1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

061010 IWF Konjunktur Outlook

7 Tetor 2010

Me gjithë kthimin e rritjes globale, para së gjithash falë vendeve në industrializim e sipër, për mendimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar përmirësimi qëndron mbi një bazë të paqëndrueshme.

https://p.dw.com/p/PXk5
Kryeekonomisti i FMN-së Olivier Blanchard prezanton "World Economic Outlook" në Washington DC.
Kryeekonomisti i FMN-së Olivier Blanchard prezanton "World Economic Outlook" në Washington DC.Fotografi: picture alliance/dpa

Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk i zë besë përmirësimit të gjendjes së ekonomisë botërore. Për këtë arsye në perspektivën e re ekonomike ai paralajmëron që disekuilibrat ekzistues të eliminohen sa më shpejt.


FMN-ja nuk i beson përmirësimit ekonomik

Të kthehemi në baraspeshë; kështu mund të titullohej perspektiva e re ekonomike botërore e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që u paraqit të mërkurën (6.10.) në Uashington. Sipas saj përmirësimi i ekonomisë botërore ecën me shpejtësi të ndryshme. Në vendet e industrializuara të zhvilluara ka vetëm rritje të mesme dhe një rrezik relativisht të madh për kthim prapa, ndërsa në shumë vende në industrializim e sipër shënohet sërish një rritje e fuqishme.

Për këtë arsye interesi kryesor i politikanëve duhet të qëndrojë në largimin e disekuilibrave mendon krye-makroekonomisti i FMN-së Olivier Blanchard:

"Së pari bëhet fjalë për atë që shtetet të gjejnë ekuilibrin e tyre të brendshëm. Kur gjatë krizës u zvogëlua ndjeshëm kërkesa private, ndihmuan programe koniunkturore në shmangien e skenarit më të keq. Kjo ishte e nevojshme dhe e drejtë, por tani forcë shtytëse për rimëkëmbjen duhet të bëhet kërkesa, sepse shumica e programeve koniunkturore përfundojnë."

Logo e takimit të vjeshtës të FMN-së dhe Bankës Botërore.
Logo e takimit të vjeshtës të FMN-së dhe Bankës Botërore.Fotografi: DW

Të forcohet kërkesa e brendshme

Prandaj, sipas Blanchard, duhen fuqizuar dhe nxitur kërkesa private dhe investimet. Kjo nuk vlen vetëm për ekuilibrin e brendshëm të ekonomive kombëtare, pro edhe për disekuilibrat gjigantë, që ekzistojnë midis shteteve dhe që ende kërcënojnë përmirësimin e ekonomisë botërore. Për të zbutur disekuilibrat, vende deficitare si SHBA-ja duhet të përforcojnë përpjekjet e tyre për eksportin. Eksportet e shtuara do të shpinin në rritje të kërkesës së brendshme duke krijuar hapësira manovrimi për qeveritë për të konsoliduar buxhetet e tyre deficitare. Por edhe vende me tepri të vazhdueshme eksportesh, veçanërisht në Azi, do të bënin mirë të fuqizonin kërkesën e brendshme për të mos qenë gjithnjë të varura nga rritja e eksporteve.

Disekuilibrat gjigantë shfaqen edhe në normat e ndryshme të rritjes që parashikon FMN-ja për vende të veçanta:

"Për vendet e zhvilluara ne parashikojmë vetëm një rritje të dobët, rreth 2,7 për qind sivjet dhe 2,2 për qind vitin e ardhshëm", thotë Olivier Blanchard.

Norma të ndryshme rritjeje ekonomike

Krejt ndryshe rritja në vendet në industrializim e sipër. Për to FMN-ja përllogarit 7,1 për qind sivjet dhe 6,4 për qind vitin e ardhshëm. Edhe për Gjermaninë e ka rritur FMN-ja parashikimin e rritjes, thotë vëzhguesi i FMN-së për Gjermaninë Jörg Decressin:

"Ne e kemi korrigjuar për lart parashikimin tonë për rritjen e Gjermanisë. Ne presim 3,3 për qind sivjet, 1,9 për qind më shumë sesa mendohej fillimisht, dhe për 2011 një rritje prej 2 për qind. Pra 0,5 për qind më shumë se ç'mendonim fillimisht."

Autor: Rolf Wenkel / Elert Ajazaj

Redaktoi: Eliana Xhani