1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260411 Türkei Syrien

27 Prill 2011

Kohët e fundit Turqia kishte përmirësuar raportet me Sirinë, por tani duket që kryeministri Erdogan nuk mund të bëjë dot më asgjë.

https://p.dw.com/p/114nn
Trupat siriane sulmojnë qendrën e rezistencës Daraa
Trupat siriane sulmojnë qendrën e rezistencës DaraaFotografi: AP

"Populli i Sirisë nuk është i vetmuar", thërrasin disa qindra demonstrues në afërsi të sheshit Taksim në Stamboll. Në pankarta ata kërkojnë që t'i jepet fund masakrës kundër popullit në Siri dhe që të përfundojë pushteti i partisë Baath. "Ne jemi këtu për të dënuar terrorin e shtetit dhe regjimit të Bashar al-Assadit. Populli i Sirisë është ngritur për demokraci", thotë një demonstrues.

Turqia prej kohësh kërkon të ketë rol udhëheqës diplomatik në rajon

Erdogan në Damask me presidentin sirian Bashar Assad
Erdogan në Damask me presidentin sirian Bashar AssadFotografi: AP

Egjipti, Libia e tani edhe Siria, opinioni turk po i përcjell me vëmendje zhvillimet në botën arabe. "Intifada në Lindjen e Mesme ka nisur tani edhe në Siri. Populli do që të mbisundojë vullneti i popullit."

"Ne kërkojmë nga qeveria turke që të ndërpresë raportet me këta vrasës", thërret një demonstrues. Por lehtë është të thuash, e vështirë ta bësh një gjë të tillë. Raportet mes Sirisë dhe Turqisë janë zhvilluar mirë kohët e fundit. Shumë para janë investuar në projekte të përbashkëta. Presidenti Assad dhe kryeministri Erdogan kanë raporte të mira miqësore. Erdogani gjendet në një pozitë të rëndë, sepse as raportet e mira me Assadin nuk kanë ndikuar në uljen e nivelit të dhunës në këtë vend. "Ne gjithmonë kemi theksuar që problemet në Siri mund të zgjidhen, vetëm në qoftë se udhëheqja e këtij vendi është e hapur për shpirtin reformator dhe u përgjigjet kërkesave të drejta të opinionit", thotë Erdogani.

Kërkesa e opinionit sirian ndaj presidentit Bashar al-Assad është shumë e qartë: " irhal!", që do të thotë "largohu!".

Turqia druhet nga refugjatët, që mund të shkaktojë lufta civile në Siri

Protesta në Bania
Protesta në BaniaFotografi: AP

Po çfarë do të bëhet pas largimit të tij? Gazetari i njohur turk Semih Idiz mendon: "Turqia në rast të një lufte qytetare në Siri do të ishte vendi më i prekur. Jo vetëm për shkak se popullata kurde jeton në të dyja anët e kufirit. Ne kemi një kufi shumë të gjatë dhe vështirë të kontrollueshëm me Sirinë, ku ekziston rreziku i kalimit të refugjatëve dhe terrorizmit", thotë ai.

Në fillim të viteve 90-të nga Iraku në Turqi kanë mbërritur rreth 150.000 refugjatë kurdë. Por Turqia në atë kohë ishte e relaksuar. Qeveria e Erdoganit është tani në dilemë, thotë eksperti Soli ëzel. "Turqia e sheh veten si një fuqi e rendit në rajon. Megjithatë zhvillimet në Siri kanë dalë jashtë kontrollit. Turqia shpreson që Assadi sërish t'i fusë gjërat nën kontroll dhe të integrojë opozitën në sistem", thotë ai.

Bashar al-Assad këto ditë nuk po dëgjon as kërkesat e popullit dhe as këshillat e Erdoganit, i cili është i pafuqishëm ndaj shkallëzimit të gjendjes në këtë vend.

Autor: Reinhard Baumgarten/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica