1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime pasi dështoi liturgjia në oborrin e Universitetit

3 Qershor 2022

Sipas Kishës Ortodokse Serbe, klerikët u penguan nga policia e Kosovës që ta mbajnë liturgjinë në Kishën në oborrin e Universitetit të Prishtinës. Policia kundërshton, liturgjia nuk ishte e paralajmëruar më herët.

https://p.dw.com/p/4CEbd
Christ-Erlöser-Kirche in Pristina, Kosovo
Fotografi: DW/I. Đerković

Kisha Ortodokse Serbe ka ngritur zërin, se policia e Kosovës nuk i lejoi disa klerikë serbë që të mbajnë një liturgji në Kishën që gjendet në oborrin e Universitetit të Prishtinës. "Rreth orës pesë e gjysmë, klerikët nga Kisha e Shën Nikollës janë nisur për të shërbyer Liturgjinë e Shenjtë me rastin e Ditës së Shpëtimtarit në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë, mirëpo pasi një polic na legjitimoi, ai na ndaloi të hyjmë në Kishë. Afër nesh ishte një kordon prej tetë policësh, ndërsa në anën tjetër vumë re edhe dy vetura të tjera me policë, për të na penguar të mbajmë liturgjinë”, tha Stanisha  Arsiq, transmeton mediumi serb Kosovo-Online.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i listës Srpska, subjekt ky politik i serbëve të Kosovës që ka 10 deputetë në Parlamentin e Kosovës. Kryetari i listës Srpska Goran Rakiq, tha se ndalimi i mbajtjes së liturgjisë në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë, ishte "shkelje e të drejtave themelore të njeriut të komunitetit serb në Kosovë”. "Kjo që ndodhi me klerikët dhe popullin besimtar, të cilët përveç shënimit të festës së madhe nuk kishin qëllim tjetër, është porosi e keqe dhe alarm i kuq për bashkësinë ndërkombëtare se gjërat duhet të quhen me emrin e tyre të vërtetë. Pra, se nuk ka barazi mes popujve dhe se me këtë veprim po dërgohet mesazh i qartë se serbët nuk mund të praktikojnë lirisht besimin e tyre në faltoret e tyre dhe nuk ka barazi fetare”, tha Rakiq. Edhe Beogradi zyrtar ka reaguar.

Kosovo Kloster Visoki Decani
Fotografi: picture-alliance/dpa/V. Xhemaj

Reagimi i policisë së Kosovës

Por policia ka reaguar duke thënë, se mbajtja e liturgjisë nga klerikët nuk ka qenë e paralajmëruar më parë. Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka thënë se rreth orës 4 e 30 të mëngjesit të sotëm, kanë ndaluar një veturë me tre persona, dy nga të cilët ishin shtetas të huaj.

"Ndërkohë që janë kryer veprimet e nevojshme verifikuese nga ana e policisë, të njëjtit janë lënë të lirë për të vazhduar më tej. Ndërlidhur me pretendimet për ndonjë aktivitet fetar, përveç liturgjisë së Kishës Ortodokse që po vazhdon të mbahet në fshatin Bardhosh të komunës së Prishtinës nuk kemi ndonjë aktivitet tjetër të paralajmëruar”, thuhet në një deklaratë të policisë. Sipas tyre, aktiviteti i klerikëve në fshatin Bardhosh ka qenë i paralajmëruar dhe sipas kompetencave policia ka monitoruar ngjarjen për të lehtësuar rrjedhën normale të ngjarjes.

Për autoritetet e Kosovës katedralja e papërfunduar (që Kisha serbe e quan Kisha e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë), është e kontestuar, pasi gjendet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina” dhe Universiteti i Prishtinës  pretendon se ky objekt është ndërtuar ilegalisht në tokën e Universitetit në vitet 90-të, gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit. Për këtë çështje, aktualisht në Gjykatën Themelore të Prishtinës është duke u zhvilluar një proces gjyqësor.

Kurse Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë nga ana e saj, pretendon se ka dokumentacionin që thotë se Universiteti, në vitin 1990, kishte pranuar që ta ndërtonte objektin e Kishës dhe se ekziston një vendim i autoriteteve të Komunës së Prishtinës i po atij viti. Për herë të parë që nga viti 1998, një liturgji në Kishën në oborrin e kampusit të UP u mbajt më 10 qershor 2021, nga Peshkopi i Rashkës dhe i Prizrenit, Teodosije. Kjo ngjarje u përcoll me protesta të studentëve të Prishtinës, të cilët kërkuan që objekti të rrënohet ose të kthehet në një muze, i cili do të ishte "pasqyrë e gjenocidit serb kundër popullit shqiptar”.

Das serbisch-orthodoxe Kloster Visoki Decani in Kosovo
Manastiri i DeçanitFotografi: DW/R. Alija

Një tjetër çështje kontestuese për prona të Kishës tash e gjashtë vjet vazhdon ndërmjet Manastirit të Deҫanit dhe autoriteteve kosovare. Për këtë ҫështje ditë më parë shefat e misioneve të vendeve më të industrializuara QUINT, për të disatën herë me radhë i kërkuan qeverisë së Kosovës që ta zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t'ia kaluar në pronësi, rreth 24 hektarë tokë përreth Manastirit të Deçanit. Qeveria e Kosovës dhe komuna e Deçanit ku gjendet Manastiri, hezitojnë ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse sipas tyre, tokat përreth manastirit kanë qenë prona të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa, shprehin habinë "se si i është njohur Manastirit, e drejta e palës në procedurë”.