1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria greke bie dakord për masat e kursimit

Mimoza Cika-Kelmendi (dpa, dw, reuter)2 Gusht 2012

Pas mbledhjes maratonë koalicioni qeveritar në Greqi ra dakord për paketën e kursimeve. Raporti i ekspertëve të FMN-së, BE-së dhe BQE-së pritet t'i hapë rrugën ndihmave për vendin në prag të falimentimit.

https://p.dw.com/p/15iSZ

Menjëherë pas marrëveshjes për paketën e re të kursimeve qeveria greke nisi biseidmet me përfaqësuesit e vendeve donatore. Ministri i Financave Ioannis Stournaras u takua të enjten (02.08.2012) me ekspertët e Trojkës të përbërë nga BE-ja, FMN-ja dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE), për t'u konsultuar mbi detajet e programit të kursimeve në vlerën e 11,5 miliardë eurove. Mbyllja me sukses e konsultimeve është kusht për ndihma të mëtejshme ndërkombëtare për vendin e kërcënuar nga falimentimit. Raporti i Trojkës do të paraqitet në shtator. Në rast se Greqia nuk arrin ta marrë këstin tjetër të ndihmave financiare prej 31,5 miliardë eurosh në shtator, ajo rrezikon të falimentojë.

Mitglieder der Troika in Athen
Ekipi i ekspertëve të Trojkës (BE, BQE, FMN) në AthinëFotografi: AP

Marrëveshje në vend të zgjedhjeve të reja

Partitë greke të  koalicionit qeverisës pas një takimi disa orësh në Athinë ranë dakord që t'i paraqesin Trojkës (BQE, BE, FMN) masat për kursimin e 11.5 miliardë euro-ve, gjatë viteve 2013-2014.  Këtë e bëri të ditur  shefi i të Majtëve demokratë (DIMAR) Fotis Kouvelis pas takimit.  Pavarësisht rezervave të forta që kanë shprehur më parë, kreu i PASOK-ut dhe ai i DIMAR-it i pranuan propozimet e kryeministrit Samaras dhe të ministrit të Financave Venizelos për paketën e masave të kurisimit, duke përfshirë edhe një shkurtim të ri radikal të pagave dhe pensioneve. Kouvelis theksoi para gazetarëve, se do të bëhen të gjitha përpjekjet  për t'i mbrojtur të varfërit nga shkurtimet e mëtejshme, por ai nuk dha hollësi për këtë. 

Sipas medieve vendase, krerët  e partive qeveritare u detyruan të pranojnë projektin e kryeministrit dhe të ministrit të Fianancave nisur nga rreziku i dështimit të qeverisë, që mund të sillte pasoja të paparashikueshme.  "Ne nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje, siç bëri Demokracia e Re nëntorin e kaluar. Do t'i përmbahemi programit të marrëveshjes", tha kreu i PASOK -ut, pas takimit. Në të njëjtën kohë qeveria  përforcoi kërkesën e saj që t'i lihet më shumë kohë për zbatimin e reformave.