1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria britanike ashpërson masat kundër emigrantëve ilegalë

Thomas Spickhofen12 Gusht 2015

Britania e Madhe është një destinacion, ku duan të mbërrijnë shumë refugjatë. Në portin francez të Kalesë çdo natë qindra vetë përpiqen të kalojnë tunelin. Por shteti ishull i mbyll fort dyert.

https://p.dw.com/p/1GDd9
Fotografi: Reuters/P. Rossignol

Kryeministri britanik jep personalisht drejtimin, David Cameron paraprin madje edhe me përzgjedhjen e fjalëve .

"Një mizëri njerëzish vjen nga deti Mesdhe", tha ai në fillim të krizës në portin francez të Kalesë. Këtyre njerëzve u duhet bërë e qartë: se nuk gjejnë strehë të sigurtë këtu në Britaninë e Madhe.

Kryeministri mbështetet nga kabineti i tij. "Rrugët në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë të shtruara me ar", shkruante ministrja e Brendshme Theresa May në një artikull gazete. Këtu nuk rrjeh qumësht dhe mjaltë, tha James Brokenshire, minister i Migracionit.

Dhe tani edhe ministri i Jashtëm Philipp Hammond u shpreh lidhur me Kalenë se, "për sa kohë që të ketë një numër të madh emigrantësh të dëshpëruar e plaçkitës, për aq kohë presioni mbi sigurinë e tunelit do të mbetet."

Migrantë që plaçkisin përreth, një mizëri njerëzish, rrugët nuk janë të shtruara me ar, gjuha e qeverisë është e ashpër ashtu si dhe planet e saj.

Ligji përkatës do të kalojë në vjeshtë në parlament. Sipas tij qiradhënësit, që strehojnë migrantë pa dokumente të rregullta, mund të dënohen deri me pesë vjet burg. Azilkërkuesve të refuzuar, të cilët tolerohen për shkak të familjarëve të tyre, do t'u hiqet asistenca javore prej 50 eurosh. Dhe punëdhënësit, të cilët punësojnë ilegalisht migrantë, duhet të llogarisin gjithashtu me sanksione të ashpra.

Philip Hammond
Ministri i Jashtëm Philip HammondFotografi: Getty Images/AFP/D. Hill

Sipas njoftimeve të gazetave autoritetet po përgatisin bastisje në firmat e pastrimit, në azilet e pleqve dhe sipërmarrjet e ndërtimit.

Sipas një studimi të School of Economics të Londrës, në Britaninë e Madhe jetojnë ilegalisht më shumë se 600.000 njerëz, rreth dy të tretat e tyre vetëm në Londër dhe rrethina. Sipas të tjera përllogaritjeve numri arrin në më shumë se një milion. 30.000 refugjatë kanë shkuar vitin e kaluar ilegalisht në Angli dhe rreth 6.000 në tremujorin e parë të këtij viti.

Kjo do të vazhdojë, paralajmëron ministri i Jashtëm, Philipp Hammond. "Si pasojë e hendekut të standartit të jetesës mes Europës dhe Afrikës do të ketë gjithmonë shkak që miliona afrikanë të kenë motiv për të ardhur në Europë."

Prandaj thotë Hammond, Europa duhet të ndryshojë. Ministri drejton bisedimet për reformat me Bashkimin Evropian. "Përderisa ligjet europiane janë ashtu si janë, shumë emigrantë mjafton të vënë vetëm një këmbë në tokën evropiane, për të qenë thuajse të sigurtë se nuk do të kthehen kurrë më në vendlindjen e tyre. Dhe kjo është gjendje e papranueshme."

Deri në fund të vitit 2017 Britania e Madhe do të votojë për anëtarësinë e saj në BE. Deri atëherë qeveria Cameron dëshiron të jenë kryer reformat në BE. Me shembullin e refugjatëve ajo ilustron këto ditë, se si i koncepton ato konkretisht.