1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raporti i OECD-së: Gjermania gjendje mesatare deri e keqe në aspektin social dhe të shkollimit

9 Shtator 2009

Në Gjermani në krahasim me 30 vendet e tjera të OECD-së gjendja paraqitet e mirë në sektorin e shëndetit, dhe është mesatare deri e keqe në atë social dhe të shkollimit. Kjo temë tërheq vëmendjen e komentatorëve.

https://p.dw.com/p/JY94
Fotografi: dpa/DW

«Këlner Stadt-Anzeiger» shkruan:

Studimi i OECD-së bën të qartë se ku është thembra e Akilit e sistemit tonë arsimor: pak përpjekje për të nxitur mësimin e gjuhës gjermane tek fëmijët e emigrantëve, pak impulse për të mësuar në mënyrë të pavarur në shkollat fillore, seleksionim shumë i hershëm i atyre që kanë të drejtë të shkojnë në gjimnaz. Edhe taksat për studimet universitare nuk e sollën efektin që pritej. E keqja më e madhe është se fëmijët që vijnë nga familje që nuk janë shumë të shkolluara, kanë në Gjermani kushte shumë më të vështira se sa në vendet e tjera të industrializuara. Në rast se do të kishte ndonjë lloj dëshmie për politikën shkollore gjermane, atëhere në të do të shkruhej: Aty këtu janë bërë përparime, por ndryshimet janë në rrezik."

Gazeta «Trierischer Volksfreund» vëren:

Nuk mund të thuhet se gjatë fushatës së tanishme elektorale politika arsimore zë ndonjë vend margjinal në deklaratat e partive. Kush thotë një gjë të tillë nuk ka të drejtë. Të gjithë e kanë marrë vesh, atë që OECD-ja shënoi sërish në dokumentat e saj. Ai që do të fitojë pikë pas krizës, duhet të kujdeset që sistemi të bëhet më i shkrifët, që të ketë më shumë akademikë, më tepër specialistë, më shumë mësues dhe edukatore. Ndryshe nuk shkon më. Përballimi i krizës nuk duhet të çojë në kursime në miliarda në fushën e arsimit. Ndryshe Gjermania do të dalë humbëse e qartë prej krizës. Si në nivel federate edhe landesh, të gjithë politikanët thonë se do t'i bëjnë këto gjëra. Për këtë duhet t'i kujtojmë vazhdimisht.

Autor: Dr. Pandeli Pani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora