1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatët viktima të dhunës policore në Ballkan

6 Prill 2017

Refugjatët janë bërë viktima të dhunës policore në itinerarin e Ballkanit. Një studim i organizatës "Oxfam" ka mbledhur të dhëna për një sërë keqtrajtimesh, deri rrahjen e ecjen lakuriq në dëborë.

https://p.dw.com/p/2an1o
Serbien gestrandete Migranten leben in verlassenen Gebäuden in Belgrad
Fotografi: Marko Drobnjakovic/MSF

Sipas raportit të "Oxfam" me titull "A dangeroues 'game'" - "'Një lojë' e rrezikshme" të prezantuar në Berlin tërhiqet vëmendja për dhunën e ushtruar ndaj refugjatëve nga policët në rajonin e Ballkanit. Sipas të dhënave të mbledhura, refugjatët në itinerarin e Ballkanit shpesh qëllohen, rrihen edhe iu merren edhe sende personale.

"Oxfam" kritikon faktin që shumë refugjatë nuk kanë mundësi për procedime të drejta të kërkesës së azilit. Studimi rendit keqtrajtime si në Hungari, ku policët i kanë detyruar refugjatët të ecin lakuriq në borë, në disa raste derdheshin mbi ta kova me ujë të ftohtë. Nga këto keqtrajtime kanë qenë të prekur edhe fëmijët.

"Shokuese dhe e turpshme"

Për këtë studim "Oxfam" ka marrë të dhëna nga Qendra e Beogradit për të Drejtat e Njeriut (BHCR) dhe nga Qendra e Avokatëve të Rinj në Maqedoni, ku janë marrë në pyetje 140 vetë që kanë kërkuar ndihmë në Serbi dhe Maqedoni. Robert Lindner, referent për krizat e konfliktet në "Oxfam", thotë se "njerëz, të cilët kanë përjetuar dhunë të pashoqe në vendlindjen, dhe ikin prej saj, përjetojnë sërish dhunë në Europë". Kjo është e turpshme dhe shokuese. Të tre organizatat bashkëpunuese në këtë studim kanë kërkuar nga qeveritë e Serbisë, Maqedonisë, Kroacisë, Hungarisë dhe Bullgarisë të marrin masa për t'i dhënë fund këtyre shkeljeve të të drejtave të njeriut.