1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Situatë e polarizuar në Kosovë - partitë në garë për pushtet

Aida Cama
25 Prill 2020

Këshilli i Sigurimit mbajti një takim informues për Kosovën ku për herë të parë foli ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca. Folësit treguan se vazhdojnë të kenë qëndrimet e grupit, duke i shtuar edhe pak kripë nga vetja.

https://p.dw.com/p/3bO6n
Sitzung des Sicherheitsrates zum Kosovo
Fotografi: webtv.un.org

Zahir Tanin e përshkroi situatën politike në Kosovë “të polarizuar mes partive politike që ndodhen në garë për të marrë pushtetin”. Shefi i UNMIK-ut thotë se pakënaqësia qytetare është rritur. Ai përshkroi punën për të përballuar pandeminë e cila ka prekur edhe Kosovën, dhe ka bërë që të mbylluen kufijtë, kufizohen lëvizjet, mbyllen shkollat dhe bizneset dhe të izolohen komunat. Për të kapërcyer barrën ekonomike, FMN ka dhënë hua 56,5 milionë dollarë, kurse BE ka premtuar 100 milionë euro, tha Tanin, i cili mendon se duhet siguruar që ndihmat të arrijnë tek ata, që kanë më shumë nevojë. UNMIK ka përshtatur punën "duke u përqëndruar në pasojat e Coronës", tha Tanin duke shtuar se po reagohet ndaj dhunën në familje, e cila është rritur.

Serbia: Solidaritet për të kapërcyer krizën e Coronës

Në emër të Serbisë në Këshillin e Sigurimit foli ministri i Jashtëm Ivica Dacic. Fillimisht ai tregoi për angazhimin e Serbisë në luftën kundër virusit Corona. Ai vlerësoi mbajtjen e këtij takimi “për t’i dërguar një mesazh të fuqishëm njerëzve në Kosovë- Metohi, duke u thënë se nuk janë vetëm në këto ditë të vështira dhe se ne kujdesemi për ta, sot më shumë se kurrë”. Ai tha se Serbia ka bashkëpunuar në luftën kundër epidemisë edhe me autoritetet e institucioneve “tranzitore” të Prishtinës, siç i quajti ai. Ai tha se mes njerëzve të infektuar që kanë marrë trajtim në Serbinë qendrore ka pasur edhe shqiptarë.

Duke ndryshuar tonin e zërit, Dacici kalon në pjesën tjetër të raportit duke folur për zhvillimet e muajve të fundit. Serbia ka shprehur angazhimin për gjetjen e një kompromisi për çështjen e Kosovës dhe Metohisë, tha ai. Pasi u ankua për mungesë gatishmërie për dialog nga ana e autoriteteve të Prishtinës, ai falenderoi të dërguarin amerikan Grenell, për kontrobutin e dhënë në arritjen e marrëveshjeve për vendosjen e transportit ajror dhe tokësor Prishtinë- Beograd. Ai e vlerëson zgjedhjen e Miroslav Lajcik, si "momentum në dialogun e kryesuar nga BE". Dacik përmendi edhe një herë R1244, si dokumentin e vetëm të OKB që duhet respektuar. 

Ivica Dacici, Außenministerin Serbiens
Ivica Dacic, ministër i Jashtëm i SerbisëFotografi: webtv.un.org

Duke kaluar herë tek Corona e herë tek politika, Dacic, shpreh keqardhjen që Prishtina është duke lobuar për njohjen e „të ashtuquajturës Kosovë“ në gjithë botën, duke marrë ndihmë „prej disave prej jush“, ku ka parasysh anëtarët e Këshillit të Sigurimit. "Nëse të gjithë e ndalojnë lobimin, atëherë edhe nga Serbia mund të kërkohet të ndalojë fushatën kundër njohjeve", tha Dacic. Ai tha se nga 200 mijë të zhvendosurit nga Kosova, vetëm 1,9 përqind janë kthyer në vend. Ministri serb shprehu besimin se Prokuroria speciale do të vendosë drejtësinë për të gjithë viktimat. Dacic tha se Serbia beson tek zgjidhja me dialog, dhe „kushtet për këtë do të krijohen shumë shpejt“.

Kosova: Fton vendet e KS të njohin Kosovën

Nga Kosova fjalën e mori ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, i cili tregoi për masat e marra nga qeveria e Kosovës për të luftuar pasojat e krizës së shkaktuar nga virusi Corona. Ai foli për zgjedhjet e tetorit, ku kalimi i pushtetit nga njëra forcë tek tjetra u bë pa problem. Lidhur me rezoluzën 1244, ministri Konjufca tha se është përpiluar në një kontekst tjetër, në vitin 1999 duke kërkuar të pengojë katastrofën humanitare, ndalojë luftimet dhe lejojë kthimin e refugjatëve për të penguar spastrimin etnik. Në gjashtë muajt e fundit, tha Konjufca „nuk ka pasur asnjë incident etnik“ në Kosovë, prandaj ka ardhur koha që UNMIK t’i japë fund misionit. Në takimet rajonale ku ka marrë pjesë ministri ka vërejtur se "Serbia nuk e ka kuptuar që Kosova është e pavarur, dhe pavarësia e saj është e pakthyeshme", prandaj ai kujton vendimin e Gjykatës së Hagës, duke e lexuar atë edhe një herë me zë të lartë kur thotë se „shpallja e pavarësisë nuk shkel të drejtën ndërkombëtare“. „Sa më shpejt që Serbia ta kuptojë këtë gjë, tha ministri, aq më mirë do të jetë për Serbinë, për ne dhe për rajonin“.

Ministri i bëri thirrje vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë gjë. „Nëpërmjet një akti të tillë ju jo vetëm që do të respektoni vullnetin absolut të shumicës së Kosovës, por do të respektoni edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare dhe mbështesni paqen dhe stabilitetin në rajon“, tha ai duke e quajtur hipokrite mosrespektimin e vendimit të Gjykatës, në një kohë që ishte Serbia ajo që i kërkoi Gjykatës të jepte gjykimin për shpalljen e pavarësisë. AI foli për personat e zhdukur, ku 1641 nuk dihet ku janë që nga koha e luftës. Ministri shkëputi rastin e Ukshin Hotit, duke treguar historinë e tij në burg, ku është parë për herë të fundit. "Shteti dhe qytetarët e Kosovës duhet ta dinë ku janë këta persona," tha ministri Konjufca.

Glauk Konjufca, Außenminister des Kosovo
Glauk Konjufca, ministër i Jashtëm i Kosovës i lidhur me tele-konferencë në takimin e Këshillit të SigurimitFotografi: webtv.un.org

Lidhur me dhunën seksuale, ai tha se “të gjithë dorasit kanë qenë ushtarë dhe policë serbë” dhe i kërkoi Serbisë të identifikojë ata policë dhe ushtarë që dhunuan gratë dhe burrat shqiptarë. Pasi tregoi për incidentin e arrestimit të një qytetari nga Kosova që jeton në Zvicër, ai tha se “marrëdhëniet Kosovë Serbi janë të vështira”. dhe se ato mund të përmirësohen vetëm me dialog të barabartë. Ai i kërkoi Serbisë dhe ministrit Dacic të ndalojë fushatën për anullimin e njohjeve të Kosovës. Konjufca sqaroi se dialogu ka të bëjë me marrëdhëniet Kosovë Serbi dhe jo me çështjen e statusit. Gjë që sipas tij, Dacic e përdor kur shkon në vende anëtare të OKB që kanë njohur Kosovën dhe përpiqet t’i bindë ta kthejnë mbrapsht njohjen, duke u thënë se “kjo është çështje që do zgjidhet me dialog”. Synimet e Kosovës janë anëtarësimi në BE dhe në NATO, tha ministri duke shtuar se në fushën e sigurisë, Kosova ka shprehur angazhimin për paqe dhe stabilitet në rajon.

SHBA kërkon mbylljen e UNMIK-ut

Cherith Norman Chalet, përfaqësuese politike në Misionin e SHBA pranë OKB, vlerëson bashkëpunimin ndërkombëtar, që “është tani më i rëndësishëm se kurrë, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor”. „SHBA mbështet një Ballkan Perëndimor stabil, të sigurt dhe me prosperitet, tha ajo, duke siguruar angazhimin e vendit të saj për të ndihmuar vendet e rajonit që të integrohen në institucionet perëndimore. „Situata aktuale nxjerr në pah prioritetin që SHBA i ka dhënë zhvillimit të ekonomisë dhe tregëtisë midis Kosovës dhe Serbisë,“ shtoi Norman Chalet, e cila kërkon që Kosova të heqë të gjitha masat e reciprocitetit, menjëherë dhe pa kushte. Nga të dyja palët ajo kërkon të zbatojnë marrëveshjet për zhvillimin e biznesit, krijimin e oportuniteteve për qytetarët dhe përfundimin sa më parë të procesit të dialogut. Ajo përshëndeti rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendim-marrje dhe emërimin e të dërguarit special të BE. Ajo thotë se duhet vazhduar koordinimi i punës SHBA- BE. Klasës politike të Kosovës i kërkon të fokusohet në prioritetet e përbashkëta dhe në rritjen e përpjekjeve për zbatimin e ligjit. Norman Chalet kërkoi hapur mbylljen e misionit të UNMIK-ut, i cili e ka përmbushur komplet synimin që ka pasur. „SHBA do të punojë me anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit për t’i dhënë fund UNMIK-ut dhe për të përcaktuar një rol më të rëndësishëm të OKB për ndihmën që i jep Kosovës dhe Ballkanit Perëndimër…“ tha Cherith Norman Chalet, nga Përfaqësia e SHBA në OKB.

Mbretëria e Bashkuar: Kosova dhe Serbia duhet të trajtojnë krimet historike

Rishikim të rolit të OKB në Kosovë kërkoi edhe David Clay, koordinator politik në Misionin e Mbretërisë së Bashkuar pranë OKB: „Sfidat e mëdha na kujtojnë sa e rëndësishme është që puna e UNMIK-ut të përshtatet me kushtet e reja,“ tha ai. Ai kërkoi që të inkurajohet bashkëpunimi midis ministrive serbe dhe kosovare të shëndetësisë, për t’iu përgjigjur sa më mirë krizës së shkaktuar nga Corona dhe vlerësoi punën e qeverisë së Kosovës për të ofruar në të gjitha gjuhët zyrtare të vendit informacionet për COVID 19. David Clay, theksoi se „Mbretëria e Bashkuar mbështet dialogun e kryesuar nga BE si rrugën për arritjen e marrëveshjeve të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë“. Ai i kërkoi të dy palëve t‘i kthehen dialogut dhe siguroi bashkëpunim me të ngarkuarin special të BE, Miroslav Lajcak dhe partnerët e kuintit. Ai shprehu mbështetjen për Dhomat Speciale dhe Prokurorin Special të Kosovës, duke i kërkuar qeverisë së Serbisë dhe të Kosovës të bashkëpunojnë plotësisht me to. „Ne nuk mund të lejojmë kulturën e mosdënimit të krimeve nga më të rëndat; po ta bënim këtë do të ishim të pandërgjegjshëm; do të ishte shumë e dëmshme për vendosjen e ligjit dhe të ardhmen e pajtimit në rajon“, tha ai duke shprehur keqardhjen për progresin e ngadaltë të gjykimeve brenda vendit të krimeve të luftës dhe duke i kërkuar Serbisë dhe Kosovës, të punojnë për trajtimin e këtyre krimeve historike.

Rusia: Marrëveshje që të bazohet tek R.1244

Vasilly Nebenzia, përfaqësues i Rusisë pranë OKB, e nisi fjalimin e tij duke sulmuar flamurin e Kosovës të cilin ministri Glauk Konjufca, e ka në krahë gjatë kohës që  flet. “Jam duke parë në sfond të imazhit të zotit Konjufca dhe nuk po e njoh i cilit vend është flamuri. Sipas ngjyrave mund të jetë flamuri i Suedisë ose Ukrainës, ose I Barbados. Ose, meqenëse ndodhemi në Ballkan, mos është flamuri i Bosnjë Hercegovinës?”pyeti ai me sarkazëm. Më tej ai tha se situata në Kosovë është duke u përkeqësuar dhe se “ky projekt nuk është i zbatueshëm”. Përfaqësuesi Nebenzia tha se përfaqësuesit e Kosovës nuk kanë interes për zhvillimin e dialogut Prishtinë Beograd dhe tarifat e hequra vetëm janë pezulluar “për t’i bërë Beogradit kërkesa edhe më të papranueshme”. Jemi duke parë përpjekje të SHBA dhe BE për të krijuar kushte për dialog, por “ne besojmë se këto përpjekje do të dështojnë nëse injorohen dispozitat e Rezolutës 1244”. Vasilly Nebenzia tha se dialogu ka ngecur, sepse BE nuk arriti të bindë shqiptarët e Kosovës të përmbushin detyrimet shtatë vjet më parë, për komunat me shumicë serbe dhe se “presim që Miroslav Lajčák, të jetë në gjendje të gjejë një zgjidhje”. Duke folur për ushtrinë e Kosovës, ai tha se “është krejtësisht kundër dispozitave të 1244 dhe do të destabilizojë Kosovën dhe krejt Ballkanin,” dhe kampin amerikan “Bondsteel” e quajti de facto bazë ushtarake amerikane në Kosovë. Në vazhdim ai kërkoi hetimin dhe dënimin e incidentit në Zubin Potok dhe gjetjen e vrasësve të Oliver Ivanovicit, hetimin dhe dënimin e krimeve të bëra nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përfshirë ato të përmendura nga Dick Marty. Në fund ai siguroi se Rusia do të mbështesë marrëveshjen e arritur midis Beogradit dhe Prishtinës për një zgjidhje të qëndrueshme dhe reciproke të bazuar në rezolutën 1244 dhe kërkoi mbështetje të mëtejshme të UNMIK, si çelësin kyç të prezencës ndërkombëtare në Kosovë.

USA | Leerer Saal des UN-Sicherheitsrat
Salla bosh ku mblidhet Këshilli i SigurimitFotografi: picture-alliance / imageBROKER

Gjermania i kërkon palëve të rrisin besimin

Jürgen Schulz, nga misioni gjerman pranë OKB foli për përçarjet politike „që kanë tërhequr vëmendjen e shumë liderëve”, në një kohë kur duhet të merren me krizën aktuale të Covid 19. Pastaj ai foli për sinjalet inkurajuese që vijnë duke parë masat e marra nga qeveria e Kosovës për të manaxhuar krizën, lëvdoi bashkëpunimin ndërkufitar midis Kosovës dhe Serbisë për të luftuar krizën së bashku. Ai i quajti burime tensioni raportet e pazgjidhura midis Kosovës dhe Serbisë. “Synimi duhet të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme që t’i japë mundësinë të dy vendeve të anëtarësohen në BE dhe kontribuojnë në stabilitetin rajonal,” tha Schülz, duke shprehur miratim pör emërimin e Miroslav Lajčakut, si i dërguar special i BE.

Franca: Prioritet normalizimi marrëdhënieve

Përfaqësuesi i Francës, Wadid Benaabou, koordinator politik në Misionin frencez pranë OKB, tha që në fillim se kur vjen fjala për Kosovën, “një nga prioritetet më kryesore të Francës është normalizimi i marrëdhënieve Prishtinë- Beograd brenda kuadrit të dialogut të drejtuar nga BE”. Franca mirëpriti emërimin e të dërguarit special të BE, mbështet ndërmjetësimin e BE në dialog, përshëndet heqjen e tarifave, kërkon nga palët të hedhin hapa të tjerë për mundësuar rifillimin e dialogut. Franca mbështet UNMIK në punën e tij, “punë që duhet të vazhdojë”. Wadid Benaabou thotë se Franca është e bindur se “Serbia dhe Kosova kanë të ardhme të përbashkët europiane”.