Rasell Xhonson: Të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit në Kosovë lenë për të dëshiruar
5 Prill 2006Ish-presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Lordi Rasel Xhonson, u shpreh se papunësia dhe varfëria janë dy armiq të demokracisë dhe fatkeqësisht këta dy faktorë sipas tij, janë të pranishëm në Kosovë. Lordi Rasell Xhonson, i cili po përgatit një raport për gjendjen në Kosovë dhe të cilin raport do ta paraqes para Këshillit të Evropës, tha poashtu se të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit nuk janë në nivelin e duhur, sidomos në disa pjesë të Kosovës.
Lordi Xhonson, në raportin e tij do të fokusohet në zhvillimet politike, ekonomike dhe të drejtat e pakicave. Këto komente, ish presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili tash është raportues për çështje politike pranë këtij mekanizimi i bëri pas disa takimeve që zhvilloi me udhëheqësit e institucioeve qëndrore të Kosovës.
Këto çështje janë fragmentarizuar shumë. Për shembull në Mitrovicë gjendja nuk është aq e mirë, ndërsa në vise të tjera ka shumë përparime, këtu marrin shembull Prizrenin, tha Lordi Rasell Xhonson, duke shtuar se e rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha vendet evropiane është që të synohet përmirësimi i të drejtave të njeriut.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nga ana e tij thotë se, përmirësimi i të drejtave të njeriut është synim i institucioneve të Kosovës, por ky detyrim do të përmbushej më lehtë sipas tij, me arritjen e synimit kryesor pavarësinë e Kosovës.
Ish presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i cili tash është raportues për çështje politike në këtë mekanizëm të lartë evropian, Lordi Rasell Xhonson, u shpreh i bindur se bisedimet për zgjidhjen e statusit final të Kosovës do të përfundojnë me sukses.
Ai tha se për dy çështjet që i ka ngritur me bashkëbiseduesit e tij në Prishtinë, respektimi i të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit, janë dy çështje që vlerësohen shumë të rëndësishme në fazën e bisedimeve për statusin.
Prandaj në këtë linjë ai kërkoi nga institucionet e Kosovës që të fokusohen më shumë në këtë dy cështje, për faktin që sipas tij ato do ta bënin më të lehtë zgjidhjen e statusit pëfundimtar të Kosovës.