1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përurohet porti i financuar nga Kina në Amerikën e Jugut

16 Nëntor 2024

Një port i madh i thellë është përuruar në Peru në prani të presidentit kinez Xi. Aty janë investuar 3.5 miliardë dollarë - kompania shtetërore kineze Cosco ka të drejta ekskluzive për ta përdorur atë.

https://p.dw.com/p/4n3pt
Xi Jinping dhe Dina Boluarte në ceremoninë e përurimit
Xi Jinping dhe Dina Boluarte në ceremoninë e përurimitFotografi: Jade Gao/AP/picture alliance

Ai është pjesë e Rrugës së Re të Mëndafshit, porti i parë i kontrolluar nga Kina në Amerikën e Jugut është përuruar në Peru. Portin e ri të thellë të Chancay-t e përuruan presidenti kinez Xi Jinping dhe Presidentja peruane Dina Boluarte. Ai ndodhet rreth 80 kilometra në veri të Limës, në bregun e Paqësorit. Ky është një "moment historik për Perunë”, deklaroi Boluarte në ceremoninë e inaugurimit, të cilën dy presidentët e ndoqën virtualisht, për arsye sigurie, nga pallati qeveritar në kryeqytetin peruan.

Porti është 60% në pronësi të kompanisë shtetërore kineze Cosco Shipping Ports dhe 40% të Volcan Compañía Minera peruane. Kongresi peruan ka miratuar një ligj që i garanton Coscos përdorimin ekskluziv të portit. Për këtë arsye, disa e kritikojnë ndërtimin. Gjithsej 3.5 miliardë dollarë (3.3 miliardë euro) do të investohen në ndërtimin e objektit portual. Në fazën e parë të zgjerimit, mund të trajtohen rreth një milion kontejnerë në vit.

Xi Jinping dhe Dina Boluarte arrijnë në ceremoninë e përurimit
Xi Jinping dhe Dina Boluarte arrijnë në ceremoninë e përurimitFotografi: Fernando Vergara/AP Photo/picture alliance

Rruga detare është shkurtuar ndjeshëm

Chancay është pjesë e ofensivës së investimeve "Rruga e Re e Mëndafshit", me të cilën Kina synon të forcojë ndikimin e saj global. Porti synon të kthejë rajonin e Paqësorit dhe Perunë në një qendër kryesore logjistike për tregtinë në Amerikën e Jugut. Cosco do të krijojë një rrugë të drejtpërdrejtë për në Shangai. Kjo do të shkurtojë udhëtimin në rreth 23 ditë. Deri tani, anijet nga Peruja kanë udhëtuar në Kinë kryesisht përmes Manzanillos, Meksikë dhe Long Beach, SHBA. Kjo do të thotë se udhëtimi zgjat rreth 40 ditë. Porti do të shërbejë për të nxitur zhvillimin midis Kinës dhe Amerikës Latine, tha Xi në një artikull të botuar në gazetën peruane El Peruano.

Vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe Perusë është dyfishuar që nga nënshkrimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë në 2009, duke arritur në 33 miliardë dollarë amerikanë. Në dhjetë vitet e fundit, Pekini ka investuar rreth 24 miliardë dollarë në projektet e minierave dhe energjisë në vendin e Amerikës së Jugut.

Fillon samiti i APEC-ut

Xi do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Lima, i cili zhvillon punimet në kryeqytetin peruan. Në Lima ka udhëtuar edhe presidenti amerikan Biden. Për të, ky është një nga samitet e fundit ndërkombëtare përpara se mandati i tij të përfundojë në janar dhe Donald Trumpi të vendoset përsëri në Shtëpinë e Bardhë.

 

aud (dw, tgsch)