1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reljiq: Veprimet e fundit e dëmtojnë shumë Beogradin

28 Korrik 2011

Normalizimi Beograd Prishtinë është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE. Zhvillimet e fundit në pikat e kontrollit mes Serbisë dhe Kosovës dëmtojnë Serbinë, shprehet për DW eksperti për Ballkanin Dusan Reljiq.

https://p.dw.com/p/125gk
Pikat e kontrollit mes Serbisë dhe Kosovës
Pikat e kontrollit mes Serbisë dhe KosovësFotografi: dapd

Vendimi i qeverisë së Kosovës për ndërhyrje në veri ishte një përpjekje e kryeministrit Thaçi, që Beogradin dhe partnerët ndërkombëtarë t'i vërë para fakteve të kryera. Nga ana tjetër Beogradi synon ruajtjen e ndarjes së tanishme në terren. Rjeliq: "Përshtypja ime është se gjatë këtyre veprimeve bëhet fjalë për një përpjekje të Hashim Thaçit, që si Beogradin, ashtu dhe partnerët e tij më të rëndësishëm ndërkombëtarë në Bruksel dhe Uashington t'i vendosë para fakteve të kryera. Dhe qëllimi përfundimtar i Thaçit është që të realizojë pretendimet e Prishtinës ndaj veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ashtu siç është edhe qëllimi i Beogradit, që të ruajë ndarjen e tanishme faktike dhe mundësisht në afat të gjatë kjo ndarje të jetë si formë e një balancimi në mes të Prishtinës dhe Beogradit..."

Dëmtohet fillimi i negociatave për pranimin e Serbisë në BE

Sulmi dhe vënia e zjarrit pikëkalimeve kufitare e dëmtojnë rëndë Beogradin dhe përpjekjet e tij për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas Rjeliq: "Këto veprime e dëmtojnë shumë Beogradin. Kjo për faktin se pas ekstradimit të dy kriminelëve të fundit të luftës në Tribunalin e Hagës Beogradi ka insistuar fort në atë se ka ardhur koha që në vjeshtë të paraqesë kandidaturën për pranim në Bashkimin Evropian dhe të përcaktohet fillimi i negociatave për anëtarësim. Por tani eskalon gjendja në Kosovë dhe në mënyrë të përsëritur si zyrtarët në Bruksel, ashtu dhe në qendrat e tjera të rëndësishme evropiane kanë deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës është po ashtu një kusht, që procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE të futet në binarët e duhur. Kështu që ajo çfarë ka ndodhur në pikat e kontrollit mes Serbisë dhe Kosovës është e keqe për Serbinë dhe dje në mbrëmje është bërë edhe më keq, kur siç duket reth 50 deri në 100 pjesëtarë të grupeve radikale serbe i dhanë zjarrin këtyre pikëkalimeve kufitare."

Përsë në këtë moment

Konfrontime në kufi
Konfrontime në kufiFotografi: dapd

Ndërkaq duke folur për atë pse pikërisht tani qeveria e Kosovës vendos për shtrirjen e kontrollit edhe në veri të Kosovës eksperti për Ballkanin Dushan Rjelic thotë se një prej shkaqeve është dobësimi i pozitës së tij politike në Prishtinë: "Qëllimi fillestar i kryeministrit Thaçi ishte që të arrijë një fitore politike, në mënyrë që ai të deklarohet pastaj se përfundimisht për qeverinë e Prishtinës është kthyer kontrolli mbi veriun e Kosovës dhe në këtë mënyrë t'i japë kahje tjetër rrezikut permanent për ndarjen e Kosovës. Përse është vendosur për një lëvizje të tillë të rrezikshme. Në radhë të parë për shkak se pozicioni i tij personal në javët dhe muajt e fundit është dobësuar shumë në Prishtinë, para së gjithash për shkak të të ashtuajturit raport i Mart-it, kuThaçi lidhet me kriminalitetin e organizuar dhe tregtinë e organeve. Besoj që është vetëm një çështje kohe, deri sa të jetë hapur procedura e një hetimi zyrtar edhe kundër Hashim Thaçit dhe ky ishte ndoshta një prej shkaqeve, përse ai ka vendosur për një veprim të tillë të rrezikshëm. Përveç kësaj nga Eulex-i është akuzuar edhe zyrtarisht numri dy i Partisë Demokratike të Thaçit, Fatmir Limaj. Kjo është diçka, që po ashtu e ka dobësuar pozitën e Thaçit përballë opozitës kosovare... Dhe së treti përparimet e mëdha të Serbisë në bisedimet me BE-në në aspektin afatgjatë e dobësojnë pozitën e Kosovës, kur bëhet fjalë për një rregullim përfundimtar të raporteve me Serbinë. Kjo për faktin se nuk ka shumë dyshim që Beogradi është i interesuar për ndarjen e veriut të Kosovës dhe sa më shumë që kjo ndarje të forcohet në teren, aq më pak do të ketë shanse Prishtina që ta kthejë atë. Të gjitha këto kanë ndikuar në krijimin e kësaj situate të rrezikshme në veri të Kosovës", thotë Dushan Reljiq.

Autore: Dijana Roscic / Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica