Rasti Tahiri: Opozita e indinjuar, qeveria pret prova
21 Tetor 2017Përgjimet katërvjeçare të hetuesve italianë dhe goditja e grupit të narkotrafikut me emrin Habilaj kanë vënë në shënjestër ish-ministrin e Brendshëm, deputetin aktual socialist, Sajmir Tahiri. Prokuroria e Krimeve të rënda kërkoi heqjen e imunitetit të deputetit socialist, për t'i hapur rrugë hetimeve. Kjo çështje ka ndezur debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës në Tiranë. Të shtunën Këshilli i Mandateve mblidhet sërish për të vendosur për heqjen ose jo të imunitetit të Tahirit.
Pas shtyrjes së mbledhjes ishte kryetarja e LSI-së në opozitë, Monika Kryemadhi, ajo që i bëri thirrje kryeministrit Rama të heqë dorë nga sulmet ndaj drejtësisë. Ajo u shpreh për mbledhjen e së premtes që u zhvillua për heqjen e imunitetit se „duhej të ishte më e shkurtra në historinë e parlamentarizmit."
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi shtyrjen e mbledhjes si përpjekje për të fituar kohë. „Përgjimet tregojnë qartë, se Tahiri merrte shuma të mëdha parash për mbrojtjen që i ofronte kësaj bande", ka thënë Basha duke sulmuar kryeministrin. „Me Ramën nuk mund të ketë drejtësi".
Përplasje mazhorancë-opozitë
Mbledhja në Këshillin e Mandatave të premten u shoqërua nga përplasje të forta mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Deputeti socialist, Bledar Çuçi e cilësoi farsë këtë kërkesë të ardhur nga prokuroria. „Por jemi këtu për të respektuar procedurat parlamentare", tha ai. Ndërsa deputeti demokrat, Enkeled Alibeaj u kundërpërgjigj duke e cilësuar qëndrimin e deputetëve socialistë si „alibi të radhës për pandëshkueshmërinë." „Po vendosni ta shtyni. Zoti kryetar po shkelni procedurën."
Kryeministri Rama kërkoi provat deri në fund për ish-ministrin e tij. Në rrjetet sociale ai shkroi se „deri këtu…muhabet pazari nga 72 orë çorbë në kazanet e krimit politikës medias! Të presim me vullnet të plotë për drejtësi PROVAT #Derinëfund”.