Raporti i UNMIK për Kosovën në Këshilin e Sigurimit
8 Shkurt 2018Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, është prezent në Kosovë me 342 punonjës, përfshirë këtu edhe punonjësit lokalë. Misioni i raporton një herë në tre muaj, Këshillit të Sigurimit për aktivitetet e tij dhe zhvillimet në Kosovë nga mesi i tetorit deri në mes të janarit.
Në raportimin e së martës (07.02) në Këshillin e Sigurimit ishn ftuar ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic. Nga Kosova në takim u ftua Vlora Çitaku, dhe me videokonferencë nga Prishtina, raportoi Zahir Tanin, drejtuesi i UNMIK-t.
Tanin e nisi raportimin e tij me deklaratat e fundit të BE-së për zgjerimin dhe reagimet e përziera që kjo strategji ka shkaktuar në Kosovë. Në dialogun Kosovë -Serbi ka pasur pak rezultat vitin e kaluar kështu që pritet sivjet të jepet shtysa përfundimtare. Tanin foli më tej për Gjykatën Speciale duke theksuar, se nuk ka kthim mbrapa. Po ashtu vrasja e Oliver Ivanovicit zuri pjesë në raportimin e tij nga Kosova.
Në raportin 10 faqësh i bërë publik të martën (07.02) lexojmë se prioritetet e misionit mbeten siguria, stabiliteti dhe të drejtat e njeriut. Nga zhvillimet kyçe politike dhe në çështjet e sigurisë përmenden zgjedhjet lokale, që kanë qenë të lira dhe të ndershme, marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, transformimi i forcave të sigurisë, qëndrimet ndaj Gjykatës Speciale. Për zgjedhjet lokale të zhvilluara në fund të tetorit, raporti thekson pjesëmarrjen e ulët të grave. Asnjë nga 38 kryetarët e bashkive nuk është grua. Po ashtu listohen aktivitetet e Kosovës për të plotësuar axhendën evropiane. Raporti përmend kërkesën e presidentit të Kosovës, që misioni të largohet nga vendi.
Në pjesën e raportit, që flet për Veriun e Kosovës, ku punojnë edhe pjesa më e madhe e punonjësve të UNMIK-ut në Kosovë, raporti flet për zhvillimin e zgjedhjeve atje dhe situatën e brishtë me një numër incidentesh, ku incidenti me potencial më të madh implikacionesh përtej Kosovës ishte vrasja e Oliver Ivanovicit. Po raporti përmend edhe incidente të tjera të ndodhura në veri.
Në raporti flitet për kthimet në Kosovë, ku në vitin 2017 janë kthyer 498 persona, shifra më e ulët që prej vitit 2000.
Lidhur me kulturën citojmë: "UNMIK ka vazhduar monitorimin e zhvillimeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare”. Në të përmenden ligji i aprovuar nga parlamenti për lirinë e fesë, i cili është dërguar për t'u rishikuar nga komisioni i parlamentit dhe pagesën që qeveria e Kosovës i bëri Kishës Ortodokse serbe për qiratë, një çështje që pati ngarkuar marrëdhëniet midis autoriteteteve të Kosovës dhe Kishës Serbe.
Në pjesën e raportit që bën fjalë për zbatimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut numërohen si çështje përfshirja e pakicave në sistemin e drejtësisë, në institucionet e Kosovës, prokurori dhe gjykatë.
Në vëzhgime, raporti thekson se UN do të vazhdojë të jetë mbështetje për rritjen e interesave të të gjithë komuniteteve të Kosovës. UNMIK do vazhdojë të mbështesë Bashkimin Evropian në zhvillimin e paqes, progresit dhe stabilitetit në Kosovë.