1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rama në Berlin për të marrë përkrahje

25 Prill 2018

Rekomandimi i KE-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë duhet të miratohet nga vendet anëtare. Edi Rama shkon në Berlin për të marrë mbështetjen e Gjermanisë në çeljen e negociatave.

https://p.dw.com/p/2wd1I
Berlin Edi Rama, Premierminister Albanien & Bundestagspräsident Wolfgang Schäuble
Edi Rama me Kryetarin e Kuvendit Federal (Bundestag) të Gjermanisë, Wolfgang SchäubleFotografi: Imago/M. Popow

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhet në Berlin për një vizitë pune. Në takime të ndryshme gjatë ditës së sotme ai do të përpiqet të bindë Gjermaninë për të votuar pro fillimit të negociatave. Edi  Rama u takua sot paradite me presidentin e Bundestagut, Wolfgang Schäuble, si dhe në mesditë pati një seancë në komisionin e Bundestagut  për BE-në. Pasdite ka takim me kancelaren Angela Merkel. .

Deputetë të partisë së kancelares ishin shprehur më parë të rezervuar në lidhje me çeljen e negociatave. Kryetari i komisionit të Bundestagut në BE, Günther Krichbaum i tha DW (shqip) javën e kaluar se Shqipëria ende ka sfida për të përballuar, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Me cilat argumente do t'i bindë Edi Rama partnerët gjermanë? 

Në një intervistë dhënë programit shqip të DW -së, Edi Rama tha se argumenti më bindës është vetë rekomandimi i KE-së. "Kjo do të thotë që ne i kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë". tha Rama gjatë në një vizitë të zhvilluar në ambientet e Deutsche Welles në Berlin të mërkurën paradite.

Në lidhje me kritikën e deputetit kristdemokrat gjerman, Günther Krichbaum, ai tha.

"Është normale të ketë vërejtje dhe rezerva të tilla, por është e rëndësishme të kuptohet, që Shqipëria duhet të bëjë më shumë dhe për të bërë më shumë çelja e negociatave është instrumenti i duhur."

Deputetët e grupitt parlamentar të CDU/CSU-së, përpiluan në nëntor 2016 disa pika që duheshin plotësuar para se të fillonin negociatat. Krichbaum pat thënë në intervistën me DW, se ai do të dijë, se sa ka përparuar Shqipëria në këto drejtime. Ndër të tjera kërkohej luftimi i krimit dhe korrupsionit. Me cilat faktet do t'i bindi deputetët kryeministri shqiptar për përparimet e Shqipërisë?

"Mjafton të marrim aspektin e luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit që ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm dhe të nënvizuar dhe nga vetë partnerët ndërkombëtarë, falë kontrollit ajror që i është bërë territorit të Shqipërisë". kujtoi Rama në intervistën me BE. "Për shembull operacionet e shumta dhe sekuestrimi i aseteve financiare kriminale që ka njohur shifra të paimagjinueshme disa vite më parë. Për shembull gjithë procesi i fililmit të reformës në drejtësi dhe i reformës së Vettingut që po shënon rezultate shumë kumptimplotë vetëm në hapat e parë. Janë sot 21 gjykatës dhe prokurorë që janë përjashtuar nga sistemi."

Çelja e negociatave e mundshme

Edhe pse tek tuk ndonjë deputet gjerman është shprehur me rezerva ndaj hapjes së negociatave, pritet që ata të mbajnë qendrim konstruktiv dhe të mos bëhen pengesë. Rama shpreson që negociatat të çelen qysh këtë vit. "Kjo do të thotë që të hyjmë në një fazë të re reformash dhe përpjekjesh duke pasur një instrument shumë të favorshëm edhe pse një instrument jashtëzakonisht angazhues për ne në të gjitha kuptimet që është instrumenti i kapitujve të cilët hap pas hapi japin mundësinë e thellimit të reformave dhe rritjes së zbatueshmërisë së të gjithë procesit", tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë u përgjigj në mëynrë dipëomatike ndaj pyetjes se a ka Shqipëria ndonjë plan a strategji për të dhënë ndihmesën e vetë në paqësimin e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës. "Besoj që edhe në këtë aspekt, progresi është absolutisht i dukshëm dhe i prekshëm. Sot rajoni është në një situatë krejt ndryshe nga disa vite më parë. dhe sigurisht që marrëdhënia e Serbisë me Kosovën është një marrëdhënie e vështirë, por edhe ajo e ka progresin e vet", tha Rama.

I pyetur së fundi se a ekziston një unitet mbarëkombëtar në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe se ç'mund të bëhet për të zbutur tonin e ashpër të komunikimit mes krerëve partiakë në Shqipëri, Rama tha:  "Të gjithë e duan integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, të gjithë përpiqen ta thonë në mënyra të ndryshme, disa me gjuhën e duhur, disa me gjuhën e gabuar. Por ajo që është më e rëndësishme, të mos ngatërrojmë përpjekjet e kundërta që bëjmë së brendshmi me këtë përpjekje të madhe kombëtare dhe të mos vëmë karrocën përpara kalit."