1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime pas rikthimit të Greqisë në tregun e kapitalit

exh (dpa, rtr)11 Prill 2014

Suksesi i Greqisë në emetimin e obligacioneve të para shtetërore pas rreth katër vjetësh ka pasur jehonë të përzier. FMN e vlerëson si sinjal se vendi po ecën në rrugën e duhur.

https://p.dw.com/p/1BgVZ
Fotografi: picture-alliance/dpa

Greqia është rikthyer në tregjet financiare, më shpejt nga sa pritej dhe me shumë sukses. Të enjten (10.04.) ashtu siç ishte planifikuar, qeveria greke emetoi me sukses në tregun e kapitalit obligacione shtetërore. Tre miliardë euro solli shitja; investitorët ishin gati të blenin edhe shumë më tepër. Dhe me një normë interesi, me të cilën qeveria në Athinë mund të jetë e kënaqur: 4,75 për qind. Një çmim jo i vogël por sidoqoftë më i mirë se interesi prej 30 për qind që kërkonin investitorët katër vjet më parë, si prim për rrezikun.

Greqia në rrugë drejt normalitetit?

Në prag të takimit të pranverës të FMN-së, shefja e këtij institucioni Christine Lagarde, e vlerësoi këtë rikthim të Greqisë në tregjet e kapitalit si një shenjë "se Greqia po lëviz në drejtimin e duhur". Prova e tregut ishte "shumë e suksesshme", tha Lagarde e cila shprehu bindje se "rikthimi i plotë i Greqisë në tregje duket tashmë në horizont."

Megjithë suksesin dhe vlerësimet nuk mungojnë kritikat. Shumë pyetje mbeten të hapura edhe pas shitjes së suksesshme të obligacioneve shtetërore greke. Një prej tyre është nëse interesi i lartë që Greqia premton për titujt financiarë shtetërorë, është bërë ndoshta i mundur vetëm në sajë të kredive të lira dhe garancive për shmangie falimentimi të partnerëve evropianë. A mos është në fund taksapaguesi gjerman që garanton rendimentin e lartë të transaksioneve spekulative?

Shumë pyetje pa përgjigje

Akuzat vazhdojnë: qeveria me pozicione të dobëta e një vendi në krizë, përdor arkën e shtetit për t'i lejuar vetes një përmirësim imazhi me kosto të lartë, në fushatën elektorale. Ndërkohë financat publike ka kohë që mbijetojnë vetëm me serumet financiare të donatorëve ndërkombëtarë.

Kështu kritikohet rikthimi i Athinës në tregun e kapitalit nga politikanë të linjës së ashpër si ata nga Syriza në Greqi (parti e ekstremit të majtë) apo AfD në Gjermani (parti e djathtë me qëndrim kritik ndaj euros).

Por sa qendrojnë këto kritika? Edhe ekspertë të moderuar si kryeekonomisti i Dekabank Ulrich Kater, shprehen pak të bindur nga përpjekja e Greqisë për t'u rikthyer me pozicion të qendrueshëm në tregjet e kapitalit. Emetimi i obligacioneve shtetërore të enjten (10.04.) ka pasur qartë motive të nxitura nga politika e brendshme, thotë Kater në intervistë me "Börsen-Zeitung", numri i së premtes. "Ajo duhet të krijojë përshtypjen se vendi gjendet në rrugën drejt normalitetit."

"Investitorët hyjnë në një bast me politikën", thotë Kater. Kjo do të thotë që ata besojnë se partnerët evropianë do ta shpëtojnë përsëri Greqinë në rast nevoje.

Blerësit e obligacioneve të reja shtetërore greke - sipas një personi të mirëinformuar një e treta e tyre janë fonde investimi spekulative - duket se besojnë që do të ndodhë kështu. Sipas ekspertëve ndryshe nuk mund të shpjegohet kërkesa shumë e lartë për titujt financiarë grekë.