Qipro voton për presidentin
15 Shkurt 2008Reklamë
Nëntë kandidatë janë gjithsej por vetëm tre prej tyre kanë shanse reale për të marrë në dorë udhëheqjen e Jugut. Eurodeputeti Joanis Kasulides, i cili mbështetet nga partia e djathtë DISY fiton pikë me premtimin për të filluar bisedimet me presidentin e turqve të Qipros menjëherë mbas fitores.
Më shumë simpati duket se gëzon presidenti i parlamentit Dhimitris Kristofias, kandidati i parë i partisë socialiste AKEL për postin e kreut të shtetit. Edhe ai përpiqet ta shmangë ndarjen e Qipros. "Tani ka ardhur koha të gjejmë një zgjidhje për të shmangur rrezikun e madh të ndarjes. Së shpejti do të na duhet të vendosim për të ardhmen tonë në dekadat vijuese. Ne nuk duhet ta humbim shansin. Na duhet një president që do ta nxjerrë Qipron nga vendnumërimi", thotë Krisofias.
Tasos Papadhopulos, presidenti aktual, kandidon për ta zgjatur edhe me pesë vjet të tjera qendrimin në post. Demokrati konservator nga radhët e Partisë Demokratike, DIKO, është një nga kundërshtarët më radikalë të planit të Ananit. Para referendumit të vitit 2004 ai bëri thirrje popullit të vet, që të mos votonte për këtë plan për të mos e tradhëtuar republikën. Plani i Ananit i shërben Papadhopulosit si një shuplakë për rivalët: “Ata duan të na fusin frikën dhe na kërcënojnë me ndarje. Le të na bindin njëherë që plani i Ananit është alternativa e vetme", thotë ai.
Sipas anketimeve të deritanishme, asnjë kandidat për president nuk do të arrijë qysh të djelën shumicën e nevojshme. Sipas anketimeve, Papadhopulos është i pari, i pasuar nga Kristofias dhe Kasulides. Dy rivalët me votat më të shumta pritet të dalin një javë më pas (24.2.) në balotazh. Në se Kasulides del nga gara, atëherë do të jenë zgjedhësit e tij ata që do të vendosin për fatin e dy rivalëve të mbetur.
Reklamë