1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qiproja e ndarë merr presidencën e radhës së BE-së

Bahri Cani30 Qershor 2012

Një ujdhesë e vogël me probleme të mëdha do të drejtojë në gjashtë muajt e ardhshëm Presidencën e Bashkimit Evropian. Qiproja është një vend që dallon prej anëtareve tjera të BE-së në shumë aspekte.

https://p.dw.com/p/15OD5
Fotografi: AP

Kriza e euros po hedhë një hije të rëndë mbi presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Qiproja do të jetë vendi i parë i cili kryeson BE-në dhe kërkon ndihma evropiane. Qeveria qipriote ka kërkuar ndihma vetëm pak ditë para fillimit të presidencës së radhës. Ky vend sikur edhe Spanja më së shumti ka probleme me bankat e futura në borxhe të thella. Janis Emmanouilidis,ekspert për Qipron dhe Greqinë në Qendrën për Politikë Evropiane flet për "përkeqësime shumë serioze në Qipro dhe Greqi, në radhë të parë në sektorin bankar."

Paratë e Moskës

Qiproja ka marrë ndihma para disa muajsh edhe nga një vend i tretë. Rusia i ka ndarë asaj në dhjetor një kredi prej 2,5 miliardë euro. Bashkimi Evropian nuk është tepër i lumtur kur shtetet anëtare marrin kredi nga një vend i tretë, sepse ka frikë nga varësia financiare dhe politike e këtyre vendeve. Eurodeputeti qipriot Ioannis Kasoulides nuk sheh një rrezik të këtillë. Ai është kundërshtar i presidentit komunist Dimitris Christofias, sepse nga ai ka humbur në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008, por beson se kredia ruse nuk është kushtëzuar me ndonjë shërbim tjetër. Po pse pikërisht ndihma ruse?

Në foto, Dimitris Christofias
Në foto, Dimitris ChristofiasFotografi: AP

Janis Emmanouilidis thotë se kjo ka të bëjë me "marrëdhëniet shekullore historike dhe kulturore" dhe me fenë ortodokse të këtyre dy vendeve. Investorët rusë kanë investuar në Qipro dhe kanë futur para në bankat e këtij vendi. Ndaj Moska ka shumë shkaqe për mbështetjen e Qipros.

Negociata të ngrira me Turqinë

Qiproja jo vetëm që ka një president komunist në pushtet por është edhe vendi i vetëm i ndarë në BE. Juridikisht në BE është futur i tërë vendi por faktikisht kjo vlenë vetëm për pjesën greke të Qipros. Pjesa veriore e vendit është okupuar prej forcave turke në vitin 1974 dhe prej atëherë njihet si Republika Turke e Veriut të Qipros dhe është e njohur si shtet prej Turqisë. Në anën tjetër Turqia nuk e njeh Republikën e Qipros që mund të ketë pasoja direkte për politikën e këtij vendi në gjashtë muajt e ardhshëm. Turqia ka vendosur që të bojkotojë të gjitha aksionet e Qipros që kanë të bëjnë me negociatat mes Brukselit dhe Ankarasë. Eurodeputeti Martin Schulz, që është edhe kryetar i Parlamentit Evropian, thotë se një gjendje e tillë është a padurueshme. "Nuk mund të tolerohet që një vend që do të bëhet anëtar i BE-së të thotë se nuk e njeh një vend i cili është anëtar i BE dhe që do të ketë presidencën e radhës", pohon ai.

Pamje nga Larnaka, Qipro
Pamje nga Larnaka, QiproFotografi: cc-by:Andreas2009-sa

Schulz: Në rast nevoje BE do të mbështesë Qipron

Por BE-ja nuk mund të detyrojë Turqinë. Eurodeputeti qipriot Ioannis Kasoulides thotë se kjo më së shumti do të dëmtojë vet Turqinë. Ndërsa presidenti i Qipros Christofias sheh edhe rreziqe, sepse kjo situatë mund të bllokojë punën e presidencës së radhës. Pas një vizite në Bruksel ai tha se ata janë të gatshëm për negociata për zgjidhjen e problemit të Qipros. Ndërsa presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schulz tha se: "Nëse Turqia ndërmerr aktivitete dhe masa të tjera për bllokimin e Qipros, BE-ja do të mbajë anën e këtij vendi".

Në foto, Martin Schulz
Në foto, Martin SchulzFotografi: Reuters

Qëllimi është ribashkimi i vendit

Presidenti Christofias ka theksuar edhe një herë dëshirën për vazhdimin e dialogut me pjesën veriore të vendit "për ribashkimin e vendit dhe të popullit tonë". Përpjekja e fundit serioze në këtë drejtim ishte plani i Ananit në vitin 2004. Plani ka dështuar për shkak të refuzimit nga pjesë e banuar me grekë të cilët kishin frikë se pala greke nuk do t'u përmbahet obligimeve të saj. Dialogu ndoshta edhe mund të vazhdojë por problemi nuk do të zgjidhet shpejt. Ndërkohë mes Qipros dhe Turqisë do të vazhdojnë mosmarrëveshjet.