrat e Jashtëm të Hungarisë, Gyla Horn, dhe të Austrisë, Alois Mock, prenë simbolikisht perden e hekurt.
Németh zgjidhi në mënyrë pragmatike edhe problemin e refugjatëve nga RDGJ-ja, që ndodheshin në Hungari. Pas një këshillimi me kancelarin e atëhershëm gjerman, Helmut Kohl, ai vendosi në fillim të shtatorit që qytetarët e RDGj-së të dilnin nga Hungaria në drejtim të perëndimit. As ai nuk kishte më frikë nga shefi i pushtetshëm i PK sovjetike Gorbaçov. Németh tregon se çfarë i pat thënë kancelarit gjerman.
„Ky (që qytetarët e RDGJ-së të dilnin nga Hungaria) është një vendim sovran hungarez. Ne nuk do të kërkojmë leje nga Moska“, theksoi ai.
Hungaria shkruan histori
Me këtë vendim ai shkroi histori dhe Hungaria dha kontributin kryesor për rënien e murit me 9 nëntor. Por „Annus mirabilis“ nuk kishte përfunduar ende. Autoritetet legjislative punuan për kushtetutën e ndërrimit të sistemit në afat preciz kohor. Me 23. tetor – në përvjetorin e revolucionit hungarez - u shpall republika: një shtet juridik, i pavarur, demokratik. Më në fund populli e arriti qëllimin dhe qarku me kryengritjen e 1956 u mbyll.
20 vjet më vonë Kryeministri Gordon Bajnai e shprehu në këtë mënyrë: „Në vitin 1956 dështuan revolucioni dhe lëvizja për çlirim. Por ata i arritën qëllimet e tyre dekada më pas. Sepse me 23. tetor 1956 u mbrojt Hungaria e lirë, republika e tretë, e cila lindi pastaj me 23. tetor 1989.“
Autor: Tamas Szabo
Redaktoi: Bahri Cani