061010 IWF Konjunktur Outlook
7 Tetor 2010Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk i zë besë përmirësimit të gjendjes së ekonomisë botërore. Për këtë arsye në perspektivën e re ekonomike ai paralajmëron që disekuilibrat ekzistues të eliminohen sa më shpejt.
FMN-ja nuk i beson përmirësimit ekonomik
Të kthehemi në baraspeshë; kështu mund të titullohej perspektiva e re ekonomike botërore e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që u paraqit të mërkurën (6.10.) në Uashington. Sipas saj përmirësimi i ekonomisë botërore ecën me shpejtësi të ndryshme. Në vendet e industrializuara të zhvilluara ka vetëm rritje të mesme dhe një rrezik relativisht të madh për kthim prapa, ndërsa në shumë vende në industrializim e sipër shënohet sërish një rritje e fuqishme.
Për këtë arsye interesi kryesor i politikanëve duhet të qëndrojë në largimin e disekuilibrave mendon krye-makroekonomisti i FMN-së Olivier Blanchard:
"Së pari bëhet fjalë për atë që shtetet të gjejnë ekuilibrin e tyre të brendshëm. Kur gjatë krizës u zvogëlua ndjeshëm kërkesa private, ndihmuan programe koniunkturore në shmangien e skenarit më të keq. Kjo ishte e nevojshme dhe e drejtë, por tani forcë shtytëse për rimëkëmbjen duhet të bëhet kërkesa, sepse shumica e programeve koniunkturore përfundojnë."
Të forcohet kërkesa e brendshme
Prandaj, sipas Blanchard, duhen fuqizuar dhe nxitur kërkesa private dhe investimet. Kjo nuk vlen vetëm për ekuilibrin e brendshëm të ekonomive kombëtare, pro edhe për disekuilibrat gjigantë, që ekzistojnë midis shteteve dhe që ende kërcënojnë përmirësimin e ekonomisë botërore. Për të zbutur disekuilibrat, vende deficitare si SHBA-ja duhet të përforcojnë përpjekjet e tyre për eksportin. Eksportet e shtuara do të shpinin në rritje të kërkesës së brendshme duke krijuar hapësira manovrimi për qeveritë për të konsoliduar buxhetet e tyre deficitare. Por edhe vende me tepri të vazhdueshme eksportesh, veçanërisht në Azi, do të bënin mirë të fuqizonin kërkesën e brendshme për të mos qenë gjithnjë të varura nga rritja e eksporteve.
Disekuilibrat gjigantë shfaqen edhe në normat e ndryshme të rritjes që parashikon FMN-ja për vende të veçanta:
"Për vendet e zhvilluara ne parashikojmë vetëm një rritje të dobët, rreth 2,7 për qind sivjet dhe 2,2 për qind vitin e ardhshëm", thotë Olivier Blanchard.
Norma të ndryshme rritjeje ekonomike
Krejt ndryshe rritja në vendet në industrializim e sipër. Për to FMN-ja përllogarit 7,1 për qind sivjet dhe 6,4 për qind vitin e ardhshëm. Edhe për Gjermaninë e ka rritur FMN-ja parashikimin e rritjes, thotë vëzhguesi i FMN-së për Gjermaninë Jörg Decressin:
"Ne e kemi korrigjuar për lart parashikimin tonë për rritjen e Gjermanisë. Ne presim 3,3 për qind sivjet, 1,9 për qind më shumë sesa mendohej fillimisht, dhe për 2011 një rritje prej 2 për qind. Pra 0,5 për qind më shumë se ç'mendonim fillimisht."
Autor: Rolf Wenkel / Elert Ajazaj
Redaktoi: Eliana Xhani