030511 Palästinenser Versöhnung
4 Maj 2011E papritura ka arritur tek palestinezët: Vetë populli në Rripin e bllokuar të Gazës dhe në Jordanin perëndimor, të pushtuar prej kohësh, kishte humbur besimin se Hamasi dhe Fatahu ndonjëherë do të jenë në gjendje të kapërcejnë armiqësitë e tyre ideologjiko-politike. Aq më të gëzuara, megjithëse me skepticizëm të përzier, janë reagimet në popullsinë palestineze. Një grua thotë: "Kjo është shumë e rëndësishme. Ne duam vërtet të jemi në gjendje që të arrijmë paqen në rajon. Eshtë shumë herët për të gjykuar këtë pajtim, por shpresojmë që, do zoti, që kjo marrëveshje do të vihet në jetë".
Ndërsa ky burrë mendon: "Unë personalisht ndjehem më mirë. Unë shpresoj që do të bëhet mirë, por është herët që të flasim për këtë".
Palestinezët presin përparime në procesin e ndërprerë të paqes
Kjo, që po ndodh aktualisht mes Hamasit dhe Fatahut, është sensancionale, i vlerëson zhvillimet e fundit në Ramallahun verior eksperti palestinez për politikë, dr Samih Shbib nga Universitetit Bir Zeit. Pa trazirat në botën arabe, të cilat qysh prej fillimit të vitit kanë ndryshuar rajonin, nuk do të kishte pasur pajtim ndër palestinezët. "Ka shumë zhvillime në rajon, veçanërisht në Siri dhe Egjipt, dhe kjo ka krijuar një klimë të re. Hamasi ka pranuar se rruga për të mbajtur pushtetin është uniteti kombëtar".
Ishte kryesisht Hamasi, i cili nuk pranoi për një vit e gjysëm të nënshkruante dokumentin e pajtimit, të cilin udhëheqja e atëhershme egjiptiane e Ligës Arabe ua kishte paraqitur dy grupimeve palestineze të armiqësura.
Përsëri udhëheqja siriane dhe iraniane kishte ushtruar presion ndaj Hamasit, që të lërë përçarjet, bëjnë të ditur mediet palestineze. Pra, siç raporton deputeti i Fatahut Jamal Abu Al Rub, vala e ndryshimit ka arritur edhe në Rripin e Gazës:
"Ne si autoritet palestinez dhe Fatahu donim qysh në fillim, që këto përçarje të merrnin fund. Unë duhet të them për fat të keq që Hamasi këtë proces e ka zgjatur për një kohë të gjatë.
Por tani ka ndryshime të jashtëzakonshme në botën arabe, para së gjithash në Siri. Shikoni se si e shtypin popullin. Siria e ka përqafuar vazhdimisht Hamasin dhe tani ka tensione - edhe mes Sirisë dhe Katarit - të dy e kanë përkrahur Hamasin. Po ashtu ndryshimet në Egjipt kanë kontribuar për këtë. Me Egjiptin Hamasi duhet të mbajë kontakte të mira, sepse Egjipti është kërthiza për Rripin e Gazës".
Ministria e Jashtme egjiptiane ka njoftuar tashmë hapjen e kufirit me Rripin e Gazës në Rafah, për t'i dhënë fund bllokadës izraelite.
Autor: Clemens Verenkotte/Mimoza Cika-Kelmendi
Redaktoi: Angjelina Verbica