1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raporti i Dick Martyt në qendër të seancës së KS të OKB-së për Kosovën

13 Maj 2011

Në Nju Jork u mbajt seanca e posaçme e Këshillit të Sigurimit të OKB, ku vëmendje e posaçme iu kushtua kërkesës për zbardhjen e plotë të pohimeve nga raporti i Dick Martyt, si edhe dialogut mes Prishtinës e Beogradit.

https://p.dw.com/p/11FAF
d)
Punime në sallën e KSFotografi: dapd

Të gjithë pjesëmarrësit e seancës së KS të OKB-së ishin të mendimit se e vërteta për pohimet nga raporti i Dick Martyt për trafikimin e organeve njerëzore gjatë konflikteve të armatosura në Kosovë duhet të zbardhet në tërësi. Por ata nuk ishin dakord për mënyrën se si duhet të kryhen hetimet dhe kush duhet t'i bëjë ato.

Serbia do zbulimin e së vërtetës

Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiq kërkoi që hetimet të kryhen nga një komision i posaçëm nën patronazhin e KS të OKB. Jeremiq tha se Eulex-i nuk e ka mandatin për hetime të tilla, sepse ai mund të veprojë vetëm në Kosovë. Ndërkohë që, sipas tij, gjurmët e krimeve të përmendura në këtë raport shkojnë deri në Afrikë, në disa vende të Evropës, Azi dhe në Lindjen e Mesme. "Ne kërkojmë të vërtetën e plotë lidhur me trafikimin e organeve njerzore. Kërkojmë drejtësi. Kjo është e mundur vetëm me veprimin e Këshillit të Sigurimit", theksoi Jeremiq duke shtuar se asnjë mekanizëm tjetër nuk mund të bëjë hetimet e plota.

Unabhängigkeit Kosovo Serbiens Außenminister Vuk Jeremic nach dem Treffen des UN Sicherheitsrates
Vuk Jeremiq duke folur para reporterëve pas seancës së Këshillit të Sugurimit të OKB-ëFotografi: AP

Kosova ka besim tek kapacitetet e Eulex-it

Idenë e hetimeve të pavarura të pohimeve në raportin e Dick Martyt mbështeti edhe shefi i UNMIK-ut në Kosovë Lamberto Zanieri. "Është e një rëndësie të veçantë që akuzat e dëgjuara në raportin e Dick Martyt të hetohen nga një komision i pavarur, si për viktimat ashtu edhe për personat, të cilët përmenden në këtë raport", tha ai.

Me domosodoshmërinë e zbardhjes së plotë të pohimeve nga raporti i Dick Martyt u dakordua edhe ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, por ai kundërshtoi krijimin e një komisioni nën patronazhin e KS të OKB. Qeveria e Kosovës është e mendimit se Eulex-i ka kapacitete të mjaftueshme për këto hetime, tha ai. "Eulexi ka kapacitete dhe resurse të mjaftueshme për të bërë ndryshimet e duhura në Kosovë. Mund të zbatojë sundimin e ligjit, të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe të hetojë pohimet nga raporti i Dick Martyt, për krimet e bëra gjatë konflitkeve", theksoi Hoxhaj.

Kosovo Aussenminister Enver Hoxhaj
Enver Hoxhaj, ministri i Jashtëm i KosovësFotografi: DW

Gjermania mbështet hetimet nga Eulex

Në dallim nga Serbia, Rusia dhe Kina, të cilat ishin të mendimit se hetimet duhet të bëhen nën patronzhin e OKB-së, përfaqësuesit e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, pohonin se Eulex-i ka kapacitete të mjaftueshme për hetime të tilla. "Hetimet e plota për krimet kundër serbëve dhe të tjerëve janë të domosdoshme. Por ne jemi të mendimit se nuk mund të dyshohet që Eulex-i i ka kapacitetet, kompetencat dhe mundësitë e duhuar të veprimit për hetimet lidhur me pohimet në këtë raport. Eulex-i e ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë", theksoi ambasadori gjerman në OKB, Peter Wittig.

Sa i përket zhvillimeve të tre muajve të kaluar në Kosovë, shefi i UNMIK-ut Lamberto Zanier tha se pas zgjedhjes së Atifete Jahjagës për presidente, në Prishtinë është tejkaluar kriza politike dhe është kthyer stabiliteti. Ai tha se bashkësia ndërkombëtare shpreson përparime të shpejta në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj u shpreh se Kosova ka dhënë një provim serioz me tejkalimin e krizës së fundit politike, ku një kontribut të veçantë po japin edhe përfaqësuesit e serbëve, të cilët sërish janë pjesë e qeverisë. Të gjithë ambasadorët përshëndetën dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Atë e mbështeti edhe ministri i Jashtëm serb Jeremiq, por ai edhe një herë nënvizoi se Beogradi nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi